Ndodhi

Pavarësisht premtimit, Bashkia e Urës Vajgurore nuk ka fonde për një treg të ri fruta-perimesh.

29 qershor 2018/ Erjola Azizolli/Porta Vendore/ Ura Vajgurore

Produktet e qumështit, që nga djathi, gjalpi, peshku, fruta-perimet dhe çdo ushqim tjetër që përmban shporta familjare, tregtohen në rrugë në Bashkinë e Urës Vajgurore, në Qarkun e Beratit. Çdo të premte sheshi pranë bashkisë shndërrohet në një treg ku mund të blesh  çdo gjë. Në të dy krahët e rrugës, tregtarët ambulantë kanë vendosur çadra e tenda për të përshtatur një treg, që në fakt vetëm emrin ka të tillë. Pavarësisht premtimeve 25 vjeçare përfshirë këtu edhe kryetaren aktuale të Bashkisë Ura Vajgurore, Juliana  Memaj, ndërtimi i një tregu të ri, është lënë si një premtim i pambajtur dhe në harresë, nga pushteti vendor.

Rruga totalisht e shkatërruar, është mbushur me gropa me ujë që kanë nisur t’ia lënë vendin pluhurit. Për shkak se çmimet e produkteve këtu ofrohen më lirë e ka më shumë tregtar, ky treg shërben për plotë 3 900 banorët e qytezës.
Jashtë çdo kushti; mbi arka, banak të improvizuar, fuçi dhe çdo mjeti rrethanor, këtu gjen të shiten produktet e qumështi, djathit, gjalpit, gjizës, etj, por dhe peshk si dhe produkte të tjera deti.

Shitësit ambulantë teksa shesin në sheshin përpara bashkisë. Foto: Erjola Azizolli

Por, konsumatorët janë të parët që përballen me këtë problem të madh, ku për shkak se çdo
gjë shitet në tokë, mes pluhurit, baltës, është vështirë të flasësh për siguri ushqimore.
Bahir Nito, është pensionit në Urën Vajgurore dhe për shkak të kohës së tij të lirë, në familje është ai që kujdeset për blerjen e produkteve ushqimore. Çdo të premte ai blen fruta-perime dhe produkte të tjera, në tregun e hapur që ndodhet shumë pranë banesës së tij.
“Në treg blejë ushqimet e përditshme, fruta-perimet, shiten me çmime edhe më të lira se ato të dyqaneve. Ka prodhime që vijnë direkt nga fermerët dhe prandaj ne detyrohemi që ti blejmë këtu dhe pse tregu nuk është në gjendje të mirë”, tregon ai. “Tani që po rriten temperaturat merak kemi që ti blejmë në treg prodhimet e peshkut, apo ato të qumështit, por këto janë kushtet”, përfundon zoti Nito, me shpresën se një ditë bashkia do ta mbajë fjalën dhe do të ndërtojë një treg të ri, ashtu si dhe ka premtuar.

Qytetarët të cilët blejnë në këtë treg jashtë çdo kushti hijeno-sanitar. Foto: Erjola Azizolli

“Kemi më shumë se 20 vite që tregtojmë, kështu në mes të rrugës, pasi Bashkia e Urës Vajgurore, nuk ka siguruar ndonjë vend më të përshtatshëm, thonë tregtarët për “Porta Vendore” si të zënë në faj. “Paguajmë nga 50 deri në 200 lekë të vjetra, sipas sipërfaqes së zënë në këtë vend, pasi nuk kemi se ku të punojmë tjetër”, thotë Nuriu, një nga tregtarët më të vjetër të tregut.

Në tregun e Urës Vajgurore mund të gjesh gjithçka. Foto: Erjola Azizolli

Gjëja e gjallë, frutat, perimet, ushqimet, veshjet dhe çdo gjë tjetër i gjen lehtësisht nëpër trotuare, madje dhe në murin rrethues të vetë godinës së bashkisë.
Burime zyrtare të këtij institucioni bëjnë me dije se ende nuk janë gjetur fondet që bashkia të ndërtojë një treg diku tjetër, por Bashkia sigurohet që specialistët pranë këtij institucioni të kontrollojnë cilësinë e produkteve që shiten, duke kryer herë pas here kontrolle.
Mungesa e tregut ushqimor dhe fruta perimeve, është një nga sfidat e bashkisë së këtij qyteti për më tepër se 25 vite, ku ndonëse është premtuar shumë, nuk është bërë ende asgjë për këtë problem.

Tezgat kanë pushtuar edhe oborrin e bashkisë së Urës Vajgurore. Foto: Erjola Azizolli

AKU: Tregjet e hapura problemi jonë i madh

Burime pranë ARK-së në Berat bëjnë me dije se tregjet e hapura vazhdojnë të jenë një shqetësim dhe për këtë institucion.
“Tregjet e hapura janë problematike përsa i përket garantimit të sigurisë dhe cilësinë ushqimore, por në ligjin e ushqimit ne nuk kemi kompetencë ligjore për të kryer inspektime në këto tregje, pasi janë në kompetencat e pushtetit vendor. Por, gjithsesi nisur nga problematikat e mëdha që konsumimi i këtyre produkteve shkakton tek konsumatorët ne nuk kemi qëndruar në ‘hije’, pasi kemi zhvilluar disa aksione në disa prej këtyre tregjeve si në tregun e Kuçovës dhe Poshnjes”, bëri me dije për “Porta vendore” Ardit Kanaçi, drejtor i AKU-së në Berat.
Gjatë këtyre kontrolleve të 2018-ës, AKU ka gjetur shkelje në kushtet e flagrancës, ku specialistët kanë bërë konfiskim produkti dhe vendosje gjobe për mungesën e kushteve higjieno-sanitare. Gjobat që janë vendosur variojnë nga 3 deri në 5 milionë lekë (të vjetra.)

Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.