PASAPORTA E BASHKISË POGRADEC
POGRADEC
90.976
61.530
548.77 km2
Zona Gjeografike: Pogradeci kufizohet në veri me bashkinë Prrenjas, në perëndim me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Maliq, në juglindje me bashkinë Pustec, ndërsa në lindje me Republikën e Maqedonisë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Pogradecit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 61.530 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 90.976 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 548.77 km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e Pogradecit do të bashkojë në një të vetme të gjitha njësitë e rrethit të deritanishëm të Pogradecit duke ruajtur të njëjtët kufij territorialë që ka pasur deri tani rrethi. Qytetit të Pogradecit dhe komunave Udënisht e Buçimash që shtrihen përgjatë Liqenit të Ohrit dhe orientohen drejt turizmit, me ndarjen e re territoriale i bashkohen dhe disa zona të thella malore, të cilat përballen me varfërinë dhe mungesën e punësimit.
Për shumë familje kryesisht nga fshatrat përreth Pogradecit, vendi fqinj i Maqedonisë është zgjidhja për punësim ditor ose sezonal. Burrat shkojnë për të punuar në vendin fqinjë kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe punëve të tjera të krahut.
Asetet kulturore në zonë janë të shumta por pak të njohura pasi deri më tani kanë munguar politikat e promovimit. Pavarësisht fshatrave të shumtë turistikë buzë liqenit, turistët që vijnë janë të orientuar nga agjencitë turistike maqedonase të cilat përfshijnë në paketat turistike që ofrojnë vizitat ditore në Pogradec dhe disa nga fshatrat si Lin, Tushemisht, Volorekë, etj.
Pogradeci dhe fshatrat pranë tij, për shkak se janë kthyer në një destinacion turistik, kanë pasur një hov të sektorit të ndërtimit ku përgjatë dekadës së fundit janë ngritur dhjetra pallate shumëkatësh, duke ngritur shumë pikëpyetje lidhur me planifikimin urbanistik të zonës.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al