PASAPORTA E BASHKISË PUSTEC
PUSTEC
5.191
3.290
198.68 km2
Zona Gjeografike: Pusteci kufizohet në perëndim me bashkitë Pogradec dhe Maliq, ndërsa në veri dhe lindje me Republikën e Maqedonisë. Kryeqendra e bashkisë së re është fshati i Pustecit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 3.290 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 5.191 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 198.68 km2.
Të dhëna të tjera: Kjo bashki popullohet nga minoriteti maqedonas, i cili pavarësisht se gëzon unitet të plotë, përballet me vështirësi për shkak të papunësisë dhe nivelit minimal të ardhurave. Minoriteti ruan marrëdhënie të forta me Maqedoninë, kryesisht në aspektin tregtar duke blerë me shumicë përtej kufirit, ndërsa dy prej projekteve më të mëdha janë ajo e Parkut Kombëtar të Prespës dhe projekti për linjën e tragetit mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Këto projekte do të nxisnin turizmin si dhe organizimin e guidave të përbashkëta turistike dhe transportin e vizitorëve mes tre shteteve.
Pusteci është një zonë e favorshme për zhvillimin e turizmit veror. Mikroklima e pasur, liqeni i Prespës, pamjet e bukura panoramike me një ndërthurje harmonike të peizazhit, gatimet tradicionale, ndërtesat e vjetra buzë liqenit të Prespës nga shekujt 13 dhe 14, si dhe ishulli i Maligradit janë atraksionet kryesore të kësaj zone aspak të promovuar deri më tani në këtë aspekt. Liqeni i Prespës, përveç bukurisë natyrore që ofron, shquhet dhe për florën dhe faunën e pasur, duke u bërë strehë për shumë koloni zogjsh, disa prej të cilëve në zhdukje.
Mbetjet urbane në zonën e Prespës gjenerohen kryesisht prej burimeve shtëpiake dhe disa objekteve të biznesit të vogël privat, të cilat për shkak të mungesës së pikave të grumbullimi të tyre dhe menaxhimit, përbëjnë faktorin kryesor të ndotjes së mjedisit dhe liqenit.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al