Programi për përshtatjen e përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave

PROGRAMI PËR PËRSHTATJEN E PËRMIRËSIMIN
E KUSHTEVE TË OBJEKTEVE DHE BANESAVE
Titulli i shërbimit Programi për përshtatjen e përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave
Cfarë është programi për përshtatjen e përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave? 1. Programi për përshtatjen e objekteve, pronë shtetërore, nënkupton ndihmën që u jepet, me grante konkurruese, njësive të vetëqeverisjes vendore nga buxheti i shtetit, për t’i kthyer ato në banesa, me qëllim strehimin. Procesi i kthimit të këtyre objekteve në fond banese miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese private ose pronë shtetërore nënkupton ndihmën që u jepet, me grante konkurruese, njësive të vetëqeverisjes vendore nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
3. Me përmirësim të kushteve të banesave ekzistuese dhe, nëse është e nevojshme, deri në ndërtim të ri, kuptohet tërësia e punimeve që duhet të kryhen, me qëllim që banesa të shndërrohet në një strehim të përshtatshëm, sipas kushteve të parashikuara në nenin 4 të ligjit 22/2018 .
Cilët janë përfituesit nga programi i përmirësimit të kushteve të banimit?
1. Nga programi i përmirësimit të kushteve të banimit, si dhe përmirësimit deri në ndërtim të ri përfitojnë familjet/individët, të cilëve u mungon një strehim i përshtatshëm.
2. Përparësi në trajtimin me këtë program kanë:
a) personat me aftësi të kufizuara;
b) individët me statusin e jetimit;
c) familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç) të moshuarit;
d) komuniteti rom;
dh) komuniteti egjiptian;
e) komunitetet e zonave rurale;
ë) prindërit e vetëm;
f) viktima të trafikimit /viktima të mundshme të trafikimit;
g) viktima të dhunës në familje.
Cilat janë objektet/banesat që trajtohen nga programi i përmirësimit të kushteve?
1. Objektet dhe banesat, që trajtohen nga programi i përmirësimit të kushteve ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri, janë:
a) objektet/banesat në rrezik shembjeje;
b) objektet/banesat e amortizuara, që kanë nevojë për ndërhyrje dhe përmirësime të domosdoshme.
2. Administrimi i kërkesave dhe identifikimi i ndërhyrjeve për përmirësimin e kushteve të objekteve/banesave ekzistuese duhet të bëhet nga struktura përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Instrumentet e programit të kushteve të objekteve dhe banesave ekzistuese
1. Programi për përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave ekzistuese realizohet nëpërmjet grantit konkurrues për:
a) përmirësimin e kushteve të banimit e jetesës, deri në ndërtim të ri, për banesat në rrezik shembjeje;
b) përmirësimin e kushteve të banimit në banesat e amortizuara;
c) rregullimin e banesave individuale ose strukturave, të cilat nuk klasifikohen si banesë, nga vetë familjet që nuk sigurojnë të ardhurat e nevojshme për ta kryer vetë përmirësimin.

2. Kriteret dhe procedurat e përfitimit dhe dhënies së granteve konkurruese përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.