Ngjarje/Personazhe

Gjirokastra lë në harresë PAK, rregullat për akses vetëm në letër

28 qershor 2021/Ervina Shehaj/Porta Vendore/Gjirokastër

Aksesimi i personave me aftësi të kufizuar në Gjirokastër mbetet një problem madhor, megjithëse nga viti në vit janë miratuar konventa, ligje dhe VKM. Pavarësisht miratimit në letër, zbatimi në praktikë mbetet ende i largët, ndërsa diskriminimi ndaj PAK vihet re në çdo rrugë apo institucion të bashkisë së qytetit të gurtë. 

Ligje dhe konventa

Ekzistojnë një sërë ligjesh dhe konventash që detyrojnë institucionet shtetërore qofshin këto të nivelit qendror, por edhe vendor, që të tregojnë kujdes në respektimin e të drejtave për kategorinë e PAK, madje në renditje kronologjike ato janë të miratuara vit pas viti, për një plan veprimi të denjë lidhur me përmirësimin e jetës së këtyre personave, në një sërë drejtimesh jetike.

Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2016-2020, i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 483, datë 29 qershor 2016 e përcakton qartë definicionin e aksesueshmërisë, në çdo sektor të jetës.

Ndërsa një tjetër çështje që ngrihet me shqetësim për këtë kategori është edhe nxitja e punësimit, pasi ata hasin shumë probleme në tregun e punës, pavarësisht se ligji ekziston ai jo gjithnjë zbatohet. “Ligji për nxitjen e punësimit parashikon kuota punësimi për personat me aftësi të kufizuara për punëdhënësit e sektorit privat dhe publik. Çdo kompani apo institucion publik me më shumë se 24 punonjës, duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuara për çdo 25 punonjës. Megjithatë, penalitetet në fuqi për punëdhënësit që nuk përmbushin këto kuota nuk zbatohen. Vërehet se edhe në institucionet shtetërore numri i të punësuarve me aftësi të kufizuar është i vogël”, thuhet në Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2016-2020.

Ligji nr. 139/2015 për qeverisjen vendore në nenin 24 përcakton qartë funksionin e bashkive në këtë drejtim, duke thënë se: “Funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve: 1. Krijimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara, etj”.

Por edhe ligji nr. 93/2014 për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara përcakton një sërë nenesh mbi respektimin e të drejtave që duhet të gëzojë kjo kategori. Neni 4 i këtij ligji flet për garantimin e aksesueshmërisë nëpërmjet mënjanimit të pengesave të të gjitha llojeve; Neni 6 e vë theksin tek jetesa e pavarur.

“Jetesa e pavarur mundësohet nëpërmjet shërbimeve të ndryshme që synojnë të ofrojnë mbështetje në kapërcimin e barrierave. Në këto shërbime përfshihen: asistenca personale, pajisjet e mjetet teknike mbështetëse, shërbimet e aksesueshmërisë, përfshirë transportin, përshtatja e arsyeshme dhe, atëherë kur është e nevojshme, vendimmarrja e mbështetur”, thuhet në ligj, duke u ndalur gjithashtu në nenin 11, tek financimi i aksesueshmërisë nga buxheti i shtetit.

“Nevojat për asistencë dhe mbështetje mbështeten nga Buxheti i Shtetit. Planifikimi i fondeve të nevojshme për këtë qëllim është kompetencë e ministrisë përgjegjëse në koordinim me ministritë e linjës për 6 çështjet e aftësisë së kufizuar dhe bazohet në udhëzime të marra nga Këshilli Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar. Institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, marrin gradualisht masat për sigurimin e fondeve të nevojshme për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike”, thuhet në nenin 11 të këtij ligji.

Gjirokastra lë në harresë PAK

Por, si përkthehen të gjitha këto ligje dhe konventa në jetën reale të personave me aftësi të kufizuar në Gjirokastër? Vjollca Koko, drejtuese e shoqatës “Para dhe Tetraplegjikë” në Gjirokastër , tregon sfidat me të cilat përballen çdo ditë.

Sipas saj, personat me aftësi të kufizuara në bashkinë e Gjirokastrës e kanë të paaksesueshme lëvizjen në rrugët dhe sheshet e qytetit. Kjo për shkak të hapësirave të pakta dedikuar këtyre të fundit. Në të shumtën e rasteve, në vendet e posaçme për qëndrimin e kësaj kategorie të qytetarëve. parkohen automjete të ndryshme duke mos iu lënë hapësirë pavarësisht sinjalistikës orientuese. Ndërsa policia bashkiake, e cila ka autoritetin dhe përgjegjësin për të mbikëqyrur këto të fundit nuk reagon.

Nga ana tjetër qytetarët e Gjirokastrës e dënojnë këtë akt duke e cilësuar papërgjegjshmëri të institucioneve përkatëse, por edhe mos ndërgjegjësim të shoferëve.

Ndërsa bashkia e Gjirokastrës i ka penalizuar këtë kategori qytetarësh duke i lënë jashtë buxhetit si në 2020, por edhe në 2021.

“Një nga të drejtat themelore që është për personat me aftësi të kufizua,r lëvizja e lirë, në Bashkinë Gjirokastër është e pamundur. Ratifikimi i Konventës nga shteti shqiptar në dhjetor të vitit 2012 ishte një shpresë e madhe për personat me aftësi të kufizuar, për të gjitha të drejtat por më së shumti për lëvizjen e lirë. Ne kemi një rregullore që është që në vitin 2008 që jep të gjitha standardet se si duhet të ndërtohet një rrugë, një institucion, etj. Në vitin 2014 është ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, dhe ky është kusht për marrjen e lejes së ndërtimit por është kusht edhe për certifikimin. Brenda ligjit për vetëqeverisjen vendore, është mision aksesi për personat me aftësi të kufizuar. Ne kemi edhe ligjin për aksesueshmërinë në vitin 2014, ku në thelb edhe ky ligj ka lëvizjen e lirë. Ligji i vitit 2015 detyron të gjitha bashkitë që të marri masat për të eliminuar barrierat. Ne jemi shoqatë rajonale, por situata siç është në Gjirokastër është edhe nëpër bashkitë e tjera, jetojmë me barriera”, thotë ajo.

Në vitin 2020 ka kaluar një plan tjetër lokal, ku përveç shërbimeve ka edhe aksesin për këtë kategori. Për ne është shpresë planifikimi i planeve sociale, por na vjen keq që ne nuk jemi pjesë as në buxhetin e vitit 2020 dhe as në buxhetin e vitit 2021. Ne ndjejmë mungesën e organizmave lokal që do të monitoronin zbatimin e këtyre ligjeve”, shprehet ajo e përlotur.

Ndërtesat e institucioneve publike, që ndodhen në Bashkinë Gjirokastër, nuk kanë elementet bazë, si thjesht një rampë. Ndërsa trotuaret janë të ngushtë duke mundësuar kalimin e vetëm një apo dy personave por jo të një individi me karrige me rrota.

Sipas VKM nr. 1503, dt. 19/11/2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” parashikon se trotuaret duhen të jenë të gjerë jo më pak se 1.2 m duke mos përfshirë pemë, tabela etj.

“Disa përshtatje që janë bërë, janë bërë vetëm duke punuar ne. Falë nesh u bë shëtitorja, u përshtat rruga “Çerçiz Topulli”, ndërsa “Eqerem Çabej” u bë pa standard”, thotë Vjolla, duke u ndalur edhe tek parkimet, një tjetër çështje në morinë e problemeve, me të cilat haset çdo ditë kjo kategori. “Është rregullorja, i ka të gjitha standardet, edhe për vend parkimet, edhe për numrin e tyre, por këto nuk respektohen. Ne e quajmë arritje se nga 1 parkim u bënë 7, por edhe ato nuk respektohen. Ne duam një mbështetje të gjerë sepse jemi pjesë e këtij komuniteti, jemi taksapagues”, shprehet ajo për Portën Vendore.

Transporti publik gjithashtu nuk u jep mundësi për të lëvizur, pasi ato nuk kanë rampë në hyrje apo hapësirë të dedikuar për qëndrimin e personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, transporti publik nuk ofron itinerare me zë apo me tabela të mirë përcaktuar për personat me aftësi të kufizuar në shikim dhe dëgjim.

Në bazë të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, doli VKM nr.1074, dt. 23/12/2015 “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara”.

“Punësimi sërish është problem, megjithëse ne kemi bashkëpunuar me zyrat e punës. Kemi pasur disa raste sporadike të punësuarish nga PAK. Është shumë e vështirë që të integrohesh. Ne duam një vullnet më të mirë për angazhimin tonë, pasi duam të dalim nga shtëpia, duam të shkojmë në punë, duam të kemi akses në rrugë, në institucione”, shprehet Kryetarja e Shoqatës “Para dhe Tetraplegjikë” në Gjirokastër.

Për këtë çështje, Porta Vendore kërkoi informacion dhe pranë Bashkisë Gjirokastër, e cila dha një informacion me përgjigje të shkurtra dhe pa shumë detaje.

 “Aktualisht bashkia dhe institucionet në varësi nuk janë të pajisura me rampa”, shprehet shkurtimisht Bashkia Gjirokastër në përgjigjen e saj për aksesin e PAK në institucionet vendore. Ndërsa përsa i përket rrugëve ku kjo kategori mund të gjejë akses në qytete dhe që janë të pajisura me rampa, ky institucion rendit 5 zona të tilla, përkatësisht: Bulevardi “18 Shtatori”, Rruga nacionale Gjirokastër, Rruga e Viroit, Postblloku, Pazari i Vjetër. “Të gjithë rrugët e rikonstruktuara së fundi janë të pajisura me rampa”, shton ajo, duke mos dhënë detaje se për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë dhe për cilat rrugë.

Bashkia Gjirokastër ka folur gjithashtu për transportin urban, ku ka pranuar se autobusët nuk disponojnë rampa. “Transporti urban është i pajisur me vendet e caktuara për PAK, të moshuarit dhe gratë shtatzëna, nga informacioni i grumbulluar nuk disponojnë rampa”, deklaron shkurtimisht bashkia.

Megjithatë, nga ajo që vihet re në rrugët dhe institucionet e Gjirokastrës, por dhe ajo që është konstatuar nga vetë ekspertët, qyteti i gurtë është shumë larg realizimit të aksesit për Personat me Aftësi të Kufizuar.