Ngjarje/Personazhe

Flamuri, i moshuari i Maliqit që pret në radhë me orë të tëra për pensionin

8 maj 2020/ Ledjona Xheladinaj/ Porta Vendore/ Maliq

I ulur në trotuar, i pafuqishëm për të qëndruar në këmbë, prej orësh, i moshuari qëndronte në pritje për të marrë pensionin modest që ka përfituar nga vitet e punës përgjatë jetës së tij.

Flamur Çiko, 70 vjeç këtë mëngjes ka udhëtuar prej fshatit Vloçisht drejt qytetit të Maliqit, aty ku ndodhet edhe një nga filialet e postës, ku shpërndahen pensionet, por jo vetëm.

Në sytë e tij duke qartë dhimbja dhe lodhja e viteve të jetës, por edhe zemërimi me instancat përkatëse. Më shumë se 18 vjet ka punuar minator, ku gjysmën e jetës e ka kaluar nën tokë. Në kushtet e pandemisë, jeta e tij është bërë edhe më e vështirë. Prej 3 orësh qëndron në pritje për të tërhequr shumën modeste të pensionit. Teksa tregon se problemet shëndetësore e bëjnë të vështirë këtë pritje.

Mezi qëndroj i ulur në këmbë se jam i sëmurë me tension. Mezi qëndroj, prandaj u ula këtu në trotuar dhe po pres”, tha ai për Portën Vendore.

Pavarësisht kushteve të vështira shëndetësorë, 70- vjeçari nuk e humb toruan.

Respektoj radhën sepse s’mund te dal para të tjerëve. Janë të tjerët para meje që presin të marrin lekët”, thotë Flamuri teksa qëndron i ulur në trotuar.

Ndërsa e pyesim për shumën që përfiton dhe si e përballon jetesën , Flamuri tregon me lot në sy peripecitë dhe luftën për mbijetesë.

Unë marr 180 mijë lekë pension, ndërsa 160 mijë merr gruaja. Do t’i mbaj një çikë hollë, do t’i marr ilaçet gruas se e kam të sëmurë dhe vetë me paracetamol dhe lloj -lloj hapësh që pi. Si më dalin mua këto lekë? Dritë po, ujë po, qiranë e tokës po”, rrëfen i moshuari.

Pandemia ka nxjerrë në pah varfërinë ekstreme të kësaj shtresë, kryesisht të moshuarit. Ata jetojnë në skajet e varfërisë ndërsa borxhi është “shpëtimi” i vetëm i sigurimit të bukës së gojës.

Me të keq. Kur s’më dalin, shkoj marr dhe borxh. Ditë për ditë tek komshia nuk shkoj që të kërkoj apo muaj për muaj. Marr borxh për të jetuar. Nuk luaj as kumar, nuk marr dot as mish se mezi marr bukën atje, një kile vaj dhe dy pako makarona. Se aq kam. Çfarë të bëjmë ne?

Tani vij kërkoj hakun tim dhe më sorollatin këta”, thotë ai.

Lotët në sytë e tij nuk ndalen asnjë moment. Përveç shëndetit të tij, ai kujdeset edhe për bashkëshorten, të cilën është detyruar ta mbyllë në shtëpi të sëmurë për të shkuar të marrë pensionin.

Aq mërzi kam, të parën se e kam lënë gruan vetëm në shtëpi të sëmurë, zoti të më falë unë i kam sytë tek ajo dhe ajo tek mua”, thotë Flamuri ndërsa përlotet dhe vijon: “Aman, aman, aman, dhe me aman nuk ia dal dot. Të shkoj në bankë të marr kredi, por duhet dhënë edhe ajo. Por vij këtu të marr pensionin që të shkoj t’i jap komshies borxhin”, thotë ai.

U premtua se ndihmat në ushqime nuk do të mungojnë nga pushteti vendor për shtresat në nevojë. Madje të moshuarit ishin të izoluarit e parë në këtë kohë pandemie që duhet të përfitonin. Askush nuk u lejua të dilte nga banesa, ndërsa instancat do të ishin në çdo derë për të shpërndarë pensionet për të moshuarit. Kjo, jo vetëm që nuk u realizua, por këta të moshuar duhet të presin në radhë me orë të tëra . Siç e pohon edhe 70- vjeçari askush nuk ka menduar për të. “Askush nuk ka ardhur në shtëpi të mi sjellë, mua jo, të tjerëve nuk e di. Unë përgjigjem për veten time”, thotë ai i trishtuar.

Rrëfimi i tij mbyllet me lot në sy, ashtu sikurse sytë e tij përgjatë çdo fjale që na tha. Të moshuarit mbeten të vetmuarit e kësaj situate, ku shumë prej tyre jetojnë në kushte të vështira, jo vetëm ekonomike, por edhe shëndetësore. Shpesh herë janë quajtur edhe të “pabindurit” në këtë kohë pandemie, por dalja e tyre ishte sepse askush nuk u përgjigj për t’i ndihmuar, ndërsa janë detyruar të shkelin çdo rregull për të dalë dhe siguruar medikamentet apo ushqimin e përditshëm, hera-herës duke rrezikuar edhe veten nga Covid 19.