Informacion i pergjithshëm

INFORMACION I PËRGJITHSHËM

 

Cilat janë programet sociale të strehimit? Programet e strehimit social janë:

  1. programi i banesave sociale me qira, në vijim BSQ;
  2. programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
  3. programi i banesave me kosto të ulët, në vijim BKU;
  4. programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
  5. programi për krijimin e banesave të përkohshme;
  6. programi i banesave të specializuara.
Cilat janë kushtet për fitimin e statusit të përfituesit nga programet sociale të strehimit? 1. Statusin e përfituesit nga programet sociale, e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura dhe që në momentin e aplikimit plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a)nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
b)kanë mbetur të pastrehë, si rezultat:
i) i fatkeqësive natyrore;
ii) i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë;
iii) i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve;
iv) nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë;
c)familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.
2. Përfitojnë nga programet e strehimit social të këtij ligji edhe shtetas të huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin si “punëtor emigrant” dhe/ose “azilkërkues” dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura.
3. Të drejtën për të përfituar nga programi i banesave sociale të specializuara e kanë edhe të miturit nën moshën 18 vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastin kur bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë, për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre.
Cili është organi përgjegjës për dhënien e shërbimit? Njesia e vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit.
Cilat janë rregullat e përgjithshme për aplikimin në programet sociale të strehimit? 1. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore për këta aplikantë.
2. Dokumentacioni për të përfituar strehim, sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Cilat janë rregullat e përzgjedhjes që aplikohen nëpërmjet sistemit të pikëzimit?
1. Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi, i cili miratohet dhe publikohet për çdo program nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
2. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese me anë të sistemit të pikëzimit përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit, për çdo vit, të specifikuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore dhe për çdo program që zbatohet në ato.
4. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të sigurojë listat e përfituesve brenda një afati dymujor, nga data e njoftimit nga ana e subjektit publik ose privat që ofron dhe realizon një nga programet sociale të strehimit, kur ky subjekt nuk është vetë njësia e vetëqeverisjes vendore. Marrëdhënia e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit që financon projektin përcaktohet me marrëveshje të posaçme.
5. Hartimi i listës së përfituesve kryhet nga zyra përgjegjëse ose struktura e ngarkuar nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve dhe dokumentacioni përkatës vlerësohet nga komisioni i strehimit dhe miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Cilat janë kriteret e përzgjedhjes së përfituesve?
Njësia e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, për hartimin dhe miratimin e sistemit të pikëzimit bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që: i) nuk disponojnë banesë në pronësi; ii) banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje; iii) banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; iv) kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore; v) familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor; vi) banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike.
b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi: i) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna; ii) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
Verifikimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes
Mënyra e verifikimit
1. Mbështetja nga buxheti i shtetit dhe buxheti i njësisë së vetëqeverisjes vendore për përfituesit nga programet sociale të strehimit jepet pas verifikimit të gjendjes ekonomike e financiare të familjes.
2. Verifikimi i gjendjes ekonomike të familjes kryhet nga administratorët shoqërorë, në përputhje me kriteret dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.
Ankimi
1. Pas verifikimit nga administratorët shoqërorë, strukturat përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore njoftojnë zyrtarisht familjen për rezultatet e verifikimit të gjendjes ekonomike.
2. Kundër vendimit të administratorëve shoqërorë individi/familja ka të drejtë të ankohet brenda 10 ditëve nga marrja dijeni e vendimit, pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar një rivlerësim të dytë. Vendimi i rivlerësimit merret nga kryetari dhe i njoftohet ankuesit.
3. Vendimi i rivlerësimit të kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore mund të ankimohet në gjykatën kompetente, në përputhje me afatet dhe procedurën e parashikuar nga legjislacioni në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.