Ngjarje/Personazhe

Shëtitjet dhe biçikletat gjallërojnë Durrësin e futur në karantinë

14 mars 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Për herë të parë pas 30 vitesh që kur Shqipëria ndryshoi sistemin politik dhe ekonomik, u përball me situatën e 1 janarit në muajin mars! Koronavirusi i ri, pagëzuar si COVID-19 gjunjëzoi botën dhe prej gati 1 jave arriti të paralizojë Shqipërinë.

Rrugët e Durrësit u zbardhën të boshatisura. Autobusët nuk dukeshin gjëkundi për të transportuar punëtorët e fabrikave që e nisin turnin herët. As ora 7:30 nuk i shkundi rrugët e qytetit. Nxënësit dhe gjimnazistët nuk i mbushën rrugët si gjithnjë.

Viktima e parë e virusit ishte një grua 73-vjeçare nga Durrësi. Deri më tani autoritet e shëndetësisë kanë raportuar për 38 të prekur nga virusi që prej identifikimit të rastit të parë. Durrësi që numëron sot 5 raste ka regjistruar edhe mjekun e parë të infektuar. Qeveria shqiptare ka marrë masa drastike për të kufizuar lëvizjen e popullatës, duke synuar kufizimin e shpërndarjes së virusit.

“Ne jemi në punë sot, shërbimi postar duhet të jetë hapur ka thënë kryeministri”, tregon Rifat Vuka, që punon si shpërndarës poste në një kompani private. Pak institucione dhe biznese e kanë të lejuar të kenë dyert e hapura. Në Tiranë dhe Durrës shumica e bizneseve kanë ulur qepenat.

Bizneset në Bulevardin Dyrrah kanë ulur qepenat. Foto: Geri Emiri

Hapur gjenden farmacitë, dyqanet ushqimore dhe furrat e bukës.
Dielli e ka nxehur mirë sheshin përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve. Drejtuesit e dyrrotakëve janë të vetmit që kalojnë të buzëqeshur përpara postbllokut të policisë rrugore dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Përveç automjeteve të mallrave dhe shërbimeve të emergjencës, nuk dallohet ndonjë shtëllungë tymi në rrugë.

Policia rrugore dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë qëndrojnë pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, për të kontrolluar automjetet që qarkullojnë. Foto: Geri Emiri

77 shoferë u evidentuan nga Policia e Durrësit në kundërshtim me urdhrin e qeverisë për ndalimin e qarkullimit. Disa prej tyre u shoqëruan, ndërsa të tjerë po ndiqen administrativisht. 509 shoferë u kapën në shkelje të urdhrit në të gjithë territorin e vendit.

Masat synojnë të ndalojnë përhapjen më tej të virusit, deri më tani sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë prekur 123 vende, me 136.895 raste që kanë rezultuar pozitivë, prej të cilëve 5077 persona kanë humbur jetën.

Ora shënon 12 dhe dielli që bie pingul mbi Sheshin Liria ngroh kalimtarët që sa vijnë e shtohen. Në një makineri që prodhon kafe buzë rrugës, dallohet grumbullimi më i madh i njerëzve. Dielli, ashtu si personazhin Merso në romanin e Albert Kamysë, i ka trullosur durrsakët aq sa harrojnë se po qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin , pa doreza e maska për një kafe ekspres.

Qytetarë në radhë për të marrë një kafe ekspres. Foto: Geri Emiri

“Qyteti është shumë i vakët sot, duket si në kohën e Ahmet Zogut, kur ishte Shqipëria me 800 mijë banorë”, tregon Rifat Vuka. Monarkun shqiptar nuk e përmend rastësisht, kanë lindur në të njëjtin fshat, Burgajet të Matit. “Janë futur krejt në strehim”, shton ai për Portën Vendore.

Syrit të kamerës i fshihen shumë kalimtarë. Disa sqarojnë se janë të detyruar të dalin sepse punojnë në sektorin privat. Jo të gjithë i janë bindur urdhrit. “Unë punoj në një Call Center dhe po punojmë me staf të reduktuar”, rrëfen një i ri që ikën me kafe në dorë dhe lutet që foto e tij të mos publikohet.

Ndryshe nga urdhri i qeverisë, ka ende biznese që nuk e kanë pezulluar aktivitetin. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor gjeti të hapur një fasoneri në qytetin e Vlorës, së cilës i bllokoi menjëherë aktivitetin.

Alberti ndalon biçikletën dhe nxiton të vendos maskën. Nis të tregojë se është pushim por si 20 vjeçar nuk mund të rri i mbyllur në shtëpi. Së bashku me 3 shokë ka dalë të shijojë rrugët e boshatisura nga veturat. Djemtë dhe vajzat me biçikleta janë padyshim dominantë në rrugët e qytetit.

Sheshi Liria, ku pak qytetarë kanë zgjedhur të shëtisin. Foto: Geri Emiri

Autoritetet këshillojnë fort që qytetarët të qëndrojnë të izoluar në banesa, duke kufizuar përhapjen e virusit. Grupimet e të moshuarve kanë pushtuar disa prej karrigeve të lokaleve të mbyllura.

Të moshuarit nuk i shmangen grumbullimeve dhe shfrytëzojnë tavolinat e mbetura jashtë lokaleve të mbyllura. Foto: Geri Emiri

Po ashtu të rinjtë nuk mungojnë në cepat e shesheve të qytetit. Bregdeti gëlon nga prindërit që shëtisin me fëmijët ku edhe durrsakët të thyer në moshë kanë zgjedhur të lahen në det, si për të uruar mirëseardhjen e verës.

Përtej Adriatikut, në Italinë fqinje u shënua viktima e 1266-të. Pas mbylljes së qarkullimit të pasagjerëve me Italinë, Malin e Zi e Kosovën, mëngjesin e sotëm u ndalua kalimi i udhëtarëve edhe me Greqinë.

Rruga e Dëshmorëve e zbrazur nga automjetet dhe e frekuentuar nga pak kalimtarë. Foto: Geri Emiri

Rifat Vuka e ka izoluar familjen dhe vetë duhet të jetë mbi motor për të shpërndarë postën. Shqetësimin më të madh e ka për djalin dhe familjen e tij në Bresha të Italisë, një prej zonave të kuqe në shtetin e infektuar nga virusi. “Tani është më keq se me tërmetin se aty e patën rrisk kush kishte bërë ndonjë ndërtim pa leje, kjo është më keq”, tregon 64 vjeçari.

Për të edhe tërmeti  i vitit 1976 që shembi gati gjysmën e Peshkopisë, nuk krahasohet me Koronavirusin. “Në 66-ën ka rënë një fruth që ka mbyllur edhe shkollat. Nuk ishte situatë kaq e ekzagjeruar si sot dhe ishte me zona”, shton ai më tej.

Qytetarët në Durrës lëvizin me maska për tu mbrojtur nga infektimi i Koronavirusit COVID-19. Foto: Geri Emiri

Epidemitë, bashkëshoqëruese të njerëzimit

Ngjashëm si sot, pasi Durrësi mori veten nga tërmeti i vitit 522 të Erës Sonë, që e bëri copash qytetin, ai u përball me një murtajë vdekjeprurëse. Viti 542 i Erës Sonë shënon shfaqjen e parë të një sëmundje epidemike të përmasave të mëdha, që është regjistruar në regjistrin historik. Shkencëtarët në ditët e sotme e kanë pagëzuar virusin si “Yersinia Pestis”, ose njohur ndryshe si “Murtaja e Justinianit” dhe dyshohet se e ka pasur origjinën po nga kontinenti aziatik.

Dorian Hatibi është izoluar si shumica e qytetit. Ai po shijon anën pozitive të vetë izolimit, duke përfunduar faqet e fundit të një libri dedikuar historisë së qytetit. “Në tetor të vitit 1347 ra një murtajë që e përgjysmoi popullsinë e qytetit. Ishte e njëjta epidemi murtaje që shfarosi 30-60 % të  popullsisë evropiane”, tregon studiuesi i historisë së Durrësit.

Popullsia e trojeve shqiptare ka bashkëjetuar dhe është përballur me sëmundje shfarosëse dhe më agresive se Koronavirusi. “Në vitin 1818 raportohet hera e fundit e murtajës në qytetin e Durrësit”, saktëson studiuesi Hatibi.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmjen e së premtes se ka urdhëruar mbylljen e të gjitha kafeneve, restoranteve, lokaleve dhe “fast food”-eve në mbarë vendin deri më 3 prill, si masë shtrënguese për ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit. Biznesi po kalon në karantinë dita-ditës, duke paralizuar ekonominë e vendit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe ajo Tiranë, i drejtoi qeverisë një letër ku kërkon shtyrjen e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare për vitin 2019, pezullimin e pagesave fiskale, të mos ndërpritet energjia elektrike, uji dhe shërbimet e tjera bazike për arsye mospagesash dhe kërkesa të tjera që lidhen me biznesin.

Bashkimi Europian është sot në qendër të infektimit të virusit me origjinë nga Kina dhe përballja e BE-së me krizën mund të krijojë një mekanizëm të fuqishëm të menaxhimit të saj sipas specialistëve, duke bashkuar burimet e anëtarëve dhe drejtuar ato kah një politike të koordinuar fiskale.

Epidemitë kanë luajtur edhe një rol të rëndësishëm politik, pasi ato ishin shpesh vendimtare në përcaktimin e luftërave dhe tregtisë”, analizon studiuesi Dorian Hatibi. “Për shembull, epidemia e murtajës së vitit 1362 luajti rol kyç në heqjen e rrethimit të Karl Topias nga Durrësi, duke i zgjatur kështu jetën sundimit anzhuin në qytet”, përfundon ai.

Rreth autorit:
Ka mbaruar studimet për “Gazetari dhe Komunikim” në Universitetin e Tiranës dhe ka studiuar për “Marrëdhëniet me Publikun”, në nivelin “Master Shkencor” (MSc), Universiteti i Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.