PASAPORTA E BASHKISË SKRAPAR
SKRAPAR
19,072
12,403
831.44 km2
Zona Gjeografike: Skrapari kufizohet në veri me bashkinë Gramsh, në perëndim me bashkitë Berat dhe Poliçan, në jug-perëndim me bashkinë Këlcyrë, në jug me bashkinë Përmet dhe në lindje me bashkitë Maliq e Korçë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Çorovodës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 12,403 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 19,072 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe të konsiderueshme prej 831.44 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë është 15 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 22.93 banorë/km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Skraparit ka një reliev të thyer malor, i cili ka një territor shumë të gjerë dhe popullsi të ulët. Popullsia e zonës është pakësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit nga largimet e banorëve drejt qyteteve të mëdha të Shqipërisë apo në emigrim. Vetë qyteti i Çorovodës humbi mbi 40 për qind të popullsisë mes viteve 2001 dhe 2011, ndërsa shumë nga komunat përbërëse kanë humbur mbi gjysmën e popullsisë.
Mungesa e perspektivës, kryesisht ajo e vendeve të punës, ka bërë që banorët e qytetit të vendosen për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre drejt qyteteve të mëdha, ndërsa banorët e zonave të thella janë larguar drejt qytetit të Çorovodës, si rezultat i mungesës së rrugëve dhe mjekëve në fshatrat e tyre. Problematika kryesore e banorëve të Çorovodës ka qenë gjendja e vështirë e rrugës kombëtare Skrapar-Berat.
Skrapari si burim kryesor ka të ardhurat që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia, prodhime mjaft të vlerësuara këto në tregjet e vendit, ndër më të njohurat djathi dhe rakia e Skraparit. Vitet e fundit Skraparit i është shtuar shpresa për zhvillimin nëpërmjet turizmit. Kanionet e Skraparit, po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe vendas.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al