15 mars 2021/Eljona Ballhysa/Porta Vendore
Strehimi vijon të mbetet një problem shqetësues për pushtetin vendor, i cili pavarësisht programeve të ndryshme sërish nuk arrin t’i përmbushë të gjitha kërkesat. Porta Vendore bëri një vëzhgim në disa bashki kryesore të vendit ku vuri re se numri i aplikimeve për strehim ishte i lartë, por plotësimi i nevojave të tyre nga bashkitë ishte shumë i ulët në raport me kërkesën.
Sipas shifrave zyrtare në secilën bashki, rezulton se në Vlorë numërohen 1400 familje të pastreha, ndërkohë që bashkia përgjatë vitit 2020 u ka ardhur në ndihmë 219 familjeve, thënë ndryshe ka plotësuar vetëm 15.6% të nevojave.
Në Elbasan figurojnë të regjistruar si të pastrehë 1410 familje, prej të cilave bashkia u ka ardhur në ndihmë përgjatë vitit të kaluar 117 familjeve duke plotësuar vetëm 8.3% të nevojave.
Në Pogradec janë 245 familje të pastreha, ndërsa bashkia ka asistuar 123, duke plotësuar vetëm gjysmën e kërkesave.
Në Shkodër rezultojnë 383 të pastrehë gjithsej, prej të cilëve 149 familje janë asistuar përgjatë vitit që lamë pas, ose thënë ndryshe është gjetur zgjidhje për 39% të rasteve.
Bashkia e Korçës rezulton me një numër të lartë të familjeve të pastreha, me 2700 të tilla, por nuk bën të ditur se sa është numri i personave të asistuar përgjatë vitit të kaluar, sikurse nuk tregon as buxhetin e planifikuar për vitin 2021, si dhe projektet për t’i ardhur në ndihmë.
Interesit të portavendore.al për informacion në lidhje me situatën e strehimit nuk iu përgjigjën as bashkitë Kurbin, Fier e Durrës.
Ligji për strehimin vs realiteti i qytetarëve
Ligji për strehimin social, i miratuar më 03.05.2018, parashikon 6 programe të ndryshme për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të pastrehë, ndërkohë që angazhon njësitë e qeverisjes vendore që të kujdesen për banorët që aplikojnë për strehim. Konkretisht, në programet sociale të strehimit përfshihen: programi i banesave sociale me qira, programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri; programi i banesave me kosto të ulët; programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; programi për krijimin e banesave të përkohshme; si dhe programi i banesave të specializuara.
Bazuar në nenin 50 të këtij ligji, njësitë e qeverisjes vendore duhet të planifikojnë sipërfaqe të nevojshme trualli për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin, bazuar kjo në nevojat që kanë qytetarët e tyre. Por, nga vëzhgimi që bëri Porta Vendore, me përjashtim të Bashkisë Shkodër dhe një pallati që është planifikuar të ndërtohet nga Bashkia Gramsh, bashkitë e tjera nuk kanë planifikuar zona për ndërtimin e banesave sociale, me qëllim strehimin e të pastrehëve.
Porta Vendore dërgoi kërkesa për informacion në 10 bashki të mëdha e në disa më të vogla, për të kuptuar më shumë mbi situatën e kërkesë/ofertave për programet e strehimit në këto qytete, mbi buxhetet e përcaktuara në 2020 dhe përgjatë vitit 2021, mbi këtë çështje shumë të rëndësishme të komunitetit, ku mori përgjigje vetëm nga 7 prej tyre, duke mos pasur asnjë përgjigje nga bashkia Fier, Durrës e Kurbin.
Bashkia Vlorë
Në Bashkinë e Vlorës, jo pak por 1400 familje e individë rezultojnë të regjistruar si të pastrehë, nga të cilët institucioni ka asistuar dhe i ka ardhur në ndihmë 219 familjeve gjatë vitit 2020. Konkretisht për vitin 2020, në Bashkinë e Vlorës kanë aplikuar 167 familje për të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët, nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredive nga shteti. Nga këta kanë plotësuar kushtet dhe kanë përfituar 156 familje/individë (93%), të cilët janë duke kryer procedurat me bankat.
Rreth 50 familje e individë kanë aplikuar për të përfituar nga programi i banesave sociale me qira, nëpërmjet subvencionimit të qirasë në treg të lirë. Këshilli bashkiak ka aprovuar 34 përfitues (68%), në bazë të plotësimit të kritereve.
Kanë aplikuar për të përfituar nga programi i përmirësimit të kushteve të banesave, për shtresat e varfra dhe grupet e pafavorizuara, 60 familje, dhe kanë përfituar fonde 29 familje (48%) të Njësisë Administrative Shushicë, ku 18 familje janë anëtarë të komunitetit egjiptian, 3 të komunitetit rom dhe 8 familje të varfra.
Ndërsa në buxhetin e vitit 2021 për këta persona është parashikuar fondi 15.45 milionë lekë, duke e ndarë programin për strehimin në disa zëra. Konkretisht është parashikuar një fond prej 6 milionë lekësh për të subvenciuar pagesat e qirasë për familjet e varfra. “Familjet që kanë kërkuar të trajtohen me banesa sociale me qira. Në kushtet kur Bashkia Vlorë nuk disponon mundësitë e ndërtimit, apo të blerjes nga tregu të banesave sociale me qira Banesa Sociale me Qira, për familjet në kushtet e emergjencës për strehim, që banojnë me qira në treg të lirë dhe nuk kanë mundësi të përballojnë me të ardhurat e tyre vlerat e qirasë, për subvencionimin e pagesave të qirasë është parashikuar fondi 6 milionë lekë”, njofton Bashkia.
Fondi prej 2.7 milionë lekësh është parashikuar të përdoret për pagesën në masën 50% të qirasë për familjet që janë prekur nga zbatimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë”. Për financimin e qirasë mujore për 15 familje, që preken nga zbatimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike me Portin Detar Vlorë” është parashikuar fondi prej 2.25 milionë lekë. Ndërsa për përmirësimin e kushteve të banesave, deri në një ndërtim të ri, është parashikuar fondi prej 4.5 milionë lekësh.
Bashkia Elbasan
Në qytetin e Elbasanit, sipas shifrave zyrtare të bashkisë,1410 familje apo individë rezultojnë të pastrehë. Vetëm përgjatë vitit që lamë pas, kanë aplikuar për të përfituar nga programi i subvencionimit të qirasë 150 familje nga të cilët kanë përfituar 117 (78%). Bashkia e Elbasan sqaron se ajo u vjen në ndihmë këtyre familjeve duke subvencionuar qiranë, 28% e vlerës mbulohet nga kjo bashki, ndërsa pjesa tjetër nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Gjithashtu është financuar në masën 20% edhe programi social “Rikonstruksion banesash”, në bashkëfinancim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Më të favorizuar për të përfituar nga këto programe janë familjet me shumë fëmijë; nënat kryefamiljare; viktimat e dhunës në familje, familjet rome dhe egjiptiane.
Për vitin 2021 bashkia Elbasan ka miratuar listën e përfituesve për programin social “Subvencionim qiraje”, e cila është dërguar për miratim në Ministrinë e Financave; dhe është në proces shqyrtimi të procedurave ligjore për mbështetjen përmes kredive të buta. Bashkia Elbasan nuk sqaron sesi do t’u vijë në ndihmë jo pak, por 1410 familjeve të regjistruara të pastreha sikundër nuk bën të ditur se sa është fondi i parashikuar në buxhet për strehimin për vitin 2021. Ndërsa nga buxheti i publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan rezulton se janë miratuar 8.4 milionë lekë për strehimin social.
8,437 000
Bashkia Pogradec
245 aplikime janë dorëzuar në qytetin e Pogradecit për të përfituar nga një nga programet e bashkisë për strehimin. Konkretisht 96 familje kanë aplikuar për përmirësim banese, nga të cilat kanë përfituar 24 .
119 familje kanë aplikuar për subvencionim të interesave të kredisë, nga të cilët kanë përfituar 92.
11 familje apo individë kanë aplikuar për banesë sociale me qira, nga të cilat kanë përfituar vetëm 2.
19 të tjerë kanë aplikuar për subvencionim të qirasë në treg të lirë nga të cilët kanë përfituar 5. Pra nga 245 aplikime bashkia u ka ardhur në ndihmë 123 familjeve, duke plotësuar vetëm gjysmën e nevojave që ka qyteti, ndërsa bën të ditur se “nuk disponon banesa sociale”. Bashkia bën të ditur se ka përgatitur një strategji afatgjatë për strehimin (2016-2021), por nuk bën të ditur konkretisht buxhetin e planifikuar për vitin 2021 dhe si do t’i mundësojë strehim 122 familjeve të tjera që kërkojnë ndihmë. “Zyra e strehimit social në Bashki në Pogradec është pjesë e Drejtorisë së Emergjencave Civile, Strehimit dhe Objekteve në Bashkëpronësi. Duke u nisur nga ky fakt, buxheti përcaktohet për gjithë drejtorinë me VKM të veçantë. Gjithashtu jemi duke përgatitur dokumentacionin për të përfituar nga fondi për Strehimin Social në Ministrinë e Financave , në bazë të aplikimeve. Gjithashtu edhe për programin e “Subvencionimit të interesave të kredisë”, jemi duke bërë një raport në bazë të aplikimeve të shumta që kemi, për të shtuar numrin e përfituesve”, bën të ditur kjo bashki. Ndërsa nga kërkimi online në faqen e kësaj bashkie rezulton se në buxhetin e vitit 2021 nuk ka asnjë fond për strehim social.
Bashkia Korçë
Numri i të pastrehëve në qytetin e Korçës është i lartë me rreth 2700 aplikantë në total, prej të cilëve vetëm vitin e kaluar 100 familje apo individë kanë paraqitur kërkesë për strehim. Bashkia e Korçës bën të ditur për portavendore.al se një pjesë e këtyre kërkesa janë trajtuar nga programi “subvencioni i Interesave të Kredisë” , por nuk bën të ditur se sa është numri i përfituesve. “Më favorite për të përfituar nga programet e Strehimit Social janë kategori të ndryshme sipas programeve që zbatohen. Përfituesit përzgjidhen nëpërmjet sistemit të pikëzimit që miratohet për çdo program, duke u bazuar në nenin 16 të ligjit 22/2018 Për Strehimin Social“, bën të ditur koordinatorja Larisa Katundi. Ajo thotë se bashkia Korçë ka parashikuar një fond konkret për investime në buxhetin e vitit 2021, po nuk e zbulon shifrën, ndërkohë që sipas programit buxhetor afatmesëm vendor 2020-2022, ka parashikuar zero lekë në tre vite strehimin social.
Bashkia Shkodër
Në Shkodër numërohen 383 familje apo individë të pastrehë. Përgjatë vitit të kaluar kanë aplikuar për strehim 163 familje apo individë, nga të cilët janë asistuar nga bashkia 149 familje (91%) sipas programe të ndryshme të strehimit. Konkretisht 103 familje janë miratuar si përfitues të subvencionimit të interesave të kredisë, 44 familje kanë përfituar nga subvencionimi i qirasë në treg të lirë, ndërsa 2 familje kanë përfituar grant të menjëhershëm për të marrë banesë me kosto të ulët.
Për vitin 2021, Bashkia e Shkodrës ka parashikuar një fond prej 1.45 milionë lekë për t’i ardhur në ndihmë familjeve të pastreha, ndërsa ka edhe disa projekte, siç është rikonstruksioni i ish konviktit të shkollës Pyjore dhe përshtatja për strehimin e kategorive në nevojë, siç janë jetimët që dalin nga institucionet rezidenciale dhe familjet një prindërore në kushte të vështira social ekonomike. Nga ky projekt parashikohet të përfitojnë strehim 24 familje ose individë.
Bashkia bën të ditur gjithashtu se është në proces rikonstruksioni i godinave në pronësi të qeverisjes vendore, nga ku pritet të përfitojnë 27 familje rome.
“Në proces punimesh është rikonstruktimi i ish konviktit te shkollës Veterinare, ku në fund të punimeve pritet të sigurohen 28 apartamente me qira për familjet më në nevojë. Aktualisht po përgatitemi të aplikojmë për thirrjen e vitit 2021 pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, njofton Bashkia e Shkodrës.
Bashkia Gramsh
Bashkia e Gramshit numëron gjithsej 410 familje të pastreha, ndërsa për vitin 2020 janë paraqitur vetëm 70 kërkesa për strehim, prej të cilave këshilli bashkiak ka miratuar 20 kërkesa (50%). “Në total janë miratuar 20 familje, aq sa ka qenë numri i miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë që mbulon strehimin social. Janë tërhequr 4 familje për arsye të mosgjetjes së banesës në tregun e lirë, duke mbetur kështu vetëm 16 familje të cilat janë në marrëdhënie me institucionet financiare për lidhjen e kontratave. Deri në fund të vitit 2020 kanë marrë banesa nga blerja në tregun e lirë 5 familje”, bën të ditur drejtori i Strehimit në Bashkinë e Gramshit Qani Paja, i cili shton se 63 familje janë ndihmuar përmes subvencionimit të qirasë, ku pjesën më të madhe e përbëjnë familjet me persona me aftësi ndryshe, familje ku kryefamiljare janë gratë, nënat me shumë fëmijë, komuniteti egjiptian, etj. “Gjithashtu për vitin 2020, nëpërmjet programit të rikonstruksionit të banesave ekzistuese për komunitetin egjiptian u riparuan 9 banesa për 9 familje, me një fond total 6.57 milionë lekë”, thotë zoti Paja.
Ai bën të ditur se Bashkia e Gramshit ka hartuar strategjinë për strehimin social deri në vitin 2025, ndërsa vitin 2021 është planifikuar ndërtimi i një pallati ku do të strehohen 40 familje të pastreha. “Për vitin 2021 kemi kërkuar subvencionim të qirasë për familjet me PAK, pa të ardhura, et,j në shumën 2 milionë lekë. Për kredi të buta për blerje banesa në treg jemi në pritje të miratimit të tyre nga Ministria e Financave që mbulon strehimin social”, sqaron zoti Paja.
Bashkia Prrenjas
Përgjatë 2 viteve të fundit, Bashkia e Prrenjasit ka regjistruar gjithsej 206 kërkesa për strehim, ku gjatë vitit 2020 janë trajtuar dhe kanë përfituar 26 familje, ndërsa 12 të tjera janë pritje për të përfituar nga progresi i subvencionimit të interesave të kredisë. Konkretisht 12 familje kanë përfituar nga programi i subvencionimit të qirasë dhe 14 të tjera nga programi i kredisë së butë. Për vitin 2021 bashkia e Prrenjasit nuk ka parashikuar në buxhet një fond për investime për strehimin, ndërkohë që ka planifikuar të kërkojë një fond prej 35 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. Konkretisht 5 milionë lekë do përdoren për programin e banesave sociale me qira, dhe 30 milionë do përdoren për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese deri në një banim të ri.
Numri i vogël i familjeve që kanë përfituar ndihmë për strehim nga bashkitë në raport me familjet në nevojë, konstatohet edhe në një raport të KLSH-së të hartuar në 22 korrik të vitit 2019, i cili ka kryer një monitorim vetëm në 4 bashki, konkretisht Tiranë, Vlorë, Shkodër e Korçë. KLSH del në përfundimin se programet e strehimit nuk janë zbatuar plotësisht si politika sociale, duke adresuar vetëm raste individuale, por jo fenomenin social të të pastrehëve. “Mungojnë regjistri kombëtar mbi numrin e të pastrehëve dhe investimet në banesa sociale, stoku i të cilave është inekzistent në shumicën e bashkive dhe i pamjaftueshëm në disa të tjera. Aksesi në programet sociale është mjaft i kufizuar. Bashkitë stepen në ofrimin e një informacioni të plotë për qytetarët nga risku i dyndjeve të papërballueshme në skemën e strehimit social”, shkruhet në raport.
KLSH sugjeron se bashkitë duhet të kenë një qasje aktive ndaj strehimit duke filluar me planifikimet urbane të banesave për strehim, si dhe duhet të bashkëpunojnë me sektorin privat për të krijuar një fond banesash. “Nga analizimi i bazës ligjore, i gjithë strehimi social ngrihet mbi prezumimin e ekzistencës së një stoku të banesave shtetërore dhe të qenies së bashkisë një “prodhues” i banesave sociale”, vëren KLSH, por në realitet sikurse edhe Porta Vendore konstatoi kjo gjë ose nuk ekziston, ose është në nivele shumë të ulëta.
KLSH konstaton gjithashtu se “blerja e një banesë në Shqipëri në raport me të ardhurat, përfshirë mesataren e pagave, është plotësisht e papërballueshme dhe në kontekstin e strehimit social, përbën riskun madhor të rritjes të kontingjentit të të pastrehëve. Për të qenë e përballueshme, për një banesë periferike në Tiranë, qytetari duhet të disponojë rreth 1,166 euro të ardhura në muaj”. Sipas KLSH në të ardhmen do të shtohet numri i të pastrehëve në vendin tonë.
Aktivistët për respektimin e programeve të strehimit
Ligji për strehimin social u miratua në vitin 2018, por si për çdo ligj të ri lind nevoja e informimit dhe trajnimit të strukturave, si dhe afati kohor për hartimin dhe nxjerrjen e akteve në funksion të tij. Funksionimi i plotë ka filluar në fund të 2019 dhe gjatë vitit 2020, pasi deri në atë kohë, institucionet për një pjesë të programeve në vazhdim i referoheshin ligjit të vjetër.
Implementimi i programeve sociale të strehimit varet drejtpërdrejt nga buxheti që parashikohet prej Ministrisë së Financave, si dhe nga parashikimi i përvitshëm i njësive vendore. Këto të fundit duhet thënë se kanë një mungesë të theksuar të burimeve njerëzore në mënyrë që të kryejnë verifikimet për nevojat, si dhe mungesë iniciativash. Por në thelb pavarësisht se synohet pavarësia dhe marrja e sa më tepër përgjegjësive nga njësitë administrative, duhet filluar nga pavarësia e vet strukturës së njësive administrative në mënyrë që të arrihet te problematikat e vërteta. Sipas aktivistit Fatjon Kaca, programi i subvencionimit të qirasë është ai që ka funksionuar më mirë nga 6 programet e strehimit social.
“Nga 6 programe të strehimit social, deri më tani programi i subvencionimit të qirasë, i cili si praktikë ka funksionuar prej më tepër se 20 vitesh, është programi që implementohet për të mbuluar të gjitha problematikat e strehimit në Tiranë. Megjithatë ky program nuk garanton të gjithë kërkesat e qytetarëve në nevojë për strehim të përshtatshëm. Për të lehtësuar procedurat e aplikimit për bonusin e qirasë, Drejtoria e Strehimit në Bashkinë Tiranë ka bërë thirrje për subjektet publike dhe private që janë të interesuara për të marrë statusin e pronarit social. Por e rëndësishme është implementimi dhe zbatimi edhe i programeve të tjera, siç është programi i banesave me kosto të ulët/programi i zhvillimit të zonës me qëllim strehimin, të cilët mund të jenë të përshtatshëm për dhjetëra familjet e prekura nga ndërtimi i “Unazës së Madhe” dhe në bulevardin e ri, apo programi i strehëzave të përkohshme që mund të implementohet për herë të parë si zgjidhja e duhur për dhjetëra familje që jetojnë në baraka, dhe mund të shërbejë si formë rehabilituese dhe tranzitore për familjet që do strehohen”, tregon ai.
Thirrja e Ministrisë së Financës për dhënie fondesh qëndron e hapur nga data 15 janar deri më 15 mars, e bashkitë e vendit kanë të drejtë të aplikojnë me një projekt të qartë përsa i përket kërkesave të vetë komunitetit në lidhje me përfitimin dhe financimin e programeve të ndryshme për strehimin social.
Siç ka raportuar edhe më parë Porta Vendore, aktivistët po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme në lidhje me familjet e Selitës, shtëpia e të cilëve u prishën për t’i hapur rrugë projektit të unazës së madhe.
“Këtë vit nga organizata ‘CEO’ dhe ‘QAS’ i janë referuar Bashkisë Tiranë disa problematika që mund të marrin zgjidhje në rast se ka vullnet për implementimin e programeve sociale të strehimit dhe të rehabilitohen dhjetëra familje me pozita të pafavorizuara në qytetin e Tiranës”, përfundon Fajtoni, teksa shprehet se do të luftojnë deri në fund për këtë kauzë.
Porta Vendore gjithashtu pyeti dhe Ervis Çota, Drejtues i Lëvizja Rinore Egjyptiane & Rome, ku tha se në thelb ligji është shumë pozitiv, por në kontekstin tonë është shumë i vështirë zbatimi në mënyrë të plotë dhe efikase.
“Arsyet që ligji nuk ka zbatim të plotë janë disa, por me kryesorja është niveli i ulët i financimit, qoftë në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor. Megjithëse në dy vitet e fundit financimi i programit të strehimit ka pësuar rritje në nivel qendror, kjo i dedikohet nevojës që shkaktoi tërmeti i cili goditi vendin tonë. Nëse i referohemi informacioneve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë rezulton se vetëm 1/2 e bashkive që aplikojnë për fonde nga buxheti i shtetit arrijnë t’i përfitojnë ato, çka do të thotë se nuk mund të mbulohet e gjithë nevoja. Po ashtu edhe në nivel vendo,r financimi mbetet i ulët edhe pse nevoja është shumë e madhe”, shprehet Ervisi ndërsa jep të dhëna për numrin e të pastrehëve që nuk po njeh ulje, por veçse një kurbë rritëse, e kjo sidomos reflektuar në dy vitet e fundit.
“Numri i të pastrehëve është gjithmonë në trend rritës. Vetëm në bashkitë Elbasan dhe Tiranë, për 2 vitet e fundit është rritur numri i familjeve të pastreha, respektivisht me 700 dhe 6 708 familje. Sipas informacioneve zyrtare nga 61 bashki, afërsisht 1/2 aplikojnë për fonde pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Kjo tregon se çështja e strehimit nuk konsiderohet prioritet kryesore në disa prej bashkive”, sqaron drejtuesi i LRER.
Ai tregon gjithashtu sfidat e mëdha me të cilat ai së bashku me organizata të tjera e aktivistë të shoqërisë civile, janë përballur për të advokuar në pushtetin vendor në lidhje me raste të familjeve që e kanë pasur emergjencë përfitimin nga një prej programeve të strehimit, duke i referuar ato në bashki dhe ndjekur rast pas rasti.
“Megjithatë duhet të themi se disa bashki janë kthyer në model sa i takon trajtimit të çështjes së strehimit. Bashkia Elbasan është një ndër to sipas gjykimit tim. Organizata që unë drejtoj ka nisur përpjekjet e saj për të nxitur Bashkinë Elbasan me qëllim zbatimin e programeve të strehimit që prej vitit 2015. Ne kemi mbështetur shume familje që të aplikojnë për strehim si dhe kemi advokuar me bashkinë që të rritet buxheti nga viti në vit. Për vitin 2020 mbështetëm rreth 120 familje të pastreha rome, egjiptiane por jo vetëm, që përfituan bonus strehimi dhe 30 familje që përfituan nga rikonstruksioni i banesave. Ndërsa për vitin 2021 janë miratuar për të përfituar bonus strehimi rreth 180 familje të pastreha, 150 prej të cilave janë mbështetur nga LRER. Tashmë jemi duke biseduar me bashkinë për të nisur zbatimin e programit të rikonstruksionit të banesave, kërkesa për të është e lartë gjithashtu”, thotë Ervis Çota, ndërsa pavarësisht notave pozitive me të cilat shprehet, ai sërish apelon për më shumë vëmendje në këtë sektor.
“Pavarësisht këtyre arritjeve pozitive, duhet të themi se nevoja për strehim në Bashkinë Elbasan është shumë herë më e madhe nga ajo çka është zyrtare, sepse shumë prej familjeve të pastreha, për shkak të mungesës së informacionit, nuk aplikojnë. Gjithashtu duhet të themi se kapaciteti financiar i Bashkisë Elbasan nuk mund t’i përgjigjet drejt nevojës reale”, përfundon Çota drejtues i LRER.
Ndërsa juristi Adriatik Lapaj thotë për Portën Vendore se ligji i vitit 2018 Nr. 22/2018 solli shumë risi sa i takon strehimit, mundësive dhe detyrimeve që Njësitë e Qeverisjes Vendore kanë në raport me strehimin e qytetarëve në nevojë.
“Nga të dhënat rezulton se programi i banesave me kosto të ulët është ai më i kërkuari pas bonusit të qirasë, i cili është opsioni më i mundur për qytetarët në nevojë. Rezulton se numri i kërkesave është më i madh se kapaciteti që sot ofrohet nga njësitë vendore. Në gjykimin tim ka vend për investime më të mëdha për krijimin e fondit të banesave sociale. Mendoj se në përditshmëri familjet hasin probleme me programin e bonusit të qirasë pasi e kanë të vështirë të gjejnë banesa (kujtojmë që një pjesë e këtyre familjeve janë edhe nën diskriminim). Për këtë nevojitet të rritet fondi i banesave sociale në pronësi të njësive vendore, të cilat mund të përdoren për këto kategori qytetarësh”, shpjegon juristi Lapaj.
Eva Tare, nga Zyra Rajonale e Komisionerit të Mbrojtjes së Diskriminimit në Korçë, njëkohësisht dhe aktiviste e shoqërisë civile prej 20 vitesh tregon për Portën Vendore :
“Nëse shohim të gjitha skemat nga pamja e jashtme janë të qarta dhe sociale ku një pjesë e familjeve rome&egjiptiane janë të përfshira në to, por pjesa dërmuese nuk mund të përfshihen sepse ka disa kritere . Po të marrim banesat me kosto të ulët ose kredi të butë, kushti kryesor janë të ardhurat gjë që nuk përmbushet nga anëtarët e komunitetit sepse janë të papunë ose në të zezë (pra punë të padeklaruar). Kjo i penalizon ata. Skemë tjetër është ajo e bonusit të qirasë, ku edhe pse aplikohet në Bashkinë Korçë për të gjitha familjet në nevojë veçanërisht ato R/E, këto të fundit nuk janë përfituese. Arsyeja është sepse këtyre familjeve asnjëherë nuk u ofrohet shtëpi me qira nga pjesa tjetër sepse ekziston akoma stereotipi dhe diskriminimi. Përsa i përket restaurimit të banesave, aplikimet janë të shumta por shumë pak janë përfitues sepse shumica e familjeve të komunitetit nuk kanë dokumente të rregullta (Mungesë tapi shtëpie, shtëpia e përbashkët me familjarët e tjerë ose ekziston akoma në emrin e prindërve të tyre)”, rrëfen ekspertja Tare, ndërsa thekson se tek ligji për strehimin ka dhe lehtësira për privatizimin e banesave për kategori të caktuara në nevojë.
“Në kontaktet me përfaqësues të Bashkisë, nën/kryetaren e saj znj Benila Themeli, si dhe drejtorin e kujdesit social z Ilir Zguri, brenda së cilës është edhe zyra e strehimit, na është komunikuar që do të ndërtohen në një zonë të qytetit banesa për këtë kategori dhe familje të tjera në nevojë ku kostoja të jetë e ulët minimale. Kjo do të bëjë të mundur zbutjen sadopak të këtij problemi tejet prezent. Bashkia ka menduar të aplikojë për këtë fond pranë Ministrive përkatëse”, përfundon Tare.
Porta Vendore kërkoi gjithashtu informacion pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje më bashkitë që kanë aplikuar në vitin që lamë pas dhe që ishin shpallur fituese të fondit, dhe gjithashtu nëse ka pasur aplikime nga bashkitë për këtë vit, deri më tani, por nuk mori një përgjigje deri në publikim të këtij artikulli.
Këtë vit Ministria e Financave, teksa ka hapur thirrjet, ka vënë në dispozicion të bashkive 300 milion lekë në total, për t’i ardhur në ndihmë target-grupeve vunerabël.