PASAPORTA E BASHKISË TROPOJË
TROPOJË
28,216
20,517
1057.3 km2
Zona Gjeografike: Tropoja kufizohet në veri me Republikën e Kosovës dhe të Malit të Zi, në perëndim me Bashkinë Shkodër, në jug me bashkitë Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz dhe në jug-lindje me Bashkinë Has. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Bajram Currit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re ka një popullsi prej 20,517 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 28,216 banorë. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 1057.3 km2 me një densitet prej 26.68 banorë/km2 sipas të dhënave të Regjistrit Civil dhe 19.40 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Të dhëna të tjera: Tropoja zotëron pasuri të shumta natyrore, por mungesa e investimeve dhe e perspektivës së zhvillimit ka detyruar një pjesë të konsiderueshme të banorëve të kryejnë migrim të brendshëm dhe të jashtëm. Mesatarja e rënies së popullsisë në shkallë rrethi është 26.60%.
Tropoja është një zonë kryesisht bujqësore dhe blegtorale. Sektorët prioritare me bazë zhvillimi për të ardhmen konsiderohen turizmi rural dhe malor, prodhimi bujqësor dhe përpunimi i produkteve bujqësore, duke u mbështetur në kushtet e përshtatshme natyrore, klimatike dhe gjeografike të rrethit. Ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë konsiderohet industria nxjerrëse e minierave.
Një rol të rëndësishëm luan sektori i blegtorisë, pasi zona ka shumëllojshmëri të kullotave natyrore. Hapësira e gjerë e kullotave alpine ofron një kapacitet të mjaftueshëm për zhvillimin e blegtorisë. Prodhimet blegtorale përdoren për konsum familjar dhe një pjesë e tyre shiten në tregun e brendshëm. Megjithatë, mungesa e baxhove dhe e tregjeve për produktet si mishi, qumështi, gjalpi, djathi dhe leshi i bagëtive e kanë demotivuar këtë sektor.
Tropoja ka kushte të favorshme edhe për zhvillimin e bletarisë. Por pavarësisht nga cilësia e mjaltit, ai karakterizohet nga një rendiment relativisht i ulët, rreth 9 kg/zgjua.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al