Pasaporta e Bashkisë Lezhë

PASAPORTA E BASHKISË LEZHË

LEZHË

106,245

65,633

509.1 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Lezha kufizohet në veri me Bashkitë e Vaut të Dejës dhe Pukës, në perëndim me Detin Adriatik, në lindje me Bashkinë e Mirditës dhe në jug me Bashkinë Kurbin. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Lezhës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Lezha ka 65,633 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 106,245 banorë. Me një sipërfaqe prej 509.1 km2, bashkia e re e Lezhës ka një densitet prej 208.69 banorë/km2 sipas të dhënave të Regjistrit Civil dhe 128.91 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Të dhëna të tjera: Bashkia e Lezhës shtrihet në pjesën dërrmuese të vet në një zonë të ulët dhe bregdetare, me lartësi 5 metra mbi nivelin e detit. Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore e bën këtë bashki një destinacion tërheqës për turizmin kulturor.
E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.Aktualisht, ekonomia në qytet është e diversifikuar, por mbështetet në tregti dhe shërbime, sektorë që punësojnë numrin më të madh të banorëve të Lezhës. Ndërtimi i Parkut të Biznesit në pjesën veriore të qytetit pritet të nxisë përqendrimin e bizneseve vendore dhe rajonale në këtë qytet.

Pozicioni i favorshëm gjeografik mundëson akses në të mirat bujqësore, të agrikulturës, blegtorisë dhe peshkimit, të cilat ndikojnë gjithashtu në potencialin ekonomik dhe rritjen e punësimit në Bashki. Bashkia e re do të ketë në territorin e saj qytetin e Shëngjinit dhe një vijë të gjatë bregdetare, e cila fillon nga rezervatet natyrore të mbrojtura të Bregut të Matit dhe të Kune-Vain-Tales deri te plazhet shkëmbore në veri të qytetit të Shëngjinit.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al