Programi i banesave të specializuara

PROGRAMI I
BANESAVE TË SPECIALIZUARA
Cfarë janë banesat e specializuara dhe cilët janë përfituesit? Banesat e specializuara janë banesat në të cilat njësitë e vetëqeverisjes vendore adresojnë një nevojë specifike strehimi, në të cilat përfshihen banesat për:

a) të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuara;
b) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
c) viktimat e dhunës në familje;
ç) fëmijët, të cilët janë pa kujdes prindëror ose janë marrë në mbrojtje nga institucionet shtetërore dhe që përgatiten për të kaluar në jetën e pavarur, të miturit nga 14–18 vjeç ose të rinjtë nga 18–21 vjeç, pas lirimit ose kryerjes së programeve që lidhen me drejtësinë penale;
d) vajzat nëna.

Kushtet dhe normat e projektimit të banesave të specializuara hartohen nga ministria përgjegjëse për strehimin, në bashkëpunim me ministritë e linjës, dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

a) Banesat e specializuara për të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuara
1. Banesat e specializuara sociale për të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuara duhet të pajisen me infrastrukturën e nevojshme, të përshtatur dhe të aksesueshme për lehtësimin e sigurimin e marrjes së ndihmës së shpejtë mjekësore, si dhe të njoftimit, në raste emergjencash.
2. Banesat e specializuara për të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuara jepen në uzufrukt, me afat sa jetëgjatësia e përfituesve. Kur kjo kategori nuk ka të ardhura familjare /individuale, atëherë dhënia në uzufrukt bëhet pa shpërblim.
3. Për banesat e kësaj kategorie parashikohen në katet e para mjedise të nevojshme për fizioterapi, shërbime mjekësore, shërbime sociale, si dhe mjedise të përbashkëta për jetë komunitare.
b) Banesat e specializuara për viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje
1. Banesat e specializuara për viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje pajisen me shërbimin e punonjësve të specializuar socialë dhe u garantohet mbrojtje nga punonjësit e Policisë së Shtetit në rastet e rrezikut për jetën dhe shëndetin.
2. Banesat e specializuara për viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje duhet të pajisen me infrastrukturën e nevojshme për njoftimin e policisë, në raste rreziqesh ose emergjencash.
3. Banesat e specializuara për viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje jepen me qira, duke iu nënshtruar respektimit të kushteve, të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga programi i banesave sociale me qira, i parashikuar në këtë ligj. Këto kategori përfitojnë nga programi i banesave të specializuara derisa t’u sigurohet përfitimi nga një prej programeve të tjera sociale të strehimit.
c) Banesat e specializuara për të miturit 14–18 vjeç ose të rinjtë 18–21 vjeç, pas lirimit ose kryerjes së programeve rehabilituese
1. Banesat e specializuara për të miturit nga mosha 14 deri në 18 vjeç, pas lirimit ose kryerjes së programeve rehabilituese, përdoren në rastet kur nga organet kompetente vendoset se rikthimi i tyre në familje rrezikon kryerjen e së njëjtës vepre penale apo të një vepre tjetër penale.
2. Banesat e specializuara për të miturit, sipas pikës 1, më sipër, pajisen me shërbimin e kujdestarisë për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre për arsimim, shëndetësi, mirërritje, punësim, me qëllim integrimin dhe rishoqërizimin në komunitet.
3. Banesat e specializuara për të rinjtë nga 18–21 vjeç jepen me qira, në rastin kur këta nuk kanë banesë ose kur referohet nga shërbimet sociale dhe shërbimi i provës që të jetojnë veçmas nga familjet e tyre. Në rastin kur të rinjtë nuk janë në marrëdhënie pune, banesa jepet në huapërdorje derisa njësia e vetëqeverisjes vendore të mund të sigurojë punësimin e tyre.
4. Në banesat e specializuara për të miturit dhe të rinjtë, të parashikuara nga ky nen, ofrohet shërbimi i psikologut ose punonjësit social, për të siguruar monitorimin e tyre, me qëllim integrimin dhe rishoqërizimin në komunitet.
5. Banesat e specializuara sociale për të miturit (14–18 vjeç) dhe të rinjtë (18–21 vjeç) duhet të pajisen me infrastrukturën e nevojshme për njoftimin e policisë në raste rreziqesh ose emergjencash.
d) Banesat e specializuara për vajzat nëna
1. Banesat e specializuara për vajzat nëna sigurojnë sistemimin në to të vajzave nëna gjatë dhe pas shtatzënisë, derisa fëmija të arrijë moshën 5 vjeç, kur ato janë nëna të vetme, nuk kanë mundësi strehimi, për shkak të mospranimit të gjendjes së tyre nga ana e familjarëve të tyre dhe kur nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar strehimin.
2. Banesat e specializuara për vajzat nëna duhet të pajisen me shërbimin e nevojshëm shëndetësor, të specializuar për kujdesin dhe mbrojtjen e shëndetit të nënës e të fëmijës dhe infrastrukturën përkatëse, si dhe me shërbimin e psikologut e të punonjësit social.
3. Banesat e specializuara për vajzat nëna jepen në huapërdorje ose uzufrukt pa shpërblim, për një afat deri në 5 vjet, kur vajzat nëna nuk kanë të ardhura, ose me qira, për sa kohë janë të identifikuara si të tilla, duke iu nënshtruar respektimit të kushteve, të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga programi i banesave sociale me qira, të parashikuara në këtë ligj.
4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për të ndërthurur programin e banesave të specializuara edhe me programe për sigurimin e mirërritjes së fëmijës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të kujdesen edhe për punësimin e vajzave nëna dhe sistemimin e fëmijëve të tyre në sistemin parashkollor publik.
5. Pasi fëmija arrin moshën 5 vjeç, vajzat nëna kalojnë nga programi i banesave të specializuara në një program tjetër social, që i përgjigjet gjendjes së tyre ekonomike dhe nivelit të të ardhurave që ato sigurojnë.
Si sugurohet fondi i banesave të specializuara?
1. Fondi i banesave të specializuara mund të sigurohet nëpërmjet investimit për ndërtim, blerjes në tregun e lirë ose marrjes me qira nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
2. Banesat e specializuara financohen me fondet e buxhetit të shtetit, të njësive të vetëqeverisjes vendore ose me bashkëfinancim, nëpërmjet donacioneve e kredive të institucioneve publike apo private.
3. Të ardhurat e grumbulluara nga qiratë e banesave të specializuara shkojnë në favor të këtij programi, për mirëmbajtjen e tyre.
Administrimi dhe mirëmbajtja
1. Administrimi dhe mirëmbajtja e banesave të specializuara bëhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të lidhin kontrata për mirëmbajtjen e banesave të specializuara me entet menaxhuese, si dhe me organizatat jofitimprurëse.
3. Mënyra e administrimit dhe e mirëmbajtjes përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për strehimin dhe ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, veprimtaria e të cilave ndërthuret me kategoritë që përfshihen në këtë program dhe përfitojnë prej tij.