22 Prill 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Në mesin e pandemisë së koronavirusit dhe krizës ekonomike që po e shoqëron atë, qeveria ka hedhur për diskutim publik amnistinë fiskale. Një nismë e shumëdebatuar që përpara përhapjes së COVID 19, por me të njëjtin impakt të dëshiruar në buxhetin e shtetit, atë të sigurimit të të ardhurave shtesë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se amnistia fiskale do të shërbejë për të legalizuar paratë e shqiptarëve që kanë punuar në të zezë brenda dhe jashtë vendit. Ajo do të zgjasë 1 vit dhe do të bëhet me tre faza 4 mujore. Tarifa për tu paguar në fazën e parë do të jetë 5%, në fazën e dytë 7%, dhe në fazën e tretë 10%. Këto kanë qenë detajet e para të kësaj nisme të rëndësishme, të cilën qeveria ka nxitim për ta miratuar sa më shpejt. Kreu i ekzekutivit specifikoi se javën e ardhshëm nis diskutimi, dhe miratimi në parlament pritet brenda majit. Amnistia nuk do të jetë gjithëpërfshirëse, por do të ketë përjashtimet e saj. Kështu, nuk do të lejohet formalizimi i parave të aktiviteteve kriminale dhe korrupsionit, si dhe legalizimi i parave të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Mungesa e debatit publik dhe konsensusit politik
Mënyra sesi po bëhet amnistia fiskale ka ngjallur skepticizëm të fortë tek ekspertët e ekonomisë. Ata gjykojnë se nisma po bëhet e nxituar, pa i dhënë kohë diskutimit publik dhe konsensusit politik, aq shumë të nevojshëm. Kjo pasi palët duhet të bien dakord që nuk do të ketë së shpejti një tjetër amnisti, sic ka ndodhur rëndom vitet e fundit. Shqipëria numëron deri më tani 4 amnisti të pjesshme. Me nismën e deklaruar, numri shkon në 5.
“Më duhet kohë e shkurtër kalimi në parlament për miratim, pa u diskutuar me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Duhet konsensus politik se mund të vijë qeveria tjetër dhe ai që kërkon të legalizojë paratë, të penalizohet. Pra, duhet garanci. E rëndësishme për amnistinë është ajo që quhet ‘day after’. Pra, cfarë do të ndodhë më pas. Amnistia fiskale duhet të shoqërohet me rregulla të forta ligjore e tatimore. Duhet që brenda paketës së amnistisë, të jenë edhe rregullimet ligjore, ku të përcaktohen qartë penalitetet të forta për ata që mendojnë se mund të abuzojnë dhe të shpresojnë se do të ketë një tjetër amnisti”, deklaron për Porta Vendore Adrian Civici, ekspert për ekonominë.
Me risk të lartë, këtë nismë të qeverisë e sheh edhe eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho. “Në rastin e Shqipërisë, një amnisti nuk ka sens pa përforcuar një herë institucionet shtetërore të kontrollit, siç janë tatimet, doganat, inspektoriatet e pasurisë etj, në një moment ku reforma në drejtësi ende nuk ka përfunduar dhe institucionet e saj nuk kanë treguar rezultate konkrete”, shprehet Spaho për Porta Vendore.
Për ish zv.ministrin e Financave, Dritan Shano, amnistia e ri-propozuar nga Kryeministri nuk bëhet në momentin e duhur, sidomos sa i përket situatës së rënduar institucionale dhe qeverisëse që po kalon vendi. “Nuk më rezulton që administrata publike ka qetësinë e duhur, dhe aq më pak kapacitetet e duhura qe i nevojiten, sidomos për të trajtuar dhe kontrolluar një operacion delikat sa financiar aq edhe moral dhe etik, siç është amnistia fiskale. Vlerësoj se nuk verifikohet një qartësi dhe vullnet politik për mos përsëritje të amnistisë, siç edhe mungon një konsensus i gjerë politik për kryerjen e saj. Kohështrirja e propozuar për ta mbajtur regjimin e amnistisë fiskale është gjithashtu një problem i madh. Ajo tregon se më shumë se një përpjekje për të formalizuar ekonominë, kjo amnisti është legjitimim i bashkëpunimit të qeverisë me përfituesit, dhe krijimi i privilegjeve te tjera ndaj tyre. Nuk ka asnjë parashikim për hyrjet në buxhet nga ky veprim i qeverisë, çka e bën atë jo transparent dhe me shumë të çara”, shprehet ekonomisti Shano për Porta Vendore.
Amnistia si mënyrë për të mbushur buxhetin
Por a po e bën qeveria amnistinë për të garantuar para për buxhetin, në këtë moment të vështirë, kur të ardhurat kanë rënë ndjeshëm për shkak të bllokimit të gjysmës së ekonomisë nga koronavirusi.
Ekspertët dakortësohen në impaktin pozitiv që nisma teorikisht mund të ketë për financat publike, por shprehen dyshues lidhur me suksesin e kësaj nisme konkrete për të mbushur arkën e shtetit. “Mendoj se motivi i vetëm është dëshpërimi për të arkëtuar pak më shumë para për buxhetin. Masa të këtij karakteri kërkojnë një konsensus të gjerë mes aktorëve politikë dhe së dyti, një dizenjim shumë i mirë teknikisht për administrim. Asnjëri prej këtyre kushteve nuk plotësohet, prandaj dhe dështimi është pothuajse i sigurtë”, shprehet Selami Xhepa, ekspert për ekonominë për Porta Vendore.
Përfituesit e vërtetë të amnistisë fiskale
Amnistia fiskale është prezantuar nga kryeministri Rama si një nismë miqësore me emigrantët, që kanë punuar jashtë vendit dhe paratë i kanë të padeklaruara, një mundësi për ta për t’i futur këto para në kanale bankare, duke paguar tarifat tashmë të përcaktuara sipas tre fashave. Por a do të përfitojnë vërtet ata?
“Nuk mendoj se nga kjo amnisti do përfitojnë emigrantët. Është e vërtetë se Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë në emigracion prej një kohe të gjatë, siç po ashtu kemi një valë të re të krijuar në 6 vjetët e fundit me rreth gjysmë milioni shqiptarë. Blloku kryesor i emigrantëve shqiptarë i kanë tashmë të zgjidhura marrëdhëniet fiskale me shtetet, ku janë rezidentë. Legalizimi dhe integrimi i tyre është i plotë dhe nuk komporton nevojën për të amnistuar para. Remitancat e tyre variojnë nga 600 milionë në mbi 1 miliard euro dhe hyjnë në Shqipëri prej vitesh në shumë forma, përmes bankave, agjencive të transferimit të parave, dorazi etj. Ndërsa vala e re, nuk ka arritur të krijojë masa monetare që të kenë nevojë të amnistohen. Ata që punojnë në të zezë, ato pak para që bëjnë, i sjellin të fshehura tek çorapet më mirë se të paguajnë 5 deri 10% taksë”, analizon ekonomisë Shano.
Ai shkon më tej, teksa deklaron se nga amnistia do të përfitojnë ata që merren me trafiqe e aktivitete kriminale. “Mendoj se nga kjo tentativë për amnisti ka të ngjarë se do përfitojnë dukshëm i njëjti grup njerëzish që kanë përfituar deri më tash nga prokurimet publike të drejtpërdrejta, nga PPP, nga lejet e ndërtimit që kanë shpërthyer me virulencë edhe më të madhe se Covid-19, nga rentat dhe lejet e shfrytëzimit të pasurive nën dhe mbitokësore të Shqipërisë, nga ligje si ai Investimeve Strategjike apo i Korporatës së Investimeve. Njëherësh, ose së bashku me ta, do mund të përfitojnë grupe njerëzish që kanë kryer aktivitete të paligjshme si narkotrafiku dhe që i gjejmë në themel të pushtetit të kësaj mazhorance, siç kemi parë në Dosjet 184 dhe 339, apo edhe të emëruar politikisht si deputetë, kryetarë bashkish, e drejtorë gjithfarësh të cilët i humbën këto privilegje për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Shkurt, ky propozim i qeverisë, më shumë se për të formalizuar paranë e emigrantëve, duket sikur tenton të krijojë të tjera privilegje ligjore për kartelin politik dhe ekonomik që sundon këtë vend, të ngjashme me pastrimin e parave, për ato grupime që në fakt duhet t’i paguajnë shqiptarëve principalin dhe jo të amnistohen me përqindje interesash”, shprehet Shano.
Në të njëjtën linjë është edhe eksperti Mateo Spaho, i cili argumenton se përfitues do të jenë pikërisht ata që merren me aktivitete kriminale dhe që deri më tani kanë investuar në ndërtim. “Përtej fyerjes që qytetarët e ndershëm në Shqipëri mund të ndjejnë nga një iniciativë të tillë, duhet të shtojmë se aktualisht vendi ynë është një qendër reciklimi, jo vetëm të parasë informale, por sidomos të parasë së krimit dhe kjo po ndodh në dritë të diellit dhe pa nevojën e asnjë amnistie fiskale. Ndërtimi i qindra pallateve në Tiranë dhe bregdet pa asnjë kredi nga ana e firmave të ndërtimit dëshmon se lekët e trafiqeve janë sot benzina e betonit, në një kohë kur kërkesa për shtëpi dhe apartamente nuk është aspak e lartë “, deklaron Spaho.
Ndërkohë eksperti Adrian Civici jep një tjetër këndvështrim. Duke sjellë eksperiencën e vendeve të tjera, ai shpjegon se amnistia duhet të jetë gjitpërfshirëse dhe të bëhet një herë e përgjithmonë. “Nëse do të bëjmë amnisti, ajo duhet të jetë e plotë dhe qëllimi është i pastër ekonomik. Nëse do ti referoheshim Italisë, amnistia ka pasur në fillim në fokus paratë informale, si paratë e mafias, korrupsionit, paratë në të zezë etj. Në këtë kuadër, amnistia duhet të jetë e plotë dhe qeveria duhet të parashikojë cfarë synon kjo nismë, cfarë shume do të legalizohet. Ajo duhet të ketë sa më pak përjashtime se pastaj nuk dihet se cfarë amnistie do të jetë”, shprehet Civici.
Deri më tani, amnistia fiskale është tentuar edhe 4 herë të tjera nga qeveri të ndryshme. E fundit ishte ajo e vitit 2012, e zbatuar nga ish kryeministri Berisha për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor. Edhe pse janë quajtur amnisti, ato asnjëherë nuk kanë qenë mirëfilltazi të tilla. Përjashtimet e shumta dhe përsëritjet për kredo politike dhe përfitime ekonomike afatshkurtra i kanë destinuar ato thjesht në falje fiskale.