28 shkurt 2021/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Kurbin
Rrugët dytësore lidhëse kanë futur në ngërç projektin për autostradën Fushë-Milot-Kurbin. Banorët e fshatrave deklarojnë se projekt i ARRSH bie përmes tokave të tyre dhe dëmshpërblimi nuk u jep zgjidhje. Madje, ata nuk janë pyetur për këtë projekt, i cili tashmë ka ngecur për shkak të rezistencës së tyre.
Puna në bujqësi dhe blegtori është burimi i vetëm i jetesës për Paulin Gjetën në fshatin Prozhem në Fushë-Milot të Kurbinit. Një pjesë të konsiderueshme të tokës bujqësore e humbi nga ndërtimi i autostradës Milot-Mamurras dhe aktualisht ka në zotërim rreth tre dynym tokë, të cilën e kultivon në vazhdimësi.
“Me punën në bujqësi dhe blegtori e sigurojmë jetesën, pavarësisht se një pjesë të mirë të tokës e humba nga ndërtimi i autostradës Milot-Mamurras. Jam kompensuar nga shteti, por s’ka aspak vlerë para tokës. Tani me kanë ngelur dhe tre dynym tokë dhe i kultivoj në vazhdimësi sepse mbaj dhe bagëti. Me këtë punë jetojmë se s’kemi burim tjetër të ardhurash”, thotë Paulin Gjeta për Portën Vendore.
Mirëpo Paulini rrezikon të humbasë sërish tokë bujqësore nga ndërtimi i rrugëve dytësore, pas mbylljeve që do iu bëhet hyrje-daljeve të autostradës Milot-Mamurras. Projekti i hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe që ka nisur të zbatohet, kalon përmes pronës së tij. Ai nuk është dakord me këtë projekt dhe së bashku me banorë të tjerë të fshatit aktualisht i kanë bllokuar punimet.
“Aktualisht më kanë ngelur tre dynym tokë bujqësore, por dhe atë duan të ma marrin. Sipas projektit që ka bërë Autoriteti Rrugor Shqiptar rruga i takon të bjerë përmes pronës time. Për këtë ne si banorë nuk jemi pyetur fare dhe unë nuk jam fare dakord me këtë projekt. Na kanë thënë se do na kompensojnë, por për mua nuk kanë aspak vlerë ato para. Unë e kam të siguruar jetesën me bujqësi dhe si të humbas dhe atë tokë që më ka ngelur, unë vetëm të largohem plotësisht nga fshati dhe të na mbajë me bukë kryeministri”, shprehet i revoltuar Paulini.

Problematikë të ngjashme paraqesin dhe banorë të tjerë të fshatit Prozhem në Kurbin, i cili ndodhet në anën perëndimore të autostradës Milot-Mamurras, pasi rruga dytësore iu bie përmes pronave të tyre. Banorët nuk i kanë lejuar makineritë e firmës që të vazhdojnë projektin dhe aktualisht janë bllokuar punimet, në pjesën e segmentit rrugor që kalon në këtë fshat i cili ka një gjatësi prej 200 metrash. Ato që preken nga kjo problematik thonë se pavarësisht ankesave, kërkesat e tyre nuk po merren në konsideratë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“Këtu është zonë bujqësore dhe po e humbasim të gjithë tokën me këtë projekt që kanë bërë këta për rrugët dytësore. Më mirë të na shpërngulin nga këtu se nuk kemi çfarë bëjmë më. Është mundësia që rrugët dytësore të bëhen mbi gjurmët e atyre ekzistuese dhe jo të na dëmtohet toka bujqësore me të cilën ne jetojmë. Jemi të vendosur që mos t’i lejojmë në vijimin e punimeve nëse nuk do ndryshohet projekti ashtu siç ne kemi kërkuar. Nuk është aspak normale që ta na cenojnë pronën derisa është mundësia që të bëhen rrugët mbi gjurmët e atyre ekzistuese”, thotë Mrika Gjini banore e zonës.
Banorët e fshatit Prozhem thonë se projekti i rrugëve dytësore nuk është konsultuar me ta siç e parashikon ligji, dhe se kërkesat e tyre nuk po merren aspak në konsideratë.
“Këtu po kërkohet të ndërtohen rrugët në mënyrë të dhunshme, duke na prekur tokën bujqësore pa u bërë asnjë konsultim me ne. Kjo mënyrë së vepruari është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe ne jemi të vendosur që mos ta lejojmë diçka të tillë. Nuk na duhen aspak lekët e kompensimit në një kohë që na dëmtohet toka bujqësore me të cilën ne jetojmë. Rrugët dytësore duhet të bëhen mbi gjurmët e atyre ekzistuese dhe këtë ia kemi kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar, por kërkesat tona nuk po merren parasysh. Kemi shkuar të paktën tre herë jemi ankuar dhe kemi bërë dhe peticion që të ndryshohet projekti, por nuk është pranuar diçka e tillë. Projekti që ka bërë ARRSH dhe ka nisur të zbatohet e ndan mes përmes tokën bujqësore dhe kjo është një dëm shumë i madh për ne, duke qenë se jetojmë me bujqësi”, thotë Elton Laska një tjetër banor i zonës, i cili preket drejtpërdrejti nga projekti.
Në lidhje me këtë çështje Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se rrugët dytësore dhe të brendshme në zonën e Kurbinit, po bëhen me qëllim krijimin e aksesit të banorëve që u mbyllet dalja direkt që kishin në rrugën nacionale.
“Rrugët dytësore dhe të brendshme janë hartuar me qëllim krijimin e aksesit të banesave të atyre banorëve që u mbyllej dalja direkt që kishin në rrugën nacionale, për shkak të ndërtimit të nyjës në disnivel të Milotit dhe bllokimit me guardrail të ҫdo interferimi direkt me të. Kështu ҫdo rrugë që interferonte me nyjën u kanalizua në drejtim të kundërt nga rrugë të brendshme në rrugë sekondare, duke siguruar më pas akses në autostradë nëpërmjet dy mbikalimeve ekzistuese atë të Patokut dhe të Gurzës. Ndërtimi i rrugëve të brendshme ka ndjekur në pjesën më të madhe ato ekzistuese të degraduara dhe nivel çakulli (apo dheu) duke i zgjeruar ato. Kjo është bërë për arsye thjesht ekonomike me qëllim evitimin sa më shumë të kostos së shpronësimeve, ndërkohë që aty ku rruga kalon mbi tokën e banorëve normalisht që do të shpronësohen të gjithë ata që kanë dokumentacionin përkatës”, bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas ARRSH, në lidhje me këtë projekt është realizuar një takim konsultues në Bashkinë e Kurbinit në mars të vitit 2018-të, por pranohet fakti se nuk ka pasur përfaqësi të banorëve që preken nga projekti.
“Në lidhje me konsultimin me publikun me datën 5 mars 2018 është bërë takimi në Bashkinë Kurbin me përfaqësuesit e kësaj bashkie, ku prezent ishin Kryetari i Bashkisë Kurbin Z. Artur Bardhi, përfaqësuesit e ARRSH- së, si dhe përfaqësuesit e firmës projektuese”, thotë ARRSH për Portën Vendore.
Në total janë parashikuar të ndërtohen nga fillimi dhe asfaltohen 12 km rrugë dytësore në zonat e banuara në të dyja anët e autostradës Milot-Mamurras dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se 90% e këtyre rrugëve po bëhen mbi gjurmët e atyre ekzistuese. Deri tani janë realizuar mbi 80 % e punimeve dhe referuar të dhënave investimi duhet të kishte përfunduar, por shkak i vonesave janë bërë pretendimet e banorëve të cilët kundërshtojnë projektin duke kërkuar që mos t’iu preket prona e tyre. Ndërsa Porta Vendore mësoi se vlera e investimit shkon në 12 miliardë lekë me financim të Qeverisë Shqiptare.
Në total janë rreth 8 dylym tokë dhe preken 10 familja nga kjo problematike. Projekti po zbatohet nga ARRSH dhe bashkia thotë që ska lidhje me këtë çështje. Ndërkohë që në kohën kur janë bërë konsultimet, siç deklaron edhe ARRSH, kryetar bashkie ka qenë Artur Bardhi i cili nuk e drejton më këtë bashki që prej vitit 2019.