E Drejta e Peticionit
Peticioni është një mekanizëm i rëndësishëm i demokracisë pjesëmarrëse pasi iniciohet nga publiku, në dallim me informimin dhe konsultimin publik që janë detyra të bashkisë.
E drejta e peticionit është e parashikuar në kapitullin e lirive politike në nenin 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku sanksionohet se kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.
Çdo person apo organizatë me interes në një bashki të caktuar ka të drejtën e hartimit dhe nënshkrimit të peticionit drejtuar Këshillit Bashkiak për çdo çështje që lidhet me përgjegjësitë dhe kompetencat e bashkisë. Pas pranimit të peticionit, Këshilli Bashkiak shqyrton atë duke respektuar procedurat dhe afatet e përcatkaura në rregulloren e tij të punës.
E drejta e kërkesës, ankesës dhe vërejtjes
Sipas nenit 19 të ligjit për vetqeverisjen vendore çdo qytetar apo grupe qyetarësh që përfaqësojnë komunitetet lokale kanë të drejtë t’u drejtojnë kërkesa, ankesa apo vërejtje organeve të vetëqeverisjes vendore për çështje që lidhen me funksione dhe kompetenca në juridiksionin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara t’i marrin në shqyrtim kërkesat, ankesat apo vërejtjet dhe të kthejnë përgjigje brenda afateve të përcaktuara me ligj.