PASAPORTA E BASHKISË PEQIN
PEQIN
38.900
26.136
197.79 km2
Zona Gjeografike: Peqini kufizohet në veri me bashkinë Tiranë, në lindje me bashkinë Elbasan, në jug-lindje me bashkinë Cërrik, në jug-perëndim me bashkinë Lushnje dhe në jug me bashkinë Belsh. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Peqinit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Peqini ka një popullsi prej 26.136 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 38.900 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 197.79 km2 me një densitet prej 196.67 banorë/km2 sipas regjistrit civil dhe 132 banorë/km2 sipas censusit.
Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Peqinit shtrihet përgjatë rrugës së vjetër Egnatia, ndërsa kalaja Klaudiana në qendër të qytetit është dëshmi e lashtësisë së këtij vendbanimi. Qyteti dhe të 50 fshatrat e kësaj bashkie shtrihen në një zonë fushore dhe kodrinore.Banorët e bashkisë së Peqinit janë të orientuar ndaj bujqësisë dhe vreshtarisë, por edhe mbarështimit të shpendëve. Kultivimi i ullinjve, i perimeve të serave dhe i produkteve të tjera bujqësore janë gjithashtu karakteristikë e zonës.
Peqini është i njohur për rritjen e gjelit të detit, mjaft i kërkuar në të gjithë Shqipërinë në kohë festash si dhe për sportin e ndeshjeve me gjela.
Bizneset janë kryesisht të përqendruar në shërbime, ndërkohë që në Peqin janë ngritur edhe disa punishte për vajin e ullirit.
Problemi më i madh i Peqinit është punësimi. Edhe pse një pjesë e mirë e banorëve merren me bujqësi, mundësitë ekonomike për ta janë të pakta. Sfidat e bashkisë së re janë të harmonizojë zonën urbane me zonën rurale si dhe hapja e bizneseve prodhuese, që mund t’i jepnin një hov punësimit të banorëve të Peqinit.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al