PASAPORTA E BASHKISË LIBRAZHD
LIBRAZHD
44,181
31,892
793.36 km2
Zona Gjeografike: Librazhdi kufizohet në veri me bashkinë Bulqizë, në lindje me Republikën e Maqedonisë, në jug me bashkinë Përrenjas dhe në perëndim me bashkitë Elbasan dhe Tiranë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Librazhdit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Librazhdi ka një popullsi prej 31,892 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 44,181 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 793.36 km2. Sipas regjistrit civil, densiteti i popullsisë është 55.68 banorë/km2 sipas ndërsa sipas censusit, densiteti është 40 banorë/km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Librazhdit shtrihet në lindje të Shqipërisë, në një zonë me bimësi të pasur, hapësira të gjera pyjore dhe burime të shumta hidrike. Librazhdi u shpall qytet në vitin 1958 si një qendër e industrisë ushqimore dhe e shfrytëzimit të pyjeve. Në censusin e vitit 2001, qyteti i Librazhdit numëroi rreth 7 mijë banorë. Nga bashkia e re, pjesa më e madhe e popullsisë së kësaj bashkie jeton në zonat rurale.
Parku kombëtar Shebenik- Jabllanicë përbën një ndër pasuritë e rralla natyrore dhe me biodiversitet të larmishëm të bashkisë së Librazhdit. Përveç këtij parku, treva numëron edhe 26 monumente të tjera natyrore, të listuara si të kategorisë së parë.
Megjithëse ligjërisht janë të mbrojtura, pasuritë natyrore të Librazhdit kërcënohen vazhdimisht nga abuzimi dhe keqshfrytëzimi. Vetëm në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë janë dhënë 45 licenca hidrocentralesh të vegjël, që sipas ambientalistëve përbëjnë një kërcënim serioz për biodiversitetin e parkut.
Paralelisht me resurset natyrore, zona e Librazhdit shquhet për folklorin e pasur, kostumet popullore të veçanta dhe zanatin e ndërtimit të shtëpive. Kjo zonë ka kultivuar gjithashtu mjeshtërinë e përpunimit të gurit dhe të drurit.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al