PASAPORTA E BASHKISË MALËSI E MADHE
MALËSI E MADHE
53,918
30,823
951.01 km2
Zona Gjeografike: Malësia e Madhe kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë Shkodër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Koplikut.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia e Malësisë së Madhe është 30,823 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka 53,918 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 951.01 km2 me një densitet prej 56.69 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 32.41 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Të dhëna të tjera: Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, siç janë Liqeni i Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Turizmi, blegtoria dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone.
Prej vitesh ka pasur përpjekje për krijimin e një zone industriale përgjatë hekurudhës së vetme ndërkombëtare të Shqipërisë pranë qytetit të Bajzës, por këto projekte kanë mbetur deri tani në letër.
Zhvillimi i turizmit ka hasur në pengesa të shumta për shkak të mungesës së infrastrukturës. Një nga akset më të rëndësishme, ai Hani i Hotit- Tamarë- Vermosh- Plavë Guci, e njohur ndryshe si rruga e Alpeve do të përmirësonte jetesën e banorëve të këtyre zonave dhe do të ndikonte në zhvillimin e turizmit malor.
Qyteti i Koplikut ka nivel të lartë papunësie, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave në këtë zonë sigurohen nga emigracioni. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka emigruar ndër vite drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Anglisë. Ky fenomen vazhdon në ritme të larta, veçanërisht tek popullsia e re në moshë.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al