Administrata
Në njësitë administrative funksionon administrata që drejtohet nga administratori. Administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Administratori duhet të ketë vendbanimin në njësinë administrative përkatëse. Struktura dhe organika e administratës së njësive administrative janë pjesë të strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë.
Detyrat e administratës së njësisë administrative
Administrata e njësisë administrative kryen këto detyra:
- është zyrë e shërbimit për të gjitha procedurat administrative në kompetencën e bashkisë;
- mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve në kundërshtim me ligjin;
- mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë;
- bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara;
- bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë tregjet publike; dh) bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë;
- përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial, si dhe mbikëqyr, pas miratimit, zbatimin e tyre, sipas ligjit;
- propozon, sipas ligjit, emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve që janë nën juridiksionin e saj territorial;
- mbështet, koordinon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryetarëve e të kryesive të fshatrave;
- i propozon kryetarit të bashkisë dhënien e titujve të nderit dhe stimujve për personat nën juridiksionin e saj territorial;
- propozon marrjen e nismave në dobi të komunitetit me mundësi të barabarta dhe përfitime nga të gjithë brenda juridiksionit të saj territorial;
- kryen çdo funksion tjetër të deleguar nga kryetari i bashkisë.
Administrata e lagjes
Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje, si rregull, mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.
Në secilën lagje krijohet dhe funksionon administrata e lagjes, që drejtohet nga administratori i lagjes. Administratori i lagjes emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij. Administrata e lagjes kryen të gjitha detyrat administrative, të ngarkuara nga kryetari i bashkisë, si dhe kujdeset për zhvillimin ekonomik vendor, për përdorimin e burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale në lagjen përkatëse. Detyrat më të hollësishme përcaktohen në aktet e nxjerra nga kryetari i bashkisë.