Ngjarje/Personazhe

15 vite pa drita, banorët e fshatit kërcënojnë të bojkotojnë zgjedhjet

4 shkurt 2019/ Porta Vendore/ Shkodër                                                                

Fshati Bruçaj në Shkodër ka 15 vite pa energji elektrike. Qëkur rrjeti u amortizua askush nuk vuri më dorë në të. Banorët e fshatit shprehen të mërzitur nga kjo situatë, ata e ndjejnë veten të braktisur nga shteti, duke jetuar në errësirë të plotë. 

Janë pikërisht rreth 100 familje të fshatit Bruçaj në Njësinë Administrative Pult të Bashkisë Shkodër, që jetojnë në errësirë prej 15 vitesh. Në këtë fshat elektrifikimi mbërriti më vonë se në të gjithë zonën e malësisë, rreth viteve ‘70, dhe filloi të kishte probleme rreth viteve 2000 për të mos u rikthyer në kurrë në shtëpitë shekullore të banorëve të kësaj zone.

“Dritat janë gjysma e jetës. Unë rri qorr brenda, fle herët, si me qenë ari. Në vitin 2019 dhe akoma s’ia kemi arrit demokracisë. Edhe në vitet ’70 ishim më mirë, kishim drita, ndërsa sot, në demokraci…, veç me e pa si jetojmë sot. Në ’99-n kam parë drita për herë të fundit. E vështirë është, por ç’të bëjmë. Na ka mbetur vetëm që të marrim një gur e të hidhemi në lumë”, tha Qazim Lika, banor i këtij fshati.

Në fshat kanë mbetur pak pleq e të rinj, pasi kush ka pasur mundësi ka shkuar në emigracion ose të Shkodër. Ndërsa në dimër aty ngrin gjithçka, pasi dëbora gjatë muajve nëntor-shkurt shkon deri në 2 metër.

Ne jetojmë sa me ngrënë bukë e të mos vdesim urie. Kam një copë tokë në Pult, por në dimër marr shtëpi me qira ndonjëherë, që të mos vdes nga i ftohti në dëborë. Unë televizor s’kam pa tash 22 vjet. Dhe s’di fare çfarë ndodh. Fshat më merhum se i joni nuk ka në tokë të Shqipërisë”, tregon Sadri Kuçaj.

Dikur ky fshat ka pasur rreth 900 familje, por sot ata banorë të mbetur thuajse kanë humbur çdo shpresë, edhe pse në çdo fushatë elektorale, kandidatët për deputetë ose për kryetar bashkie u premtojnë se do ua sjellin dritat.

“Për fushata dalin dhe na premtojmë ça t’ju lypim. Pas zgjedhjeve nuk duken më. E duke besuar, edhe unë kam votuar, por ma do mendja që s’votoj më. Ma kanë prish qejfin. Nuk kam hallin tim se jam 75 vjeç, por për këto të rinj, se unë ditët i kam të numëruara”, tregon Vuksan Jerevia, një nga më të vjetrit e fshatit, teksa nuk kërkon gjë tjetër, veç drita e ujë, pasi siç thotë ai “bukën e nxjerrim vetë”.

Për shkak të strukturës së fshatit, Bruçaj është i ndarë në 6 lagje, ku shtëpitë janë të shpërndara në të gjithë territorin dhe janë larg njëra tjetrës, të pozicionuara në një lartësi që shkon deri në 1200 metra.

“I kemi dërguar shkresa e letra institucioneve, si Bashkisë Shkodër, OSHEE-së dhe Prefektit, ku nga 2016 deri më tani numërohen 4 shkresa të tilla”, tregon Tom Marku, administratori i njësisë Pult, por sipas tij, deri më sot nuk ka asnjë reagim.

Madje, në çdo anë të fshatit e kupton se aty nuk ka mbetur asgjë veç disa njerëzve të mirë që shpresojnë që diçka do ndryshojë dhe gjithçka të duket vite dritë larg realitetit të sotëm. Në shtëpitë e tyre nuk ka, jo vetëm internet, por as telefon e as televizor. Të vetmet lajme janë bisedat me njëri-tjetrin, kur ndonjë nga fshati ka zbritur në Shkodër dhe ka marrë habere të reja.

“Nata është gjëja më e vështirë se kur s’ke dritë s’ke as të shikosh një lajm asnjë gjë, detyrohemi të hamë darkë e me shku në krevat”, thotë Rrok Kryxha, banor i Bruçajt.

Ndërsa për të rinjtë, gjithçka është edhe më e vështirë. “Kohën e kaloj kot, si me qenë bagëti. Ne vitin 2010 jam nis me shku në Belgjikë, s’më kanë lënë. Kur zbres në Shkodër e hap internetin, marr vesh çfarë ndodh nga jeta”, tregon Gani Kuçaj, një nga të rinjtë e pakët të fshatit.

“Kështu si ne me qiri kanë jetuar stërgjyshërit, por më vjen keq për brezin e ri”, shprehet i dëshpëruar Nos Jerevia, ish-elektricisti i fshatit, që sipas tij, për të pajisur fshatin me drita, duhen rreth 420 shtylla, ku disa prej tyre banorët i kanë përgatitur vetë, me shpresën se OSHEE do të investonte.

I kam shkruar portalit të kryeministrit më shumë se 10 herë. Më thane vëri shtyllat, i vura por baza materiale nuk po na vjen, do ta tenderojmë thonë”, pohon Gjon Gurra, kryeplak i fshatit më të pazakontë sot për sot në Shqipëri.

E pyetur nga Porta Vendore, në lidhje me problematikën e fshatit Bruçaj, OSHEE deklaron se po shikon alternativat e mundshme për të rikthyer energjinë elektrike në fshat për banorët e mbetur.

Megjithatë banorët janë të velur nga premtimet e çdo zgjedhjeje, ndaj ata kanë vendosur që këtë radhë, në zgjedhjet elektorale të mos marrin pjesë, nëse në shtëpitë e tyre nuk shikojnë dritën e qytetërimit.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail