Ankesë për shkeljen e të drejtës për informim

ANKESË PËR SHKELJEN
E TË DREJTËS PËR INFORMIM
Titulli i shërbimit Ankesë për shkeljen e të drejtës për informim.
Përshkrim i shërbimit E drejta për informim është e drejta e çdo qytetari për tu njohur me informacionin public, e garantuar ekskluzivisht nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Ligji Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i cili synon nxitjen e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike.

Për të pasur një qeverisje lokale të mirë dhe demokratike, transparenca përbën një nga elementët thelbësorë që duhet të garantohet për të gjithë qytetarët. Ajo nënkupton ndarjen e informacionit si edhe ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve në mënyrë të hapur me publikun.

“Informacioni publik” i referohet çdo të dhëne të regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.

Çdo qytetar ka të drejtë të ketë akses në informacionet zyrtare, pavarësisht nëse i duhet për veten e tij apo për një person të tretë, si dhe të kërkojë llogari (të drejtojë një kërkesë) për refuzimin e ofrimit të informacionit ose mosdhënien e plotë të informacionit. Informacionet dhe dokumentat me karakter sekret, konfidencial apo te dhëna nga jeta private e shtetasve nuk mund te jepen.

Kush është përgjegjës për dhënien e Shërbimit? Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Procedura administrative Komisioneri verifikon faktet dhe bazën ligjore ku është mbështetur ankesa. Komisioneri mund ti kërkojë personit që bën ankimimin dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin shpjegime të tjera me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Komisioneri pas vlerësimit të ankesës vendos: (i) pranimin e saj dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesëshme, brenda një afati të caktuar; (ii) mospranimin e ankesës, ose rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi. Ankimi mund të dërgohet me e-mail në adresën info@idp.al, dorazi ose me postë në adresën: Rruga e Kavajës, Nd.80, H.1, Tiranë.
Procesi administrativ
Dokumenti i prodhuar si rezultat i shërbimit Përgjigjia me shkrim që informon kërkuesin e shërbimit mbi ankesën e tij (pa afat të përcaktuar vlefshmërie).
Baza Ligjore • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
• Ligj Nr. 119/2014, datë 18.09.2014 “Për të drejtën e informimit“;
• Ligj Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (ndryshuar me ligjin nr. 48/2012, ndryshuar me ligjin nr.120/2014)
• Ligj nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”
• Ligj nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”
• Ligj nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” (ndryshuar me ligjin nr.9541, datë 22.5.2006; ndryshuar me ligjin 25/2012)
• Ligj Nr.10 325, datë 23.9.2010 “Për bazat e të dhënave shtetërore”
• Ligj Nr. 44/2015, datë 30.04.2015, “Kodi i procedurave administrative i Republikës së Shqipërisë“.
• Ligj nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
• Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 136, datë 7.3.2018 “Për funksionimin dhe administrimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror”.
• Vendim nr. 145, datë 13.3.2018 “Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit”
• Urdhër i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDHP), nr. 14, datë 22.1.2015 “Për miratimin e programit model të transparences”.