PASAPORTA E BASHKISË SARANDË
SARANDË
50,680
20,227
58.96 km2
Zona Gjeografike: Bashkia e re Sarandë kufizohet në veri me bashkitë Himarë dhe Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Finiq dhe në perëndim me detin Jon. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Sarandës. Bashkia e re ka dy njësi administrative, qytetin e Sarandës dhe komunën e Ksamilit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re e Sarandës ka një popullsi prej 20,227 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë si popullsi banuese 50,680 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 58.96 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë në bashkinë e re është 343 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil, popullsia është 859.56 banorë/km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e re Sarandë përbëhet tërësisht nga vija bregdetare nga Koka e Qefalit në veri deri te Kanali i Vivarit në jug, ku shërbimet e turizmit detar dhe kulturor përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave. Fshati i Çukës, i cili u shkëput nga Saranda në vitin 1996 për të kaluar në varësi të komunës Aliko, u rikthye me reformën aktuale në varësi të Sarandës. Asetet kryesore ekonomike të qytetit janë deti, peshkimi, liqeni i Butrintit dhe pasuritë e stërmëdha arkeologjike, parku arkeologjik i Butrintit dhe objekte të tjera të rëndësishme si Manastiri i 40 Shenjtorëve, Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i Shën Gjergjit, rrënojat e kalasë së qytetit etj.
Si një resurs turistik i paçmueshëm, Saranda dhe Ksamili janë përfshirë nga një bum i paprecedent ndërtimi në shumicën e rasteve pa leje, të cilat kanë shkatërruar një pjesë të madhe të potencialit turistik të qytetit ndërkohë që kanë zhytur në krizë infrastrukturën komunale. Bashkia e qytetit është përpjekur të lehtësojë trafikun duke vendosur një linjë të rregullt autobusësh nga qyteti i Sarandës deri në Butrint por furnizimi me ujë është një problem permanent dhe qyteti ka krijuar një sistem privat dhe të kushtueshëm të furnizimit me autobote.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al