PROGRAMI I BANESAVE
ME KOSTO TË ULËT (BKU)
ME KOSTO TË ULËT (BKU)
Cfarë është banesa me kosto të ulët? | 1. Banesë me kosto të ulët konsiderohet banesa që plotëson të gjitha kushtet teknike, standardet e ndërtimit dhe normat e strehimit në fuqi, që është e paracaktuar për t’u disponuar në pronësi nga përfituesi, nëpërmjet formave të ndryshme të lehtësimit nga institucionet shtetërore. 2. Banesat me kosto të ulët që sigurohen nëpërmjet ndërtimit, në njësitë e vetëqeverisjes vendore, ku vlerat e tregut janë më të larta se kostoja e ndërtimit, shiten me çmim nën vlerën e tregut, por jo nën vlerën e kostos së ndërtimit. 3. Në rastet kur vlera e banesës në tregun e lirë është më e ulët se kostoja e ndërtimit, këto banesa blihen dhe përfshihen në programin e BKU-së, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 1 më sipër. |
---|---|
Cilët janë përfituesit nga programi i banesave me kosto të ulët? | 1. Përfitojnë nga programi i banesave me kosto të ulët familjet me të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse , të cilat, në kohën e paraqitjes së kërkesës pranë strukturës përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore: a) vërtetojnë se nuk kanë banesë ose nuk kanë kryer asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë, të paktën në 5 vitet e fundit, përveç rastit kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të një fatkeqësie (vdekje apo sëmundje e rëndë) ose force madhore; b) zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; c) janë të zhvendosura nga banesat, sipas parashikimeve në nenin 6 të këtij ligji . 2. Kur përfitues është një familje që ka siguruar banesë nëpërmjet programeve sociale nga procesi i privatizimit ose nëpërmjet blerjes në tregun e lirë dhe sipërfaqja e banimit është nën normat e strehimit, bëhet shkëmbimi i banesës nën normë për të marrë një banesë në normat e nevojshme të strehimit, duke u llogaritur diferenca ndërmjet vlerës së banesës ekzistuese me vlerën e banesës me kosto të ulët që merr. Banesa ekzistuese nën normë bëhet pjesë e fondit publik të banesave dhe vihet në dispozicion të programit të banesave me kosto të ulët. |
Cilat janë procedurat administrative? | Normat e strehimit, të këtij shërbimi dhe procedura e shkëmbimit të banesës me kosto të ulët, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. |
Cili është organi përgjegjës për dhënien e shërbimit? | Administrimi i kërkesave për këto banesa bëhet nga strukturat përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore. |
Kufizimet e përfituesëve të BKU | 1. Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët, nuk mund t’i kalojë të drejtat që ajo ka mbi këtë banesë te një individ tjetër ose ta lëshojë atë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë. 2. Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët dhe e ka shlyer kredinë, duke u bërë pronare e saj, në rast tjetërsimi të banesës humbet të drejtën për të përfituar nga programet e strehimit për një periudhë 10- vjeçare, me përjashtim kur e tjetërson banesën për arsye madhore, si vdekje apo sëmundje e rëndë. 3. Nëse, për arsye madhore, si vdekje apo sëmundje e rëndë, familja që ka përfituar banesë me kosto të ulët e tjetërson atë, i lind e drejta për të aplikuar në një nga programet e strehimit. |
Cilat janë format e sigurimit dhe burimet e financimit për BKU? | 1. Banesat me kosto të ulët sigurohen nga subjekte publike ose private, nëpërmjet ndërtimit ose blerjes nga tregu. 2. Banesat me kosto të ulët mund të financohen: -me fondet e buxhetit të shtetit, -me fondet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, -fondet e institucioneve publike, -nëpërmjet donacioneve e kredive dhe -nëpërmjet nxitjes së nismës private. Forma dhe procedurat e nxitjes së nismës private dhe të bashkëpunimit me sektorin privat rregullohen sipas përcaktimeve të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. 3. Normat dhe standardet e banesave me kosto të ulët, procedurat e blerjes nga tregu, procedurat e vlerësimit dhe të shitjes, si dhe kriteret e përcaktimit të çmimit të shitjes së truallit familjeve që përfitojnë banesa me kosto të ulët konkrete në varësi të nivelit të të ardhurave të tyre, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për lehtësimin e blerjes së BKU-së nga përfituesi përdoren instrumentet financiare të mëposhtme: a) granti i menjëhershëm; dhe/ose b) subvencioni i interesave të kredive. |
a) Granti i menjëhershëm për banesat me kosto të ulët Cilët janë përfituesit e grantit të menjëhershëm? |
Përfituesit e grantit të menjëhershëm janë familjet të cilat kanë në përbërje: a) një person me aftësi të kufizuar, në përputhje me përcaktimet në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave; b) një individ me statusin e jetimit, i cili, në momentin e aplikimit nuk ka mbushur moshën 30 vjeç; c) kryefamiljarin e vetëm, në rastin kur ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç; ç) familjet e komunitetit rom dhe egjiptian. |
Sa është shuma që përfitohet? | Shuma e grantit të menjëhershëm, që përfiton individi, është në masën 10 për qind të çmimit të shitjes së banesës me kosto të ulët. Granti i menjëhershëm për kategoritë e përcaktuara më sipër, akordohet nga buxheti i shtetit, sipas procedurave, kritereve dhe përparësive që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. |
b) Subvencionimi i interesave të kredive | Familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët kanë të drejtën e marrjes së një kredie hipotekore me kushte lehtësuese nga një institucion financiar, që ka lidhur marrëveshje me ministrinë përgjegjëse për strehimin, ministrinë përgjegjëse për financën ose me njësinë e vetëqeverisjes vendore. |
Cilët janë përfituesit e subvencionimit të kredive? | Ato familje, të cilat me të ardhurat e tyre nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi të vetëqeverisjes vendore dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit. Masa e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurat e dhënies së saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kushtet e dhënies së kredisë për familjet përfituese përcaktohen me marrëveshje të përbashkët të institucionit financiar dhe ministrit përgjegjës për strehimin ose, sipas rastit, të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe institucionit që jep e menaxhon kredinë. |
Sa është masa e subvencionimit? | Masa e subvencionit, që rezulton në fund të periudhës së maturimit të kredisë, nuk duhet të kalojë më shumë se 100 për qind të vlerës së banesës. Në rast se nga llogaritjet rezulton një subvencion më i madh për përballimin e kësteve të kredisë, ose kur kësti i kredisë edhe pas subvencionit të interesave të kredisë është i papërballueshëm , familja përzgjidhet për t’u trajtuar në njërin nga programet e tjera sociale të strehimit. |