28 qershor 2021/Aldo Mustafa/Porta Vendore/Durrës
Porta Vendore kreu një vëzhgim në disa nga zonat më problematike sa i përket grumbullimit dhe pastrimit të mbetjeve urbane, ku evidentoi se përveç lagjes nr. 11, pranë qendrës së qytetit të Durrësit, kjo situatë është edhe më e rënduar në zonën e njohur si lagja “Spitallë” ose lagjja nr. 15. Situata kritike është gjithashtu në Shkozet, Nish-Tulla, Rrashbull de Fllakë. Situata paraqitet e vështirë edhe në zonat që janë të vizitueshme nga pushues të shumtë, si në Sektor-Rinia, i cili është destinacion për familjet, të cilat duan të frekuentojnë të vetmet plazhe publike, të cilat ende nuk janë betonizuar.
Edhe pse Bashkia Durrës përpiloi një relacion me 3 skenarë për menaxhimin e krizës së mbetjeve urbane në Durrës dhe dërgimin e tyre në landfillin e Sharrës, duket se situata ka kapur sërish pikën 0, ku Durrësit po derdhet nga qindra kontejnerë mbetjesh. Porta Vendore ka shkruar një sërë artikujsh mbi këtë problematikë, e cila nuk po gjen dot zgjidhje, kjo edhe për shkak të kushteve financiare në të cilat është bashkia e qytetit bregdetar.
Përballë kësaj situate, Bashkia ka përcaktuar një sërë venddepozitimesh të quajtura të përkohshme, si ai në lagjen nr.14, ose thënë ndryshe në qendrën e kafshëve të pastreha, apo në ish parkun e autobusëve në lagjen nr. 15, i cili është kthyer në një tjetër vatër të përkohshme të grumbullimit të ndotjes urbane, duke u shkaktuar jo pak ndotje dhe probleme te banorët që jetojnë aty pranë.
“Është një situatë e krijuar si rezultat i largimit të plehrave nga Porto Romano dhe na i ka sjellë këtu pranë shtëpisë, tek parku i autobusëve. Situatë shumë kaotike, ndaj shteti duhet të ndërhyrë se rrezikojmë ndonjë sëmundje infektive. Jemi shumë të shqetësuar mbi këtë situatë që nuk po i jepet do zgjidhje në Durrës”, tha një banor i kësaj lagjeje për Portën Vendore.
Loni një tjetër banor durrsak tha se kjo situatë po kthehet në tmerrin e banorëve, pasi është frekuente dhe ka muaj që nuk ndryshon, por veçse përsëritet.
“Kudo që të kalosh nëpër Durrës shikon plehra të hedhura në tokë dhe kazanë mbetjesh që po derdhen nga mbiderdhja, por pa u shqetësuar askush që të mund të ndërhyjë, t’i pastrojë etj. Le t’i çojë bashkia ku të dojë, unë si qytetar paguaj taksa dhe nuk dua të shoh gjëra të tilla. Na e kanë bërë qytetin si kosh mbeturinash, pa pikë sensi. Dikush duhet ta vendosë në vijë këtë masakër mjedisore”, tha ai.
Ajo çfarë është bërë shqetësuese në këto ditë të nxehta të këtij sezoni turistik, siç ndodhi edhe sezonin e shkuar, vazhdojnë të mbeten koshat e tejmbushur të mbeturinave, pamja e të cilave jo vetëm që dëmton imazhin e qytetit bregdetar të goditur nga tërmeti, por është kthyer edhe në një shqetësim permanent për qytetarët durrsakë, ku duket se nuk po i shpëtojnë dot pirgjeve të mbeturinave.
“Gjithë aromat, gjithë papastërtitë, të gjitha mikrobet janë shqetësuese. Jemi shumë të shqetësuar, pasi u bë kohë që e vuajmë këtë problematikë”, u shpreh Flora, pronarja e një biznesi pranë lagjes 14.
Pavarësisht se bashkia deklaron se në vend-grumbullimin e lagjes nr. 14, në qendrën e kafshëve të pastreha dhe rrjedhimisht dhe në vend-grumbullimin e lagjes nr. 15, mbetjet qëndrojnë më pak se 24 orë dhe më pas largohen, në fakt ndodh e kundërta, pasi këto vend-grumbullime të quajtura të përkohshme, grumbullojnë mbetje çdo 24 orë, që do të thotë se sa tërhiqen të parat, vijnë makinat dhe derdhin të tjera mbetje.
Në lidhje me këtë situatë të ndotjes urbane, pyetur se si po procedohet me menaxhimin e mbetjeve urbane të qytetit të Durrësit dhe Njësive Administrative, përfshirë këtu kostot aktuale që i shtohen Bashkisë Durrës për menaxhimin e situatës së mbetjeve urbane dhe rurale, Bashkia Durrës ka deklaruar se:
“Pastrimi i qytetit bëhet nga ndërmarrjet në varësi të Bashkisë N.SH.K. Durrës dhe Plazh. Për menaxhimin e mbetjeve të territorit që mbulon Ndërmarrja Komunale Plazh (Plazh, Shkozet, Rrashbull) ka në inventar 4 agregatë, 7 kamionë vetëshkarkues, 3 kamionçina dhe 2 fadroma në gjendje pune. Të gjithë këto mjete janë të ngarkuara për të bërë evadimin e mbetjeve urbane, përfshirë këtu dhe inerte, leshterikë, lëndë drusore etj. Këto mjete bëjnë nga 1 – 2 rrugë çdo ditë. Në sezonin turistik që fillon në muajin Maj, sasia e rrugëve që kryejnë mund të shtohet në varësi të mbetjeve deri në mbylljen e sezonit në fund të shtatorit. Fuqia punëtore që mbulon këtë shërbim është 120 punëtorë definitivë dhe 30 punëtorë shtesë gjatë sezonit”, thotë në përgjigjen zyrtare Bashkia Durrës, ndërsa ndalet gjithashtu edhe tek pjesa e periferisë së qytetit, ku konstatohet e njëjta problematikë sa i takon mbetjeve urbane që derdhen nga kontejnerët. Ndërsa kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të hënën e 28 qershorit, ka reaguar për gjendjen e krijuar nga plehrat e Durrësit, duke deklaruar se problemi i depozitimit të plehrave është drejt zgjidhjes.
“Sa i takon problematikës që kemi pasur gjatë këtyre ditëve me menaxhimin e mbetjeve në qytet, ne kemi marrë me anë të këshillit një vendim me datë 10 qershor, për miratimin e skenarit më të favorshëm për qytetin e Durrësit, i cili është depozitimi i mbetjeve në Sharrë, ku prej një viti i kemi depozituar pa detyrime kontraktuale dhe pagesa nga ana e institucionit. Në mes të muajit kemi bërë kërkesën drejtuar Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në mënyrë që të finalizohet kjo kërkesë e miratuar në këshill Bashkiak si dhe të financohet për 10 vite tarifa hyrëse për Bashkinë e Durrësit. Në pritje të këtij vendimi, ne nuk kemi pasur mundësi të depozitojmë më në landfillin e Sharrës dhe ndërkohë që po përpiqemi që të gjejmë zgjidhje të tjera teknike dhe ligjore në mënyrë që të bëjmë depozitimin për qytetin e Durrësit në landfille të miratuara. Kështu që deri në përfundimin kontraktual midis Bashkisë së Durrësit dhe landfillit të Sharrës, ne do të përdorim çdo mjet teknik dhe ligjor për të evaduar mbetjet nga qyteti. Këtë sqarim doja ta jepja për të gjithë. Kemi impenjim maksimal. Të gjitha ndërmarrjet e Bashkisë Durrës po punojnë me kapacitet maksimal në 24 orë si dhe institucionet e tjera në qytet po na japin mbështetje për të bërë evadimin edhe për të kaluar këtë ngërç, që shpresoj ka edhe impenjimin maksimal nga qeveria shqiptare për tu mbyllur sa më shpejt dhe shpresoj që do të zgjidhet brenda një afati kohor shumë të shkurtër”, deklaroi Kryetarja e Bashkisë Durrës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Por ndotja mjedisore e shkaktuar është akoma më e madhe, pasi në një pjesë të mirë të rasteve, banorët e zonës së Kënetës kanë zgjedhur t’i djegin mbeturinat në koshat e tejmbushur, duke rënduar edhe më shumë gjendjen e mjedisit në këto zona.
Një tjetër problematikë e kësaj ndotje lidhet dhe me imazhin e turizmit në zonat ku ka monumente kulturore apo zbulime arkeologjike, duke u servirur turistëve jo vetëm ndotjen mjedisore dhe erën e keqe të mbetjeve urbane, të cilat qëndrojnë pa u pastruar prej ditësh, por edhe keqmenaxhimin që u bëhet monumenteve me vlerë në qytetin e Durrësit.
Durrësit turistik po i bëhet një masakër e madhe mjedisore, teksa kërkon që nëpërmjet këtij sezoni të rikuperojë sadopak nga turizmi i munguar gjatë pandemisë.
“Pothuajse të rrënuar nga pandemia ku 10% e bizneseve u mbyllën vetëm vitin e fundit në harkun kohor 2020-2021, falimentuan 1000 biznese nga 10,000 të regjistruar, këto sipas të dhënave tonë. Kjo ishte përqindja më e lartë e parë ndonjëherë në 20 vitet e fundit përsa i përket turizmit”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, z. Alban Isteri.
Që prej mbylljes së vend-grumbullimit në Porto Romano me urdhër të kryeministrit, për të vazhduar më tej me ndërtimin e një Eco-Parku në po të njëjtën hapësirë të ndotur, Durrësi është duke u përballur me një vërshim mbetjesh urbane të kudogjendura.