Programi i banesave sociale me qira

PROGRAMI I BANESAVE
SOCIALE ME QIRA
Titulli i shërbimit Programi i banesave sociale me qira
Cfarë është program i banesave sociale me qera? Programi i banesave sociale me qira është programi, me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë në pronësi të pronarit social.
Banesat sociale me qira përfshijnë:
a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale;
b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të pronarit social;
c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen.
Sa janë kufijtë e të ardhurave të individëve/familjeve që përfitojnë nga banesat sociale me qira?
1. Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
2. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100–120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
Përcaktimi i qirasë
1. Kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ose kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi llogaritet nga struktura përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, brenda kufirit të përcaktuar në pikën 2 më poshtë.
2. Masa e qirasë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas metodikës për llogaritjen, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 3 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga institucionet shtetërore, për banesat e reja, ose 3 për qind e vlerës së banesës së blerë në treg, përveç rastit të përcaktuar në pikën 5 më poshtë.
4. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, më sipër, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre.
5. Kur banesat sociale me qira financohen nga fondet e investimeve të buxhetit të shtetit kur njësia e vetëqeverisjes vendore ka ngritur strukturën përgjegjëse për menaxhimin e strehimit ose ka përcaktuar përgjegjësitë në një nga strukturat ose ka hartuar programin 5-vjeçar të strehimit, masa e qirasë përcaktohet nga subjektet që e kanë financuar dhe njësia e vetëqeverisjes vendore dhe miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku zbatohet projekti.
6. Masa e qirasë, e shprehur në lekë për metër katror, duhet të mbulojë kostot për administrim, mirëmbajtje, kosto operacionale dhe kosto të investimit ose të shlyerjes së borxhit. Niveli i qirasë sociale nuk duhet të jetë më i lartë se niveli mesatar i qirasë në tregun e lirë.
7. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen me hollësi të drejtat dhe detyrat e palëve.
SUBVENCIONI I QIRASË
Cfarë është subvencioni i qirasë?
Subvencioni i qirasë është një mjet i programit të banesave sociale me qira, që ndihmon individët/familjet, të cilët me të ardhurat e tyre nuk përballojnë pagesën e qirasë sociale ose reale.
Sa është masa e subvencionimit? Masa e subvencionit është në varësi të nivelit të të ardhurave të familjes. Subvencioni mund të mbulojë deri në 100 për qind të qirasë sociale, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe ato që janë në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nëse nuk e kanë përfituar atë, dhe që strehohen në banesa sociale me qira.
Rregullat e përgjithshme mbi subvencionimin e qirasë
1. Subvencionimi i qirasë si rregull kryhet nga të ardhurat e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Subvencionimi i qirasë mund të bëhet edhe nga pushteti qendror, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 35, të këtij ligji.
2. Aplikimi i individit/familjes për të përfituar nga subvencionimi i qirasë do të bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve për subvencionimin e qirasë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ndërtohet banesa. Kur subvencionimi i qirasë financohet pjesërisht ose plotësisht nga qeverisja qendrore, lista e përfituesve, e miratuar nga bashkia, i përcillet ministrisë përgjegjëse për strehimin, e shoqëruar me kërkesën për financim.
3. Përparësi në subvencionimin e qirasë sipas sistemit të pikëzimit kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e mëposhtme: a) individët me statusin e jetimit; b) personat me aftësi të kufizuara; c) të moshuarit; ç) invalidët e punës; d) familjet e policëve të rënë në detyrë; dh) emigrantët e rikthyer; e) punëtori emigrant; ë) azilkërkuesit; f) familjet e komunitetit rom; g) familjet e komunitetit egjiptian; gj) Viktimat e dhunës në familje; h) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; i) prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë; j) individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 3 të këtij ligji; k) të miturit, 14–18 vjeç, dhe të rinjtë, 18–21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri; l) vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara; ll) familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas aktit normativ nr. 3, datë 1.3.2012.Radhën e përparësisë së kategorive e përcakton këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore me vendim.
Administrimi i kërkesave për planifikimin e fondeve nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirasë Brenda muajit nëntor të çdo viti rishikohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore aplikimet dhe dokumentacioni i nevojshëm, i përditësuar, për risubvencionim për vitin pasardhës nga përfituesit ekzistues dhe i përcillen ministrisë përgjegjëse për strehimin.
Kërkesat e aplikuesve të rinj, për përfitimin e subvencionimit, mund të paraqiten në çdo kohë gjatë vitit, por jo më vonë se muaji nëntor për vitin pasardhës.
Subvencionimi i qirasë për banesat në pronësi të pronarit social
1. Subvencionimi i qirasë për banesat bëhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me miratimin e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore të veta, kur nuk kanë fond të lirë banesash sociale me qira, si rregull kur: a) nuk zotërojnë fonde për investime të reja ose blerje banesash në treg; b) ndërtimi ose blerja e banesave nga tregu është më i kushtueshëm sesa subvencionimi i qirave; c) familja është në kushtet e emergjencës për strehim dhe kur nuk përfiton nga një program tjetër.
2. Bëjnë përjashtim nga kushtet e parashikuara në pikën 1, më sipër, rastet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore konstatojnë se: a) familja që kërkon të strehohet në banesa sociale me qira banon në një banesë me qira, e cila ndodhet pranë vendit të punës, shkollës së fëmijëve, qendrave shëndetësore ose pranë shërbimeve të tjera; b) banesa sociale me qira është siguruar me financim nga persona juridikë privatë dhe qiraja është sipas pikës 5, të nenit 30, të ligjit nr.22/2018.
Administrimi i subvencionit të qirasë në pronësi të pronarit social
1. Subvencioni paguhet drejtpërdrejt në llogari të pronarit, ndërsa qiramarrësi përfiton vetëm të drejtën për të përdorur banesën me qira. Subvencioni i qirasë jepet me miratimin e këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me buxhetin që jepet çdo vit për subvencionimin e qirave, sipas nenit 33, të ligjit nr.22/2018, dhe bazuar në kriteret që duhet të plotësojë familja për të përfituar subvencionimin e qirasë sipas këtij ligji.
2. Kriteret e dhënies së subvencionit të qirasë për kategori të përcaktuara në pikën 3, të nenit 34, të këtij ligji, nëpërmjet buxhetit të shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përcaktimi i vlerës së subvencionit të qirasë në tregun e lirë
1. Vlera e subvencionit të qirasë mund të jetë deri në 100 për qind e vlerës së qirasë mesatare të banesave në tregun e lirë për njësinë e vetëqeverisjes vendore ku jepet ky subvencion. Vlera maksimale e subvencionit të qirasë përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm, dhe miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
2. Pagesa që duhet të bëjë familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së subvencionimit të qirasë nuk duhet t’i kalojë 25 për qind të të ardhurave të familjes.
3. Mënyra e llogaritjes së vlerës së subvencionimit të qirasë në tregun e lirë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Lidhja e kontratës së qirasë
1. Kontrata e qirasë lidhet ndërmjet pronarit ose përfaqësuesit të autorizuar prej tij dhe, sipas rastit, individit përfitues ose, në rastin e familjeve, prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve, në bazë të dispozitave të Kodit Civil.
2. Kontrata e qirasë lidhet me të drejtë ripërtëritje çdo vit, bazuar në dokumentimin zyrtar që vërteton të ardhurat e çdo individi të familjes.
3. Vërtetimi i të ardhurave, sipas rastit, merret nga qendra e punës ose personi juridik apo fizik që e ka punësuar, ose zyra përkatëse e ndihmës sociale pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në rastin e individëve pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta, shpenzimet për lidhjen e kontratës së qirasë përballohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
4. Çdo pjesëtar madhor i familjes vetëdeklaron të ardhurat e veta, sipas pikës 44, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018 .
5. Nëse familja siguron një banesë tjetër, kryefamiljari detyrohet të bëjë njoftimin e menjëhershëm pranë entit menaxhues, nga i cili ka përfituar banesën me kontratë qiraje sociale. Afati i njoftimit për lirimin e banesës përcaktohet në dispozitat e kontratës.
6. Me lidhjen e kontratës, qiramarrësi është i detyruar të paguajë një paradhënie, në formë garancie, në vlerën e një qiraje mujore. Vlera e garancisë zbritet nga qiraja e muajit të fundit të afatit të qirasë, përveç rasteve kur ajo duhet të përdoret për riparimet e nevojshme të banesës, të diktuara nga dëmtimi i saj nga qiramarrësi ose përveç rasteve kur palët në kontratën e qirasë kanë parashikuar ndryshe. Për familjet pa të ardhura ose me të ardhura shumë të ulëta, paradhënia paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, e cila kryen subvencionimin e qirasë.
Zgjidhja e kontratës së qirasë nga qiradhënësi para afatit
1. Kontrata e qiramarrjes zgjidhet nga qiradhënësi, në mënyrë të njëanshme, para përfundimit të afatit të kontratës, nëse: a) qiramarrësi bën deklarim të rremë për të ardhurat; b) qiramarrësi ka përfituar një banesë tjetër; c) qiramarrësi ia ka lënë me qira një të treti; ç) qiramarrësi, pa arsye të justifikuara, nuk ka paguar qiranë për 3 muaj rresht; d) të ardhurat e qiramarrësit tejkalojnë ato të përcaktuara në pikën 1, të nenit 19, të ligjit nr.22/2018.
2. Qiradhënësi duhet të njoftojë me shkrim qiramarrësin para zgjidhjes së kontratës, sipas kushteve dhe në adresën e përcaktuar në kontratën e qirasë.
3. Pas zgjidhjes së kontratës, qiramarrësi është i detyruar të bëjë lirimin e banesës dhe t’ia dorëzojë pronarit në gjendjen dhe me inventarin që e ka marrë në dorëzim.
4. Në rast se qiramarrësi, nuk ka paguar qiranë për 3 muaj rresht për shkaqe të tilla si: shpenzime të arsyeshme shëndetësore, papunësi e menjëhershme ose humbje e një pjesëtari të familjes, që siguronte të ardhurat dhe këto arsye nuk ndryshojnë me kalimin e tre muajve, qiramarrësi kalon në një nga programet e tjera të strehimit social. Detyrimet e pashlyera për tre muajt e fundit mbulohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
Zgjidhja e kontratës së qirasë nga qiramarrësi para afatit
1. Qiramarrësi duhet të njoftojë me shkrim pronarin e banesës për zgjidhjen e kontratës përpara afatit, brenda 3 muajve para zgjidhjes së saj, në adresën e përcaktuar në kontratën e qirasë. Pronari, nëpërmjet entit menaxhues, bën verifikimin e kushteve të banesës. Nëse vërehen dëmtime të banesës dhe/ose pajisjeve që janë në pronësi të pronarit të BSQ-së, pronari mund të mbajë garancinë për kundërvlerën e dëmtimeve.
2. Në rastin e zgjidhjes së kontratës së qirasë para afatit, garancia e paguar si paradhënie kthehet, me përjashtim të rastit kur qiramarrësi nuk ka përmbushur detyrimet.