Kryetari
- Është organi ekzekutiv i Bashkisë dhe e ushtron vendimmarrjen e tij nëpërmjet urdhrave, urdhërësave dhe vendimeve, të cilat publikohen në faqen zyrtare të internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe afishohet në vendet e caktuara nga njësia për njoftimet publike.
- Mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje.
- Në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet: Nga një ose më shumë zëvendëskryetarë dhe personeli i administratës.
- I mbaron mandati përpara afatit në rastet kur: nuk pranon të bëjë betimin; jep dorëheqjen; nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur; shkarkohet kur kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata, propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë; kandidon për deputet; humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; vdes.
Detyrat dhe Vendimmarrja e Kryetarit
- Ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës dhe zbaton aktet e këshillit;
- Merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin bashkiak, në përputhje me rendin e ditës së përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ai vetë;
- Raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të bashkisë dhe njësive administrative përbërëse të paktën çdo 6 muaj ose sa herë kërkohet nga këshilli që kanë të bëjnë me funksionet e bashkisë;
- Është anëtar i këshillit të qarkut;
- Emëron, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, zëvendëskryetarin/zëvendëskryetarët e bashkisë, administratorët e njësive administrative/lagjeve dhe i shkarkon ata;
- Vendos për emërimin ose shkarkimin e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërive tregtare në pronësi të bashkisë, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve e të institucioneve në varësi dhe punonjësit e tjerë të strukturave dhe njësive në varësi të bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin për nëpunësin civil;
- Ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar bashkisë, si person juridik dhe është përfaqësuesi i saj në marrëdhëniet me të tretët;
- Merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive;
- Kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato cenojnë interesa të bashkësisë. Në rastin e kthimit të vendimit të këshillit nga kryetari i bashkisë, këshilli mund të miratojë të njëjtin vendim vetëm me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve;
- Miraton strukturën, organikën e kategoritë /klasat e pagave për çdo pozicion të shërbimit civil dhe rregulloret bazë të administratës së bashkisë dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;
- Emëron dhe shkarkon nëpunësit vendorë për barazinë gjinore;
- Kujdeset për mbledhjen dhe përpunimin e statistikave vendore, të ndara sipas gjinisë, dhe siguron publikimin e tyre.