PASAPORTA E BASHKISË VAU-DEJËS
VAU-DEJËS
48,966
30,438
499.09 km2
Zona Gjeografike: Bashkia Vau i Dejës kufizohet në veri dhe në perëndim me bashkinë e Shkodrës, në lindje me bashkinë Fushë Arrëz ndërsa në jug me bashkitë Pukë dhe Lezhë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Vaut të Dejës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 30,438 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 48,966 banorë. Bashkia e re ka në një sipërfaqe prej 499.09 km2 me një densitet prej 98.11 banorë/km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e Vaut të Dejës zgjerohet me 5 komuna, të cilat merren kryesisht me bujqësi, ndërsa zona ka resurse të konsiderueshme ujore. Në të ndodhet hidrocentrali i Vaut të Dejës si dhe HEC-et Ashta 1 dhe Ashta 2, të ndërtuara me koncesion privat gjatë viteve të fundit. Komuna e Bushatit, e cila i shtohet Bashkisë së re është një zonë e njohur për prodhimet bujqësore dhe ka një aktivitet jo të vogël në eksportin e zarzavateve. Nga ana tjetër, Komunat Shllak dhe Temal gjenden në anën tjetër të liqenit të Vaut të Dejës dhe pa lidhje historike me bashkinë e re. Këto dy komuna janë veçanërisht të varfra me tokë për shkak se një pjesë e konsiderueshme e tyre është përmbytur nga liqeni i Vaut të Dejës.
Para viteve 90, shumica e banorëve në Vaun e Dejës punonin në hidrocentral, në fabrikën e bakrit si dhe në kooperativa bujqësore. Ndërkohë që zhvillimi ekonomik aktual mbështetet kryesisht në bizneset e vogla të shërbimit, të cilat janë të pozicionuara kryesisht në qytetin Vau e Dejës. Niveli i papunësisë është i lartë, ndaj edhe një pjesë e madhe e popullsisë gjendet në emigrim, kryesisht në shtetet e Italisë dhe Greqisë. E veçantë për këtë bashki është ekzistenca e sipërfaqeve të konsiderueshme ujore, ku dominon liqeni i Hidrocentralit të Vaut të Dejës, lumi Drin që vazhdon në shtratin e tij të vjetër që nga pengesa e digës së Hidrocentralit si dhe lumi Gjadër që shkëputet nga lumi i parë, rreth 1 km në juglindje të qytetit të Vaut të Dejës.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al