Pasaporta e Bashkisë Kukës

PASAPORTA E BASHKISË KUKËS

KUKËS

59,393

47,985

933.86 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Kukësi kufizohet në veri me Bashkinë Krumë, në perëndim me bashkitë Mirditë dhe Fushë-Arrëz, në jug me Bashkinë Dibër dhe në lindje me Republikën e Kosovës dhe me atë të Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Kukësit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia është 47,985 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 59,393 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 933.86 km2 me një densitet prej 63.59 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 51.38 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Të dhëna të tjera: Kukësi ishte një qendër industriale gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Deri në vitet ’90, Kukësi kishte industri të nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit (teknologji sovjetike e viteve ’60), nxjerrjes dhe koncentrimit të mineralit të kromit, nxjerrjes së mineralit të kuarcit, prodhimit të materialeve të ndërtimit (materiale inerte, parafabrikate etj).

Ai njihet si një vend me traditë në rritjen dhe mbarështimin e deleve. Cilësia e mishit dhe e leshit të deleve lumjane ishte e njohur në të gjithë Ballkanin. Kukësi ishte gjithashtu një qendër e njohur e transportit. Krahas llojeve të tjera të transportit, aty ishte i zhvilluar dhe transporti ujor përmes liqenit artificial të Fierzës, i cili bënte të mundur lëvizjen e mallrave dhe të udhëtarëve si dhe zhvillimin e turizmit. Që prej vitit 2000, transporti përmes Liqenit të Fierzës ka pushuar së ekzistuari.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të qytetit dhe të fshatrave punonin në zonën nxjerrëse dhe përpunuese të kromit në Kalimash si dhe në minierën e nxjerrjes së bakrit në Gjegjan. Transformimet e domosdoshme ekonomike drejt tregut të lirë pas viteve ’90 bënë që pjesa më e madhe e industrisë së lartpërmendur të falimentojë tërësisht, sepse ajo industri ishte ngritur për të funksionuar në kushtet e një ekonomie të centralizuar. Mirëpo kjo shkaktoi shumë plagë sociale, duke krijuar një numër të madh të papunësh.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al