14 mars 2020/ E. Gj/ Porta Vendore/ Lezhë
Banorët e fshatit Barbullojë në Lezhë ndjehen të pasigurt për jetën, pasi rruga Lezhë- Milot nuk ka asnjë sinjalistikë rrugore, megjithëse pjesa më e madhe e banesave janë të pozicionuara buzë kësaj rruge. Shumica e banorëve të këtij fshati janë ankuar pranë institucioneve të pushtetit vendor por pa gjetur një zgjidhje.
Fshati Barbullojë, pjesë e njësisë administrative Kolsh në Bashkinë e Lezhës ka rreth 500 banorë. Shumica prej tyre janë të shqetësuar për jetën e fëmijëve dhe të të moshuarve, kjo pasi rruga nacionale që lidh Lezhën me Milotin kalon pranë derës së shtëpisë së tyre.
Për këtë situatë banorët janë ankuar vazhdimisht në njësinë administrative dhe në bashki, por pa gjetur një zgjidhje.
“Ne si banorë jemi tepër të shqetësuar, pasi pavarësisht kërkesave tona pranë Bashkisë Lezhë për vendosjen e disa barriera për ngadalësimin e shpejtësisë nga makinat, ende nuk është bërë asgjë”, tregon Francesko Dukati, banor i fshatit Barbullojë.
Rruga nuk ka asnjë sinjalistikë rrugore dhe aty mungon gjithashtu ndriçimi. Ndërsa dyer e shumicës prej dyerve të banesave janë buzë rrugës. E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, për çdo ditë, në mëngjes e në drekë në këtë rrugë kalojnë qindra fëmijë që ikin për në shkollë.
Ky aks rrugor, i cili nuk garanton minimumin e sigurisë ka rrezikuar seriozisht disa herë radhazi jetën e të vegjëlve, pasi makinat ecin me shpejtësi dhe ka raste që tejkalojnë edhe tabelat informuese. Vetëm dy muaj më parë në aksident u përfshi një fëmijë, ku mori plagë të rënda në pjesën e gjymtyrëve të poshtme.
“Ai është shoku i djalit tim dhe normal që e vuajtëm të gjithë këtë ngjarje, pasi nuk ishte hera e parë që ndodhte në lagjen tonë. Pavarësisht se ne si prindër përpiqemi t’i këshillojmë fëmijët sërish duhet dora e shtetit që të mundësojë disa masa parandaluese të tragjedive me pasojë jetën”, rrëfen Francesko.

Duke parë që situata nuk po ndryshonte pavarësisht kërkesave dhe ankesave të shumta, pranë Bashkisë Lezhe atëherë 50 banorë të fshatit, me financimin e tyre vendosën litarë në disa segmente të rrugës, në mënyrë që të parandalonin shpejtësinë e makinave.
“Nuk pamë asnjë zgjidhje tjetër, jemi të detyruar të minimizojmë dëmet sa më shumë të mundin. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, që të bësh një rrugë me standarde europiane por pa sinjalistikë; pa viza të bardha, pa bllokada për uljen e shpejtësisë, pa viza të bardha për të kaluar kalimtarët dhe pa tabela që tregojnë se këtu është zonë e banuar. Ne po e vuajmë shumë këtë pjesë, dhe ndaj u përpoqëm vetë me forcat tona ta realizonim diçka të tillë provizore deri në marrjen e një lloj mase nga bashkia, ku shpresojmë ende”, tha për Portën Vendore Francesko Dukati, banor i fshatit Barbullojë.
Ky rast u paraqit për trajtim nga komuniteti në rubrikën “Raporto”, ndërsa Porta Vendore u interesua gjithashtu pranë Bashkisë Lezhë, ku nuk mori një përgjigje mbi masat që pritën të merren për këtë shqetësim disavjeçar të banorëve.