Programi i strehëve të përkohshme

PROGRAMI I
STREHËVE TË PËRKOHSHME
Titulli i shërbimit Programi i strehëve të përkohshme
Cfarë janë strehët e përkohshme? Strehët e përkohshme janë objekte ose pajisje që montohen dhe çmontohen lehtë dhe që shërbejnë për strehim të përkohshëm. Me strehim të përkohshëm kuptohet strehimi për një afat deri në dy vjet. Menjëherë me strehimin në strehët e përkohshme, përfituesit e këtij programi duhet të aplikojnë në programet e tjera sociale të strehimit.
Cilët janë përfituesit? Strehët e përkohshme shërbejnë për strehimin e:
a) refugjatëve;
b) individëve që zhvendosen nga vendbanimi për shkak të fatkeqësive natyrore a njerëzore;
c) individëve që zhvendosen për shkak të investimeve publike ose private dhe nuk përfitojnë kompensim, vetëm në ato raste kur njësia e vetëqeverisjes vendore dëshmon se nuk disponon asnjë alternativë tjetër strehimi në kuadër të programeve të tjera të strehimit social;
ç) emigrantëve të rikthyer;
d) personave të pastrehë, që banojnë në mjedise që nuk klasifikohen si vende për banim.
Cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë strehët e përkohshme? Strehët e përkohshme:
– vendosen në vende të përshtatshme, të pastra e të sigurta nga përmbytjet dhe rreziqe të tjera;
– sigurojnë mbrojtjen e duhur nga kushtet atmosferike;
– zonat në të cilat instalohen strehët e përkohshme duhet të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme, tualete dhe dushe.

Ministri përgjegjës për strehimin përcakton nëpërmjet udhëzimit kushtet e tjera që duhet të plotësojnë strehët e përkohshme.

Nga financohen strehët e përkohshme?
1. Strehët e përkohshme financohen:
– me fondet e buxhetit të shtetit,
– me fondet e njësisë së vetëqeverisjes vendore,
– nëpërmjet donacioneve e kredive të institucioneve publike ose private, vendase apo të huaja.
2. Sigurimi i strehëve të përkohshme bëhet nga institucionet publike ose private, nëpërmjet ndërtimit, instalimit ose blerjes së objekteve apo pajisjeve.
Si realizohet administrimi dhe mirëmbajtja e strehëve të përkohshme? 1. Ndërtimi, instalimi dhe ngritja e strehëve të përkohshme sigurohen nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me subjektet ose institucionet publike apo private që financojnë ngritjen e tyre.
2.Institucionet publike, të ngarkuara për administrimin e strehëve të përkohshme dhe mirëmbajtjen e tyre, mund të lidhin kontrata me subjekte publike ose subjekte private fitimprurëse ose jofitimprurëse.
3.Këshilli i Ministrave përcakton nëpërmjet vendimit institucionet publike që administrojnë strehët, kriteret, procedurat dhe kapacitetet e mjaftueshme për të menaxhuar çështjet sociale, financiare e teknike, procedurat që lidhen me administrimin dhe mirëmbajtjen e strehëve, kompetencat e subjekteve përgjegjëse dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.