Misioni dhe Parimet e Vetëqeverisjes Vendore

Misioni

Njësia e vetëqeverisjes vendore është njohësja më e mirë e vlerave dhe identiteve vendore, nëpërmjet së cilës kërkon zgjedhjen e llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësive të tjera publike vendore në dobi dhe në forma të përshtatshme të bashkësisë, bazuar në nevojat e anëtarëve të saj. Misioni i vetëqeverisjes vendore është sigurimi i qeverisjeje të efektshme dhe efikase sa më pranë qytetarëve të saj.

Parimet

Parimi i autonomisë vendore – njësitë e vetëqeverisjes vendore gëzojnë, brenda ligjit, liri të plotë për të ushtruar iniciativën e tyre për çdo çështje, që nuk është jashtë kompetencës së tyre apo që mund t’i ketë kaluar një autoriteti tjetër. Ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve.

Parimi i Ligjshmërisë – Në veprimtarinë e tyre organet e njësive të vetëqeverisjes vendore respektojnë dhe zbatojnë Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore.

Parimi i Vazhdimësisë – Çdo bashki dhe qark është njësi vetë-qeverisëse me vazhdimësi.

Parimi i Subsidiaritetit – Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore kryejnë funksionet dhe ushtrojnë kompetenca në një nivel qeverisjeje sa më pranë shtetasve.