Vëzhgim/Analizë

Tirana nën karantinë, ekspertët frikë për kolaps njerëzor e financiar

15 mars 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë që njihet për ritmin frenetik të tij, ka fikur motorët që dje në mëngjes. Me 41 të infektuar zyrtarisht, e futur në karantinë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, disa banorë kanë “thyer” izolimin duke vërshuar kryesisht te liqeni, e ndërsa disa lokale e mbajnë ende ekspresin e kafesë hapur. Të gjendur në këtë situatë, ekspertët e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit e turizmit shprehen se dy javët në vazhdim do të jenë përcaktuese se si do ta përballojmë këtë situatë me të cilën vendi ynë po përballet, ku sipas tyre kolapsi financiar është në prag të derës.

“Lëvizje” nën karantinë

Liqeni artificial i Tiranës, ka qenë i vetmi shteg i lirë për kryeqytetasit për t’i shpëtuar vetë-izolimit. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm numri i atyre që kanë dalë për një xhiro kryesisht te zona që njihet si diga e liqenit, ka qenë mjaft i lartë. Shpeshherë duke mos respektuar edhe distancën e sigurisë. Por gjatë drekës dhe pasdites numri i tyre ka rënë ndjeshëm.

Është thuajse ora 10:00 dhe Mira së bashku me bashkëshortin kanë dalë për vrap. “Po shfrytëzojmë këto ditë që ende na lejohet lëvizja, pasi gjithçka mund të mbyllet si në Itali e të mos kemi mundësi të dalim më fare. Sigurisht rri larg njerëzve të tjerë, dhe kur dikush na vjen përballë shmangemi dhe ruajmë distancën”, na thotë ajo.

Edhe Astriti po kthehet nga një xhiro që ka bërë te liqeni. “Maskën me vete, larg njerëzve të tjerë, se nuk rrihet vetëm në shtëpi. Ndërkohë që dy prindërit e mi, që janë moshë e rrezikuar, nuk kanë dalë fare nga shtëpia”, tha ai.

Pavarësisht urdhrit për të mbyllur gjithçka, përveç shërbimeve të domosdoshme, gjatë rrugës për te liqeni konstatuam se disa lokale të zonës kanë filluar e bëjnë “hile” të vogla. Ata kanë mbyllur dyert dhe nuk pranojnë klientë brenda, por ama ekspresin e kanë hapur dhe u shërbejnë klientëve që porosisin nga jashtë.

Lëvizja e qytetarëve gjatë paradites së djeshme në Liqenin Artificial. Foto: E. Keta

Thuajse e njëjta situatë është edhe tek zona e liqenit ku është vendosur memoriali i shumë debatuar turk dhe ndodhet një kënd lodrash për fëmijë. Në këtë lokal, ka plot tavolina të mbushura e njerëz që kanë para ose pije freskuese ose kafe në gota plastike. Ndonëse, në hyrje të parkut të fëmijëve është vënë shënimi që “parku është i mbyllur përkohësisht” dhe në këtë zonë që dikur gumëzhinte nga fëmijët, ka vetëm dy të vegjël që po luajnë.

Këndi i lodrave për fëmijë qëndron i mbyllur përkohësisht. Foto: E. Keta

Por duke marrë shkas nga situata e krijuar kur qytetarët po mbushnin liqenin artificial, Kryeministri Rama gjatë ditës së djeshme në vargun e masave për covid19, ndaloi gjithashtu edhe lëvizjen nga liqeni artificial të qytetarëve.

Çfarë po lë pas karantina?!

Ndërsa këshillat e vazhdueshme të mjekëve kanë qenë hedhja e dorezave dhe maskave mbrojtëse në koshat e mbeturinave pas përdorimit, tashmë kudo mund të gjesh doreza njëpërdorimshme të flakura pa kujdes në mes të rrugës.

Të hedhura kudo: në rrugë, në trotuare, pranë degëve të pemëve, pranë kazanëve të mbeturinave ata rrezikojnë të kthehen në një kërcënim serioz për shëndetin.

Dorezat e hedhura shkujdesshëm kanë pushtuar rrugët e Tiranës. Foto: E. Keta

Ndërkohë kjo situatë, ndonëse është shoqëruar me dezinfektim të herëpashershëm të koshave të mbeturinave, ata vazhdojnë të jenë të mbushur kapicë, për shkak të fluksit të madh të blerjeve pas shpalljes së karantinës.

Koshat tejmbushur pranë zonës së liqenit. Foto: E. Keta

Kryeministri Rama në vazhdën e masave të ndërmarra gjithashtu paralajmëroj qëndrimin hapur të marketeve, furrave të bukës dhe farmacive, madje këto të fundit do të ofrojnë gjithashtu shërbim nëpër shtëpi për të gjithë ata që do të kenë nevojë të blejnë medikamente të ndryshme.

Por pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra dhe grupeve të inspektimit që kanë zbritur në terren, sërish ka një tendencë për abuzim çmimesh në këto ditë të vështira për të gjithë shqiptarët, dhe kjo tendencë në rritje nuk vihet re vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe.

Nëpër farmacitë e Tiranës, Durrësit e Elbasanit aktualisht një shishe alkooli kushton nga 500-800 lekë të reja, ndërsa gjetja e dorezave dhe maskave është kthyer në një beteje, pasi nuk ka thuajse në asnjë farmaci të qyteteve kryesore.

“Kemi mungesë nëpër magazina për maska e doreza. Ndërsa shohim një shtim të numrit të klientëve tanë që blejnë vitaminën b,c dhe d, që të mund të rrisin imunitetin, në mënyrë që virusi ta ketë më të vështirë ti ‘gjunjëzoj’. Vitaminat po blihen jo vetëm nga moshat e treta por edhe nga të rinjtë”, tha për Portën Vendore Endri një farmacist në rrugën “Hoxha Tahsin”.

Njoftimi në një prej farmacive të kryeqytetit mbi mungesën e maskave dhe dezinfektantëve. Foto: E.Keta

Megjithatë të gjithë inspektoriatet janë angazhuar që të ketë një mbarëvajtje sa më të mirë të situatës. Ndërsa kontrollet në këtë situatë do të vijojnë përsa i përket rritjes së çmimeve të pajustifikuara, kontrollit ushqimor etj.

“Duhet ti inspektojmë shumë fortë të gjithë ata që kanë industri prodhuese në mënyrë që nga njëra anë ata të vazhdojnë të mbajnë gjallë ekonominë. Nëse do të konstatohen nëpër farmaci, nëpër furra buke mosmarrja e masave të sigurisë, si maskat, dorezat, nr. i personave në ambient, nuk diskutohet mbylla e biznesit dhe gjoba, por drejtuesit e tyre do të shkojnë deri në ndjekje penale”, tha Shkëlqim Hajdari, kreu i Inspektoriatit Qendror në një prononcim në media.

Ndërkohë, edhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer inspektime në terren për verifikimin dhe respektimin nga subjektet të masave të posaçme të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për situatën në vend , ku janë kryer 43 inspektime dhe 1625 monitorime.

Sistemi shëndetësor VS koronavirus

Thuajse të gjithë ekspertët e shëndetësisë pranojnë se është ende shpejt për të folur se si po e përballon sistemi ynë shëndetësor, pasi dy javët që presim të vijnë do të jenë vendimtare se cila do të jetë kurba që do të ndjekë COVID -19 në Shqipëri. Sipas tyre masat e marra janë të duhurat, i kanë shpresat te stina e ngrohtë e verës dhe që virusi të mos jetë aq agresiv sa në Itali.

“Dy javët që vijnë do të jenë vendimtare dhe do të na tregojnë shumë më shumë se si do ta ketë jo vetëm sistemi shëndetësor, por edhe ne personalisht”, thotë për Portën Vendore Arben Gjata, rektor i universitetit të Mjekësisë, teksa pranon se ende nuk ka studime përfundimtare. “Disa studiues nga vendet të cilët po përballen para nesh me këtë situatë e konsiderojnë jo si një tërmet që ta jep goditjen fatale menjëherë, por me një cunam që jep disa shenja, por askush nuk e di se sa të lartë do ta ketë valën e goditjes apo sa do të shtrihet. Ndaj respektimi i këshillave të mjekëve dhe masave të marra nga qeveria, shpresojmë që ta minimizojnë sado pak forcën goditëse të virusit”, thotë ai.

Sipas Gjatës personat që rezultojnë pozitivë, por nuk kanë nevojë të shkojnë në spital dhe qëndrojnë në shtëpi duhet të respektojnë disa rregulla strikte. “Këta persona duhet t’i shërbejnë vetes dhe familjarëve, pasi asnjë personel mjekësor nuk i asiston. Duhet të mbajnë distancë prej 2.5 metrash me anëtarët e tjerë të familjes, të ushqehen veçmas, të lajnë rrobat e veta pa i përzier me të tjerë dhe sigurisht higjienë. Karantina për këta persona duhet të zgjasë 3-4 javë dhe vetëm pas kësaj periudhe duhet të bëjnë sërish analizat për të parë dhe vetëm nëse rezulton i pastër mund t’i kthehet normalitetit të jetës”, shpjegon mjeku i njohur, njëkohësisht edhe rektor i universitetit të Tiranës, Arben Gjata.

Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë shprehet se pandemia e COVID-19 ka kolapsuar edhe sistemet më perfektë të shëndetësisë, siç ishte rasti i Lombardisë. “Ne mbështesim të gjitha masat e ndërmarra, mjekët po punojnë me përkushtim. Gjithçka është në gatishmëri. A do ta përballojmë ne këtë situatë? Këtë nuk di ta them, pasi COVID -19 ka dështuar edhe sisteme perfektë të shëndetësisë, ose siç i quajmë ne ndryshe “GOLD”, si rasti i Lombardisë. Ky është një rast për të mësuar nga gabimet e të tjerëve”, thotë Brahimaj, për Portën Vendore.

Florian Toti, mjek endokrinolog në QSUT sqaron po ashtu se masat e marra janë të duhurat, por nuk mund ta dimë ende se si do e përballojmë, por sipas tij masat për mbylljen e kufijve duhet të ishin marrë më parë. “Me kaq raste sa kemi deri tani jemi veçse në fillim, do të shohim në ditë në vijim se cila do të jetë kurba. Megjithatë nëse kufijtë do ishin mbyllur më parë, ndoshta gjërat do të ishin më ndryshe. Por unë shpresoj që virusi të mos jetë aq i fortë sa është në Itali, dhe së dyti me ngrohjen e temperaturave kemi edhe më shumë shpresë se virusi nuk mbijeton, pasi e tillë është përbërja e tij”, shpjegon doktor Toti.

Por mjeku Gazmend Koduzi, i cili është njëkohësisht edhe nën/drejtues i departamentit të shëndetit pranë PD, është më i ashpër kur flet për situatën e krijuar nga COVID -19. “U veprua me vonesë. Sapo në Itali u zbuluan rastet e para, duhet të ishin anuluar fluturimet dhe më pas tragetet. Të mbaheshin shënim të gjithë ata që vinin nga Italia, pas shpërthimit të epidemisë, në mënyrë që të ishte e lehtë të gjurmoheshin, pasi të gjithë janë një potencial për të qenë bartës”, sqaron Koduzi.

Sipas tij qeveria shqiptare është e paqartë edhe për mënyrën se si do ta mbajë nën kontroll këtë situatë. “Vetëm të hënën qeveria nxori një vendim sipas të cilit ish-konvaleshenca do të kthehet në karantinë. Jemi shumë vonë, pasi aty duhen punime, duke qenë se ai është hotel. Po ashtu të enjten qeveria ka hapur një tender me një listë të gjatë me mjetet mbrojtëse nga shpërndarja e virusit. Sërish jemi shumë vonë, pasi tashmë janë bllokuar eksportet e kësaj kategorie mjetesh mbrojtëse, për shkak se thuajse të gjitha vendet janë në këtë emergjencë dhe i duan për veten e tyre”, sqaron ai.

Koduzi shprehet i ashpër ku parashikon që duke i sjellë të gjitha rastet në kryeqytet, Tirana do të tejmbushet. “Urgjenca ka kaluar në kolaps që tani, ndërkohë që më e keqja pritet të vijë. Nuk duhet të shkojnë në urgjencë, por kontakti i parë duhet të jetë mjeku i familjes, kurse këta e kanë përjashtuar mjekun e familjes. Ndaj duhet një racionalizim i burimeve njerëzore, që çdo kush ta marrë shërbimin sa më pranë qendrës së banimit. ndërkohë që në të gjithë vendin janë vetëm 130 aspiratorë, të cilët nuk është se janë të lirë, por aktualisht janë të zënë me pacientë me probleme të ndryshme. Po ashtu tek infektivi janë vetëm 4 bokse të plota reanimimi për këtë situatë. Nuk e di se sa gati mund të jemi në këto kushte për të përballuar këtë gjendje”, thotë ai.

Ndërsa Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me dy mjekë familje të sistemit parësor në qendrën shëndetësore nr. 9 për të kuptuar se si po shkon situata, pasi ata nuk kanë as pajisjet e nevojshme në një moment kur vjen një pacient i cili mund të ketë shenja të gripit por ndërkohë mund të jetë një i dyshuar me koronavirus. “Kemi pasur disa raste sporadike që kanë ardhur këto ditë me grip e viroza, por mendojmë që njerëzit po ndërgjegjësohen në këtë situatë megjithëse është shumë e vështirë për të gjithë ne bluzat e bardha që të jemi 100% të mbrojtur për aq kohë sa jemi në kontakt me pacientin”, thanë dy mjeket.

E ardhmja e dyshimtë e ekonomisë

Aspak optimiste janë edhe parashikimet që lidhen me kostot financiare dhe ekonominë. Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, ndonëse thotë se është shumë shpejt për të bërë një bilanc, shprehet se kjo krizë ndoshta është edhe më e rëndë se ajo e vitit 2008.

“Jemi vetëm në fillim të një krize të re, që mendoj se është shumë më e rëndë se ajo e vitit 2008. Por është shpejt për të bërë bilance e folur për kosto. Ekonomia jonë ishte në kolaps që para tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa ky është ‘grushti’ i fundit. A do të ketë falimentime? Sigurisht që të gjithë ata biznese që nuk kanë pasur ‘dhjamë’, e kanë pak të vështirë të rezistojnë. Po ashtu qindra familje do të humbasin vendin e punës, varfëria do të shtohet”, parashikon Xhepa. Sipas tij, qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë me ndihma ndaj familjeve në nevojë. “Janë marrë disa vendime pozitive, siç është pezullimi i kredive për një afat tre mujor, dhe disa lehtësira për biznesin por nuk mjaftojnë. Duhet të jetë një operacion më delikat dhe që të mbështesë të gjithë. Së pari duhet të nisë urgjent me familjet që jetojnë në varfëri apo vetëm me ndihmë ekonomike duke i pajisur me ushqime falas për nevojat bazike, po ashtu edhe bizneset e punëdhënësit duhet të kenë lehtësi. Sigurisht që të gjitha këto do të thotë më pak para në buxhetin e shtetit, që sërish do i paguajmë ne, por e rëndësishme është të dalim nga kjo situatë”, thotë Xhepa për Portën Vendore.

Sipas duhet të nisë diskutimi për buxhetin e 2020 dhe Banka e Shqipërisë duhet të jetë më e angazhuar. Duhet të nisë sa më shpejt në nivel të gjerë diskutimi për rishikimin e buxhetit 2020, patjetër që qeveria duhet të hapë thesin për këtë situatë sepse ndryshe do zhytemi në kolaps. Po ashtu, Banka e Shqipërisë duhet të marrë pjesë në operacione të rëndësishme botërore financiare për të shitur borxhin, pasi tashmë shumë vende me ekonomi të konsoliduar kanë filluar ta bëjnë. Vetëm kështu mund ti frenojmë pak efektet e kësaj krize të rëndë që po na troket tek dera”, përfundon ai.

Ndërsa masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për mbylljen e përkohshme të bizneseve prodhuese i janë bindur thuajse të gjithë, pavarësisht dëmeve kolosale që sjellin për “xhepin” e kompanisë.

“Unë kam 500 punonjës në të gjithë Shqipërinë dhe kam qenë i detyruar që ti çoj në shtëpi, të paktën këto ditë deri në marrjen e një urdhri të dytë nga qeveria shqiptare. Ato aktualisht po trajtohen me 70% të pagës, por nëse kjo vazhdon gjatë do të më duhet ta ul pagesën. Sigurisht që kur të fillojë sërish puna do të marrim të gjitha masat e nevojshme për kushtet e sigurisë në punë dhe respektimin e perimetrit të hapësirës midis njëri-tjetrin, pasi këtu nuk bëhet më fjalë për biznesin, pavarësisht se dëmet financiare janë kolosale por për jetën e njerëzve”, tha një pronar kompania prodhuese, i cili preferoi të mbetej në kushtet e anonimatit.

Mësim on-line, a jemi në rrugën e duhur?!

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pohuar se mësimi në shkolla është planifikuar që të nisë më datë 23 mars. Shahini shprehet në rrjetet sociale se të gjitha godinat e shkollave po dezinfektohen të gjithë në mënyrë që fëmijët të kthehen pa frikë në bankat e tyre. Përsa u përket leksioneve, ministrja Shahini tha se mësimi do të vijë nga pika ku janë lënë në momentin e shkëputjes nga kontakti fizik me mësuesit. Ajo shtoi se leksione në televizion janë më tepër për të mos mbetur pas nxënësit, ndërkohë që të gjitha do të përsëriten kur të futen në shkolla.

Por çfarë po ndodh realisht në terren dhe si po menaxhohet e gjithë kjo situatë nga stafi pedagogjik? Porta Vendore pyeti një mësuese që i jep mësim klasën e tretë fillore, në një fshat të qytetit të Durrësit .

“ Ne kemi dorëzuar ditarët e mësimeve përkatëse si zakonisht tek titullari i shkollës ku punojmë. Gjithashtu çdo ditë bëjmë mësim duke i çuar në audio shpjegimet, ushtrimet e detyruar në një grup që kemi krijuar për klasën në ëhatsapp. Në këtë grup çdo pasdreke nxënësit sjellin edhe detyrat përkatëse të lëndëve dhe ne i korrigjojmë. Por ama duhet ta pranoj që rreth gjysma e klasës nuk është në këtë grup online të krijuar pasi shumica nuk kanë akses në telefon ose internet në shtëpi”, tha mësuesja për Portën Vendore.

Majlinda Keta, eksperte e arsimit, njëkohësisht edhe pedagoge në universitetin e Tiranës, mësimin on-line e shikon si zgjidhje të mirë në këtë situatë, por ajo ka sugjerimet e veta.

“Së pari duhet ndjekur praktika e vitit 1997, ku ne regjistruam një cikël të gjatë emisionesh pikërisht për mësim nga shtëpia. Sigurisht që midis tyre ka tema që mund të përzgjidhen dhe të transmetohen në një nga kanalet e TVSH-së që të mbërrijë në çdo shtëpi, siç edhe po ndodh, por patjetër duhen edhe të regjistrohen emisione të reja, pasi kurrikulat kanë ndryshuar. Pastaj ky mësimi on-line, që klasa ime e bën dhe klasa jote nuk e bën, sigurisht që është më mirë se asgjë, por mua nuk më pëlqen. Si ia bën ta zëmë një fëmijë në Kelmend për ta bërë një orë mësimi të tillë? Kjo metodë u kujton edhe njëherë pabarazinë deri në palcë edhe në këtë situatë, ndaj gjëra të tilla duhet të marrin fund”, shpjegon ajo.

Sipas Ketës, Autoritei i Medias Audiovizive, në këtë situatë, duhet të ndërhyjë edhe pranë televizioneve kombëtare, në mënyrë që ata të kenë më shumë emisione dhe programacione për fëmijët. “Në këtë situatë nuk janë të rëndësishme vetëm mësimet, por edhe gjithë situata psiko-emocionale, ndaj TV duhet të kenë më shumë programe për fëmijë. Ndoshta edhe ata të regjistruara ndër vite mund të ritransmetohen, por edhe të krijohen hapësira të reja duke u përshtatur me situatën aktuale. Ta zëmë vetë fëmijët apo familjet mund të dërgojnë video se si po e kalojnë këtë situatë, mund të ketë një kënd ‘Përralla e Gjyshes’, ‘Gatimet në kushte shtëpie’, etj, ka plot mënyra se si mund t’i ndihmojmë fëmijët”, sqaron Majlinda Keta për Portën Vendore.

Ajo sugjeron që Ministria e Arsimit të heqë dorë nga deklaratat politike dhe të jetë më tepër një bashkëpunëtore. “Ministria e Arsimit deklaroi në rubrikën e re që ka hapur, se shkollat do të rifillojnë më 23 mars. Unë sugjeroj se duhet bërë kujdes me deklarata të tilla pasi askush nuk e di se si do të jetë ecuria. Po ashtu Ministrja e Arsimit duhet të heqë dorë nga VKM-të e deklaratat politike, pasi duket sikur ajo zotëron gjithçka e ne nuk dimë asgjë. Në këtë situatë duhet që të jemi pranë njëri-tjetrit dhe ta kalojmë të gjithë sa më lehtë”, përfundon ekspertja e arsimit.

Psikologët: Larg Panikut

Kur bëhet fjalë për diçka që nuk e njohim qenia njerëzore gjithnjë është e predispozuar të ketë frikë e pse jo kjo frikë të kalojë deri në panik. Studimet e fundit lidhur me këtë virus sugjerojnë që të qëndrohet larg panikut pasi ai mund të dobësojë sistemin tonë imunitar e t’i hapë rrugë virusit shkatërrimtar.

Por megjithatë njerëzit ndahen në kampe kur bëhet fjalë për situata të tilla, ndaj psikologja Jeta Toçila Dedja sugjeron që në situata të tilla t’u besohet burimeve më të sigurta e shkencore siç është Organizata Botërore e Shëndetit.

 “Problemi është se për gjithçka ka gjykime e vlerësime të ndryshme. Ka një palë që e nënvlerëson rrezikun dhe një palë tjetër që përpiqet të ruajë racionalitetin, ashtu siç janë edhe ata të mesit të fushës që duan të ruajnë balancat. Këta të fundit përfaqësohen nga profesionistët dhe teknicienët. Di të them se ka shfaqje ankthi dhe frike, e shprehur kjo në sferën publike dhe atë private të llogarive virtuale. Njerëzit po tërheqin njeri-tjetrin në një vorbull stresi dhe paniku që asnjë të mirë nuk sjell nga ana psikologjike. Duke qenë se jemi qenie sociale në ndërveprim të vazhdueshëm, ne ndikojmë këdo që na rrethon me veprimet dhe mendimet tona”, sqaron psikologja për Portën Vendore.

Teksa priten që në ditët në vazhdim rastet të shtohen dhe masat e marra nga qeveria shqiptare të ashpërsohen, psikologja Jeta Toçila Dedja këshillon se:

“Në këto kushte këshillohet të ushtrohet vetëkontroll i mendimeve negative dhe katastrofike. Askujt nuk i pëlqen që bota në të cilën bën pjesë të përmbyset edhe në aspektin metaforik të saj. Prandaj le të mos e përmbysim atë por ta “shpëtojmë” këtë radhë të paktën përmes mosveprimeve. Le të shërbejë ky virus si një kambanë për të tundur e shkundur vlerat e prioritet në jetën tonë”, përfundoi ajo.

Koronavirus, “Tërmeti i dytë” për turizmin

Teksa nuk janë mbushur ende 4 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë e teksa shpresat për të pasur një sezon turistik normal në një pjesë të qyteteve kryesore të vendit po ndizej pak nga pak, ardhja e konavirusit duket se po i vendos vulën e vështirësive sezonit turistik veror.

Porta Vendore gjithashtu kontaktoi me Flora Xhemanin, eksperte prej 20 vitesh e turizmit shqiptar dhe drejtuese e revistës Travel.

“Nëse ekonomia e vendit kishte marrë një goditje të fortë, turizmi shpresonte t’i rikuperonte humbjet me sezonin veror, sepse kur ndodhi tërmeti, fatmirësisht për shumëçka, ishim jashtë sezonit. Tani asnjë ekspert ekonomie nuk është në gjendje të flasë me shifra të sakta për humbjet por të gjithë bien dakord që do jenë të pallogaritshme edhe me pak muaj epidemi. Nëse situata zgjatet, humbjet do të jenë fatale”, tha Xhemani.

Shoqatat e biznesit turistik po kërkojnë mbështetje nga shteti për lehtësira fiskale dhe subvencioneve të pjesshme sepse aktualisht gjithçka është ndërprerë dhe situata e likuiditetit është kritike kudo.

“Është shumë e vështirë të parashikosh nëse do të ketë sezon turistik sivjet. Në përgjithësi ne përpiqemi t’i shikojmë situatat e vështira me optimizëm por që të jem e sinqertë, këtë herë e shoh të zymtë. Dhe për fat të keq zgjidhja kësaj radhe nuk është as në dorën tonë”, tha Ekspertja e turizmit Flora Xhemani, për Portën Vendore.

Sipas Xhemanit janë anuluar udhëtimet për një periudhë të konsiderueshme kohore, pasi turistët e vendeve të tjera të prekura ose jo nga covid 19 janë tashmë të frikësuar.

 “Deri në qershor të paktën janë anuluar të gjitha dhe janë lënë pezull ato të pas qershorit. Gjithçka besoj do të varet nga ecuria e situatës por tani që u shpall pandemi botërore, kam frikë se na pret një ‘dimër’ i gjatë durimi dhe vështirësish, përpara se të shohim sërish ‘verë’ekonomike”, përfundon Xhemani.

Në fakt ekspertët e të gjithë fushave shprehen të kursyer dhe me rezerva në këtë situatë, ku kemi vetëm pak ditë që kemi hyrë dhe gjithçka varet nga sa ajo do të zgjasë në vendin tonë. Koronavirus nuk ka paralizuar vetëm lëvizjen e lirë të personave, automjeteve etj por i ka dhënë një grusht të fortë ekonomisë, rezultatet e të cilës do të afektojnë jetën e çdo qytetari shqiptar dhe biznesi gjithashtu.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.