Struktura komunitare në qytet
Në qytete, në bazë të iniciativës qytetare, ngrihen dhe funksionojnë këshillat komunitarë të lagjeve.
Këshillat përbëhen nga banorë të lagjes dhe organizohen mbi baza vullnetare.
Këshillat bashkiakë përcaktojnë rregullat e përgjithshme të organizimit e të funksionimit të këshillave
komunitarë të lagjeve dhe marrëdhëniet që ato kanë me bashkinë dhe strukturat e saj.
Nga radhët e anëtarëve të këshillave komunitarë zgjidhen ndërlidhësit komunitarë që drejtojnë dhe
organizojnë punën e këshillave.
Si rregull, në çdo lagje krijohet një këshill komunitar. Këshilli bashkiak mund të vendosë që në një lagje
të krijohen më shumë se dy këshilla komunitarë ose bashkimin e këshillave të dy apo më shumë lagjeve.
Detyrat dhe të drejtat e këshillit dhe ndërlidhësit komunitar
Ndërlidhësi dhe këshilli komunitar mund të mbështesin funksionet qeverisëse të bashkisë në lagjen e tyre
dhe mund të zbatojnë projekte në dobi dhe përfitim të komunitetit.
Këshillat komunitarë, në bazë të vendimeve të këshillave bashkiakë, kanë të drejtë të kryejnë funksione
dhe kompetenca të caktuara që mund t’u delegohen nga këshilli. Në këtë rast, këshilli bashkiak vendos
edhe për masën e financimit apo bashkëfinancimit për kryerjen e funksionit apo kompetencës së deleguar,
të cilat nuk mund të përdoren në asnjë rast për shpërblime apo pagesa për anëtarët e këshillit komunitar.
Ndërlidhësi komunitar mund të shpërblehet për punën që kryen, sipas kritereve të përcaktuara nga këshilli
bashkiak, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Detyrat më të hollësishme të tyre përcaktohen në rregulloret dhe urdhëresat e këshillit bashkiak.