Ngjarje/Personazhe

Të pastrehët e Devollit, peng i legalizimit të banesave

1 shkurt 2019/ Roland Beqiraj/ Porta Vendore/ Devoll

Informaliteti masiv i ndërtimeve në bashkinë e Bilishtit, përpos pronarëve të tyre “de facto”, po penalizon edhe familjet e pastreha, të cilat në një treg të paformalizuar ndër vite, e kanë të pamundur të sigurojnë një kontratë qiraje, pa të cilën nuk mund të bëhen përfitues të programeve sociale të bashkisë për strehimin.

Në kushtet kur numri i familjeve që plotësojnë kriteret për t’u klasifikuar si të pastreha po rritet vit pas viti, Bashkia e Devollit është në pamundësi për të financuar ndërtimin e banesave sociale, dhe e vetmja mënyrë për të zbutur fenomenin dhe trajtuar rastet më emergjente është bonusi i strehimit. Por mungesa e certifikatave të pronësisë për shumicën e banesavetë ndërtuara para vitit 1991 dhe të paregjistruara në hipotekë, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale të Devollit, e bën të pamundur lidhjen e kontratës së qirasë nga ana e përfituesve të bonusit të strehimit, duke mbajtur peng dhjetëra familje në nevojë ekstreme, për të pasur një çati mbi kokë.

Nga 55 familje të përzgjedhura nga këshilli bashkiak për vitin që lamë pasi përfitues të bonusit të strehimit, vetëm 25 prej tyre, kanë mundur të gjejnë një shtëpi me certifikatë pronësie, duke lidhur kontratë qiraje të rregullt, si kriter kryesor i përcaktuar nga ligji. Pjesa tjetër e familjeve duket do ta humbin bonusin e strehimit për vitin 2018, duke e djegur mundësinë e subvencionimit të gjysmës së vlerës së qirasë së shtëpisë nga bashkia.

Familjet e pastreha dhe shumica e qytetarëve të Devollit kanë një hall të përbashkët, formalizimin dhe legalizimin e shtëpive ku jetojnë prej tri dekadash. Mbi 300 familje që aplikojnë çdo vit në bashki për bonus strehimi dhe të paktën 3 mijë qytetarë në Devoll, banesat e të cilëve janë ndërtuar para vitit 1991, janë në pritje të legalizimit të banesave, çfarë do t’i kthente ato në të ligjshme dhe rrjedhimisht do të bëheshin të qarkullueshme në treg.

Florenc Rizvani, ashtu si shumica e familjeve të komunitetit rom, jeton në periferi të Bilishtit, në një zonë pa infrastrukturë, ku shtëpitë janë sajuara me gurë, llamarina dhe plastmas. Familja prej katër anëtarësh e Florencit është vendosur prej 14 vitesh në një banesë që mezi mbahet në këmbë, ku prej mureve të çara hyn lirisht ajri i ftohtë i dimrit, që ndihet edhe më i ashpër në atë kodrinë të veçuar nga pjesa tjetër e qytetit. “E kam ndërtuar vetë këtë shtëpi, ashtu si munda, me gurë dhe pak tulla. Jetojmë në kushte shumë të vështira, sidomos në dimër. Dy fëmijët e mitur sëmuren shpesh nga lagështira, që depërton ngado. Aplikova në bashki për një banesë me qira dhe fitova, por kam gati një vit që nuk po gjej dot një shtëpi me hipotekë për të bërë kontratën e qirasë”, tha Florenc Rizvani për Portën Vendore.

Çifti Rizvani, pjesë e komuniteti rom. Foto: Roland Beqiraj

Ai prej disa muajsh ka filluar punë në sektorin e shërbimeve publike të bashkisë dhe tani që plotëson kriteret për t’u trajtuar me bonus strehimi, nuk gjen dot një pronar banese, me të cilin të lidhë kontratën e qirasë. “Të gjithë pronarët na thonë që shtëpitë i kanë pa letra dhe të paregjistruara në hipotekë. As nuk i shesin dot dhe as i lëshojnë me qira. Mua mu dogj për këtë vit bonusi që më dha bashkia. Ne nuk kemi si ta zgjidhim vetë këtë problem, dhe kemi për ta kaluar edhe këtë dimër në këtë barakë që lutemi mos na zërë brenda”, përfundoi ai.

Edhe Nexhmi Kordalli është banor i Bilishtit dhe ka mbi dhjetë vjet që po mundohet ta legalizojë shtëpinë, por nuk ia ka dalë ende të ketë në dorë certifikatën, që e bën pronar të ligjshëm të pasurisë së tij. “E ndërtova shtëpinë në vitin 1989, ashtu siç bëheshin gjërat në atë kohë, me një vërtetim nga Komiteti i Qytetit. E dija se e kisha shtëpinë me dokumente të rregullta, por kur në hipotekë më thanë që në emrin tim nuk kisha asgjë të regjistruar, fillova procedurat për ta legalizuar. Në të vërtetë edhe e kam lënë pak pas dore këtë punë. Por kur vendosa ta regjistroj shtëpinë, u përballa me burokraci që nuk kanë fund. Kam disa vite që sorollatem nga një zyrë në tjetrën dhe nuk po e legalizoj dot. Shtëpinë e kam me dy kate dhe me qira nuk e lëshoj dot, por as fëmijëve nuk ua bëj dot përsipër. Shkova përsëri te zyra e ALUIZNI-t në Korçë dhe dorëzova dosjen, por deri tani nuk ka ardhur njeri për ta parë shtëpinë dhe për të bërë matjet. Kështu si unë janë mbi 80% e shtëpive të Bilishtit”, pohoi Kordalli për Portën Vendore.

Nexhmi Kordalli banor i Bilishtit. Foto: Roland Beqiraj

Pamundësia e 30 -të familjeve të pastreha, që u kualifikuan nga këshilli bashkiak si përfitues të bonusit të strehimit, për të siguruar një kontratë qiraje të shtëpisë ku do të vendoseshin, ka detyruar Bashkinë e Devollit të ngurtësojë fondin e destinuar për këtë kategori. Fondi ka kaluar për këtë vit, ndërsa fituesit e vitit të kaluar do të detyrohen të kalojnë edhe njëherë nëpër procedurat ligjore, për t’u përfshirë në listën e re.

Kryebashkiaku i Devollit, Bledion Nallbati, e konsideron shqetësues problemin e strehimit. “Jemi bashki e vogël dhe mundësitë tona financiare janë të kufizuara. Jemi bashki ku pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik është bujqësia, dhe të ardhurat tona nuk na mundësojnë ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët, të cilët vitet e fundit kanë pësuar rritje të ndjeshme, si pasojë e kërkesave për një banesë sociale nga çiftet e reja, emigrantët e kthyer përfundimisht, por edhe kategoritë e tjera, si invalidët, jetimët, komunitetet apo punonjësit e policisë. Në këto kushte i vetmi opsion që ofron bashkia për të pastrehët është bonusi i strehimit”, tha Kryetari i Bashkisë Devoll, Bledion Nallbati.

Bledion Nallbati, Kryetari Bashkisë Devoll. Foto: Roland Beqiraj

Bashkia e Devollit liston mbi 3 mijë banesa, në zonat rurale më së shumti, por edhe në qytetin e Bilishtit, që janë në kushte informaliteti. Kjo problematikë po vijon të ketë impakt edhe për zbatimin e politikave sociale të bashkisë sa i takon strehimit. Bashkia i ka dërguar zyrës rajonale të ALUIZNI-t rreth 250 dosje, të cilat janë plotësuar prej kohësh, kur ligji ngarkonte bashkitë të përfshiheshin në procesin e legalizimit, proces që në fakt dështoi.

Ka qenë pikërisht një VKM e pesë viteve më parë, që ngarkonte bashkitë dhe Këshillat e Qarqeve, me procesin e legalizimit të banesave të ndërtuara para vitit 91. Në zbatim të kësaj Vkm-je, Bashkia e Bilishtit përgatiste praktikën, e cila kalonte për miratim në këshillin bashkiak dhe më pas i dërgohej për konfirmim Këshillit të Qarkut. Ky i fundit, nuk u angazhua në proces dhe nuk u shpreh për asnjë nga praktikat e dërguara nga Bashkia e Bilishtit, por edhe bashkitë e tjera, duke lëne pezull procesin e legalizimit të kësaj kategorie ndërtimesh, që prisnin formalizimin. Kjo situatë vijoi deri në shtator të 2018, kur doli VKM- ja 442, e cila ngarkoi ALUIZNIN me legalizimin e ndërtimeve të kësaj periudhe.

Në foto Bashkia Devoll

Drejtori i zyrës rajonale të ALUIZNI-t, Klajdi Tërova, i pyetur nga Porta Vendore për problematikën e ndërtimeve informale në Bashkinë e Devollit, tha se këto ndërtime do të trajtohen në mënyrë prioritare dhe do të legalizohen të parat. “Në zbatim të VKM-së 442, praktikat që vijnë nga bashkitë respektive do të trajtohen me përparësi nga zyra e ALUIZNI-t, dhe në rastin konkret, Bashkia e Devollit është e vetmja në nivel Qarku që ka sjellë në agjencinë tonë rreth 250 praktika. Këto dosje do të shqyrtohen të parat nga grupi i ekspertëve, të cilët do të fillojnë javën e ardhshme verifikimin në terren të banesave të ndërtuara në këtë bashki para vitit 1991. Më pas do t’i kërkohet informacion Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të verifikuar nëse këto prona janë shtetërore apo ka persona të tjerë që pretendojnë pronësinë mbi këto objekte”, tha Tërova. Kjo procedurë pritet të zgjatë 10-të ditë dhe më pas, të dhënat për pasurinë në proces legalizimi do të afishohen për 30 ditët në vijim, proces që do të finalizohet më regjistrimin e pronës dhe dorëzimin e certifikatës së pronësisë.

Rreth autorit:
Roland Beqiraj është gazetar dhe fotoreporter në qytetin e  Korçës.