Vendimmarrja dhe Parimet e Financave Vendore

Vendimmarrja

Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore i propozon këshillit të njësisë prioritetet strategjike të zhvillimit të njësisë, politikën fiskale vendore, programin buxhetor afatmesëm dhe projektbuxhetin vjetor, huamarrjen vendore, si dhe rregulla, procedura ose masa të nevojshme për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit të menaxhimit financiar të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Projektbuxhetin vjetor kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore e paraqet për miratim në këshill, jo më vonë se data 30 nëntor e vitit buxhetor.

Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes, jo më vonë se data 25 dhjetor, miraton projektbuxhetin. Çdo anëtar i këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore mund të propozojë ndryshime të argumentuara të projektbuxhetit të paraqitur nga kryetari. Në rastin kur buxheti nuk miratohet brenda këtij afati, prefekti i kërkon kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore thirrjen e një mbledhjeje të dytë të këshillit, e cila duhet të mbahet jo më vonë se data 5 janar e vitit pasardhës. Nëse edhe në këtë rast këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk arrin të miratojë buxhetin, Këshilli i Ministrave vendos shpërndarjen para kohe të tij. Në rast të mosmiratimit të buxhetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, as në këtë rast, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore zbaton procedurat për buxhetin e përkohshëm vendor, sipas legjislacionit në fuqi.

Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore merr masa për të publikuar buxhetin vjetor, përfshirë dokumentacionin shoqërues të tij, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen zyrtare të njësisë së vetëqeverisjes vendore jo më vonë se 15 ditë pas miratimit nga këshillat e njësive përkatëse.

Kryetari i njësisë, si rregull, është nëpunës autorizues për menaxhimin e financave publike vendore. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore mund ta delegojë këtë kompetencë, me shkrim, te zëvendëskryetari ose te një nga zëvendëskryetarët e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Këshilli Konsultativ i Vetëqeverisjes Vendore me Qeverisjen Qendrore – është forumi kryesor në të cilin qeverisja qendrore konsultohet me njësitë e vetëqeverisjes vendore për projektligjet, projektvendimet e Këshillit të Ministrave, projektpolitikat dhe projektstrategjitë që rregullojnë ose kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore; funksionet dhe/ose kompetencat e deleguara pushtetit vendor, transferimi i funksioneve ose kompetencave të reja dhe propozimet e politikave për çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës.

 

Parimet e Financave Vendore

Parimi i shumëllojshmërisë së burimeve – Politikat kombëtare financiare garantojnë mjaftueshmërinë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe bazohen në parimin e shumëllojshmërisë së burimeve të të ardhurave.

Parimi i mjaftueshmërisë – Funksionet dhe kompetencat që u delegohen njësive të vetëqeverisjes vendore shoqërohen kurdoherë me mjetet e nevojshme financiare për realizimin e tyre.

Parimi i pavarësisë në krijimin e të ardhurave – Njësive të vetëqeverisjes vendore u garantohet me ligj e drejta për krijimin e të ardhurave në mënyrë të pavarur.

Parimi i sigurisë financiare – Në rast se ndryshimet në politikën fiskale shoqërohen me ulje të niveleve, normave dhe bazës së taksave vendore apo të pjesës së të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore nga taksat e ndara, Ministria e Financave është e detyruar të marrë masat për kompensimin e uljes, nëpërmjet rritjes së transfertave financiare dhe mundësive për huamarrjen vendore dhe/ose formave të tjera.

Parimi i mungesës së deficitit – Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore harton, miraton, zbaton dhe administron çdo vit buxhetin e vet, pa deficit, si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon administrimin e zbatimin e sistemit buxhetor dhe ligjin për financat vendore.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail