Ngjarje/Personazhe

Një vit pas tërmetit, banorët e Korçës harrohen në gërmadha

8 korrik 2020/ Ledjona Xheladinaj/ Porta Vendore/ Korçë

Tërmeti i 1 qershorit të vitit të kaluar, vijon të lërë plagë të pashërueshme te banorët e fshatit të largët në Qafëzezë. E ndodhur në zonën e Kolonjës, fshati me më shumë se 50 familje, jeton në rrënojat e shkaktuara nga dukuria natyrore.

Të paktën 5 familje në fshatin Qafëzezë të Korçës nuk e gëzuan mbështetjen e pushtetit lokal, ndërsa banesat e tyre janë totalisht të pabanueshme që prej tërmetit të 1 qershorit 2019 nga i cili u prekën në total rreth 32 familje. Ashtu sikurse janë shpallur të pabanueshme, edhe sot pas më shumë se një viti, këto banesa vijojnë të qëndrojnë të degraduara nga lëkundjet e forta të tërmetit. Pakënaqësitë e banorëve i gjejmë sapo futemi në fshat. Aty varfëria është e tejskajshme ndërsa të ardhurat e vetme banorët i sigurojnë me emigrim apo blegtori. Qafëzeza njihet si një ndër zonat më të varfra në Kolonjë, ndërsa tërmeti nxori më në pah kushtet ekstreme, ku jetojnë dhjetëra familje. Pasojat e shkaktuara nga tërmeti janë të dukshme në çdo banesë, si në banesat e restauruara, por edhe ato të cilat janë të paprekura. Një ndër to është edhe banesa, e cila ndodhet në periferi të fshatit, aty ku muret e plasaritura dhe të çara vijojnë të jenë të frikshme. Ladi është 75 vjeç dhe është kryefamiljari i banesës dykatëshe. I moshuar nga vitet e jetës që kanë rënduar mbi supe dhe puna e krahut që e ka kërrusur para kohe, loton sapo e pyesim për ndihmën që instancat përkatëse i kanë dhënë pas tërmetit të 1 qershorit të vitit të kaluar. Mes lotësh dhe zemërimit, ai thotë për Portën se askush nuk e ka mbështetur, teksa banesa e dytë e tij është kthyer furgoni i djalit. Familja e tij përbëhet prej 5 anëtarësh, ndërsa djali me nusen dhe fëmijët kanë improvizuar një dhomë në dyqanin ushqimor. I moshuari fle në furgon. Prej më shumë se një viti ai fle dhe zgjohet në sediljen e furgonit, teksa banesa është e pabanueshme për shkak të goditjeve të tërmetit dhe dita ditës rrezikon të shembet. Kjo ka detyruar të moshuarin të braktisë shtëpinë që e ka ndërtuar me mund dhe këtë radhë të shpëtojë kokën.

“Unë kam 1 vit që fle në furgonin e djali , këtu e kalova dimrin dhe beharin këtu do e kaloj. Kam frikë, shumë frikë të rri në shtëpi se janë muret e çara. Nga e keqja fle këtu ç’të bëj, të fle në rrugë? As e çajnë kokën fare as qeveria as bashkia”, tregon ai i përlotur.

Ladi teksa qëndron në furgonin e djalit të tij. Foto: L.Xheladinaj

Më tej, ai vijon bisedën duke pohuar se mbështetja e vetme që ka marrë deri tani janë fjalët boshe.

“Ka kaluar 1 vit nga tërmeti dhe asgjë nuk kanë bërë për ne të varfrit. Na mashtrojnë dhe na gënjejnë gjithmonë, sa herë që vijnë këtu. Erdhi kryetari i bashkisë dhe na premtoi se do i rregullojë, por ja ku i ke muret e çara. Këta tallen me ne dhe qeshin me fatkeqësinë tonë. Ne jemi në hall se kemi mbetur pa çati. Punova një jetë të tërë për këto shtëpi. Më ka rënë bretku dhe me dhembin krahët akoma nga puna”, rrëfen i moshuari për Portën Vendore.

Sigurisht mllefi i akumuluar prej më shumë së një viti është i madh. Halli i vetëm mbetet strehimi dhe jo mirëqenia. Ladi thotë për PortënVendore se në këtë fatkeqësi është luajtur pisët, ku është ndihmuar i pasuri dhe është braktisur i varfri.

“Këtu është bërë një lojë e pisët. U ngritën dhe rregulluan shtëpitë që nuk u dëmtuan ndërsa na lanë ne pa asnjë ndihmë. Pse na gënjejnë? Pse na thonë do i bëjmë dhe pastaj ikin? Do ti bëjmë më thoshte prefekti, pastaj kur erdhi ditën tjetër thoshte s’mbaj mend çfarë të kam thënë. Ku e ke shpin ti, ku fle? Në makinë fle i thoja. Turp.“shton i moshuari ndërsa vijon se : “Të gjitha banesat e tjera janë rregulluar ndërsa 4-5 banesa janë lënë jashtë listës se gjasmë ne jemi të djathtë. Këta i kanë ndarë sipas bindjeve politike. Nuk e di ç’do të bëjmë, vetëm zoti na ka mbetur tani. Kemi punuar gjithë jetën dhe ja ky tërmeti na shkatërroi. Jam pensionist, aq lekë marr ndërsa djali në dyqan. Na bëri më keq edhe kjo pandemia, na ka lënë jetimë fare. Qeveria s’na ndihmoi e as pushteti lokal dhe rrimë ne me sytë nga qielli”, përfundoi për Portën Vendore Ladi, një ndër banorët e Qafëzezit.

Ladi teksa na tregon pasojat e tmerrshme që tërmeti i 1 qershorit 2019 la në banesën e tij. Foto: L. Xheladinaj

Të pathënat nuk mbarojnë këtu. Familja e Petraq Dhespollarit është një tjetër rast i lënë jashtë vëmendjes nga pushteti lokal. Çifti i të moshuarve ka një histori të trishtë. Vite më parë ata humbën djalin e vetëm të shtëpisë ndërsa janë të mbytur në borxhe për shkak të sëmundjes dhe shpenzimeve për kurimin etij. Sot ata janë të dorëzuar përballë skamjes. Tërmeti u shkatërroi banesën e falur nga motra e kryefamiljarit. Në këto kushte ata nuk përfituan asnjë ndihmë apo mbështetje. I mbytur në dhimbje Petraqit nuk i ndalen lotët. Ai tregon për Portën Vendore se premtimet kanë qenë të shumta teksa iu tha se në qershor gjithçka do të rimëkëmbej. I pashpresë, ai thotë se nuk ka asnjë mundësi ta restaurojë vetë pasi nuk ka asnjë të ardhur ndërsa borxhet janë të shumta.

“Iku një vit dhe do ti bëjmë do ti bëjmë dhe asgjë s’kanë bërë. As një tullë nuk kanë vënë. Po jetoj në ashef aty janë kushtet çnjerëzore. Jam me gruan dhe jemi të sëmurë. Me vdiq djali. U futa në borxhe për ta shëruar, por nuk ia arrita qëllimit. Është peng i jetës time. Ashefin na e ka lënë një i afërm. Ja atje matanë përroit është. S’më zë gjumi natën. E kam mendjen tek shtëpia se mos më vjedhin gjënë e gjallë. Me këto ushqehemi. Ne jemi të vrarë shpirtërisht. E kemi plagë zemrën për djalin qe humbëm. A ka vuajtje më të madhe për një prind se humbja e fëmijës? Të gjithë na e dinë hallin. Vetëm na kanë gënjyer. Na kanë mashtruar. As duan t’ia dinë hiç. A kanë shpirt këta njerëz? Çfarë gjaku kanë?”, pyet me një lumë pyetjesh që s’reshtin Petraqi zemërvrarë.

Petraq Dhespollari teksa flet për Portën Vendore. Foto:L.Xheladinaj

Petraqi rrëfen se e vetmja dëshirë e tij tanimë është një shtëpi, ndërsa thekson se këtë ja kanë premtuar edhe pushtetarët. “Ishim në çadër, nga çadra na çuan në kontejner ndërsa kemi një vit po flemë si kafshë në ashef. Shtëpinë ma nxorën të pabanueshme. Më ka thënë kryetari i bashkisë, prefekti dhe administratorja mos na detyro të vendosim shirit në banesë, por qëndroni në kontejner. Tani nuk na hedhin sytë. Çfarë jemi ne kriminelë? Dua të më bëjnë shtëpinë s’dua asgjë tjetër”, shpjegon i trishtuar ai.

Porta Vendore iu referua për prononcim prefektit të Korçës Dhori Spirollari, ku e pyeti në lidhje me shqetësimet e familjeve të Qafëzezës të mbetura në qiell të hapur. Ndërsa ky i fundit tha se:

Ka kaluar një vit dhe sipas objektivit pa nisur dimri u arrit të ndërtohen banesat nga e para dhe të rikonstruktohen. Ka pasur një problem siç është ai i pronësisë. Pra vërtet banorët jetojnë në ato banesa, por nuk kanë certifikatë pronësie, pra jetojnë në shtëpitë e të afërmve ose në shtëpitë e të tjerëve. Pra, këto banesa kanë mbetur pa i riparuar, sipas fondit të dhënë nga Ministria e Mbrojtjes dhe emergjencave civile. Por edhe për këto në bashkëpunim me bashkitë dhe me financimet private, do gjejmë një zgjidhje”.

Teksa është pyetur përse nuk është gjetur deri tani një zgjidhje, Spirollari thotë për Portën Vendore se problemi ka qenë i ngatërruar. “Ju kemi bërë thirrje të bëjnë kontrata me banorët e vërtetë sepse nuk mund të financojmë një banesë që nuk është e tyre dhe menjëherë do dilte problemi dhe do dilnim jashtë banese. Ju kemi ofruar banesa sociale, i mirëkuptoj sepse puna e tyre është e lidhur me fshatin dhe me gjënë e gjallë dhe kjo është arsyeja që ata nuk kanë pranuar. Ne jemi në kontakt me bashkitë dhe realisht do ta gjejmë një zgjidhje, për të riparuar banesat e tyre”, shton ai.

Spirollari shprehet se banorët do marrin mbështetje shumë shpejt. Për rastin e përzgjedhur nga Porta, i moshuari i cili fle aktualisht në furgon, prefekti pohon se nuk është në dijeni të këtij rasti. “Nuk e kam këtë lloj informacioni për emrin, por di që janë 5-6 banesa që ne i kemi verifikuar dhe jemi në kontakt me bashkinë dhe do ta verifikojmë së bashku se ku qëndron e vërteta. Por thelbi është ky që ju thashë që nuk zotërojnë një certifikatë pronësie ose të kishin të regjistruar pronën e tyre. Kanë bërë kontrata me pronarët por nuk është e plotë ligjërisht, por do të gjejmë një zgjidhje për riparime dhe ata të jenë të sigurt”, përfundon prefekti Dhori Spirollari.

Nga tërmeti i datës 1 qershor 2019 u dëmtuan në total rreth 32 banesa në Bashkinë Korçë, ku 23 prej tyre janë rikonstruktuar dhe 4 të tjera janë ndërtuar nga e para, ndërsa 5 familje të tjera presin dorën e shtetit teksa qëndrojnë në qiell të hapur.