CV Kryetari i Bashkisë Tiranë

Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
CURRICULUM VITAE

Ky është kurrikulumi jetësori publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë.

Ai lindi në Tiranë më 17 dhjetor 1979. Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ndoqi studimet e larta në SHBA, ku është diplomuar për “Shkenca Politike” në Grand Valley State University, Michigan. Më pas, ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian. Përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 2003, Erion Veliaj ka punuar në Amerikën e Veriut e të Jugut, Afrikën Lindore dhe në Kosovë.

Në vitin 2003, Veliaj themeloi lëvizjen MJAFT, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare, e që në vitin 2004 mori edhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Levizja Mjaft!, përveç kreativitetit dhe energjisë, u bë e njohur edhe për mënyrën inovative të drejtimit ku mbizotëronte puna e grupit. Në vend të qendërzimit të aktiviteteve nën drejtimin e liderit, Lëvizja karakterizohej nga delegimi i punës tek të gjithë antarët e skuadrës – një element që vazhdon të mbetet thelbësor në mënyrën e drejtimit të Veliajt.

Erion Veliaj drejtoi lëvizjen MJAFT deri në Nëntor të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99.

Në periudhën 2007–2009, Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Europian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin, ku u dallua për organizimin për herë të parë të stukturave të Partisë Socialiste në vendet ku punojnë e jetojnë shqiptarë, e sidomos në Greqi dhe Itali.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj ishte kandidat i PS në qarkun e Gjirokastrës, nga ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2013, Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në krye të kësaj ministrie, ai u dallua për menaxhimin mjaft të suksesshëm të një institucioni, buxheti i të cilit përbën rreth 30% të buxhetit të shtetit. Në vetëm 1 vit e gjysëm, nën drejtimin e Veliajt, MMSR spikati në kabinetin qeveritar dhe në sferën e opinionit publik me hartimin dhe zbatimin me sukses të pesë reformave kryesore, të cilat kishin një rëndësi shumë të madhe për vendin, qoftë edhe për faktin se nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë në 24 vite demokraci:

1) Reforma në pensione. Një ndër reformat më të guximshme, por edhe më të domosdoshme për qytetarët ishte reforma e pensioneve, e cila duke rritur përfitimet për të gjitha pagat rikthehu besimin e qytetarëve në skemë, duke e rritur numrin e kontribuesve me 93,392 vetë në vetëm 1 vit.
2) Tregu i punës. Me hapjen e zyrave të reja e moderne të punës dhe ndryshimin e imazhit të shërbimeve të punësimit, reforma e tregut të punës dha rezultatet e para duke rritur numrin e të punësuarve.
3) Pagesat sociale. Një sfidë me rëndësi ishte edhe situata me pagesat sociale për shtresat në nevojë, të cilët nuk i merrnin pagesat e muajve të fundit të vitit. Pastrimi i skemave nga
abuziviteti, dixhitalizimi dhe mirë-administrimi i financave bënë të mundur që ata t’i merrnin të gjitha pagesat në kohë në vitin 2014.
4) Arsimi profesional. Një reformim të thellë pa edhe sistemi i arsimit profesional duke u orientuar drejt sistemit dual gjerman, duke i dhënë më shumë rëndësi praktikimit të aftësive teorike e duke i afruar aftësitë e nxënësve me kërkesat e tregut të punës.
5) Të përndjekurit politikë. Performanca e Veliaj në krye të MMSR do të mbahet mend edhe për guximin e treguar në nisjen e procesit të hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit si edhe në reformimin e sistemit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, duke dhënë 4 këste në vetëm 1 vit, ndërkohë që në 8 vjet ata ishin dëmshpërblyer me vetëm 1 këst.