Referendumet vendore

Referendumet vendore janë një nga format e shprehjes së demokracisë së drejtëpërdrejtë në qeverisjen vendore ku nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve vendoset për çështje me rëndësi për komunitetin. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë thuhet shprehimisht se vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore.

Gjithashtu në Kodin Zgjedhor, me termin referendum kuptohet ushtrimi i drejtpërdrejtë i sovranitetit të popullit, nëpërmjet votimit, për një çështje ose një ligj të caktuar.

Kushtet për zhvillimin e referendumit vendor:
Referendumet vendore nuk mund të zhvillohen gjatë periudhës nga tre muaj para përfundimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të këshillave vendorë. Në rastet kur në një njësi të qeverisjes vendore shpallen zgjedhje të parakohshme, Kodi Zgjedhor kërkon që procedura për zhvillimin e referendumit vendor në atë njësi të pezullohet deri pasi të kenë kaluar tre muaj nga fillimi i mandatit të organit të qeverisjes vendore. Një tjetër kusht për kërkesat për referendum është edhe fakti që ato kërkesa që nuk arrijnë te kalojnë nëpër të gjitha procedurat e përcaktuara në Kodin zgjedhor, brënda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur ato paraqiten, shtyhen deri në vitin pasardhës.

Administrimi i referendumit vendor:

Për administrimin e referendumeve vendore, Kodi Zgjedhor ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, organ i cili e realizon këtë detyrë nëpërmjet KZQV-ve. KQZ administron referendumin vendor në përputhje me proçedurat e parashikuara për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, duke theksuar se, për çdo rast, kjo detyren duhet të kryhet për aq sa është e mundur ose e nevojshme.

 

Nisma për referendum vendor:
Në Kodin Zgjedhor është trajtuar edhe çështja qe lidhet me nismën për një referendum vendor.
Sipas këtij Kodi (neni 132), nismën për një referendum vendor, për një çështje të qeverisjes vendore, mund ta ushtrojnë:

-10 për qind e zgjedhësve të regjistruar në listat e zgjedhësve të njësisë vendore përkatese ose 20 mijë prej tyre, cilado shifër më e vogël.

-Një numër këshillash bashkiakë, që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e popullsisë së një qarku, kanë të drejtë të kërkojnë zhvillimin e një referendumi për një çështje të qeverisjes vendore në nivel qarku.

Referendumi vendor mund të mbahet për një çështje të qeverisjes vendore që njëherazi është edhe çeshtje e rëndësisë së veçantë.