Pasaporta e Bashkisë Kolonje

PASAPORTA E BASHKISË KOLONJË

KOLONJË

19,919

11,070

864.06 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Bashkia Kolonjë kufizohet në veri me bashkitë Devoll dhe Korçë, në perëndim dhe jug me bashkinë Përmet, ndërsa në lindje me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Ersekës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 11.070 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil në vitin 2014, kjo bashki numëronte një popullsi prej 19.919 vetësh në një sipërfaqe prej 864.06 km2.

Të dhëna të tjera: Bashkisë së Ersekës, pas ndarjes së re administrative, nga njëra anë i bashkohen edhe disa prej malësive përreth saj, ndërsa nga ana tjetër, me shkrirjen në një me të të bashkisë së Leskovikut përveç zgjerimit të kufirit administrativ-territorial, zgjerohet edhe diapazoni i veprimtarisë dhe mënyrës së jetesës së banorëve.

Përveç emigracionit, zona ka pasur edhe largim masiv të banorëve drejt qendrave urbane duke sjellë braktisje të fshatrave ose popullim të pakët të tyre dhe duke e bërë zonën me densitet më të ulët të popullatës banuese në vend. Për shkak të pozicionit, zona e thellë nuk arrin të tërheqë investitorët dhe frenon hapjen e bizneseve, duke krijuar mundësi të pakta punësimi të cilat do të mund të kapërceheshin nëpërmjet ngritjes së ndërmarrjeve fasone, fabrikave të përpunimit të qumështit, etj.

Përgjatë viteve të fundit hov ka marrë kultivimi i bimëve medicinale por edhe grumbullimi i tyre në malin e Gramozit, duke i orientuar banorët drejt gjetjes së një zgjidhje për sigurimin e të ardhurave. Në zonën e Leskovikut potencialet turistike janë të shumta por distanca nga zonat e rëndësishme urbane të vendit, si dhe mungesa infrastrukturore i ka lënë të pashfrytëzuara ndërsa banorët ruajnë ende traditën e vreshtarisë dhe prodhimit të verës në mënyrë artizanale.
Traditat kulturore dhe folklorike janë ruajtur mjaft mirë nga banorët por mbetet problematike organizimi i aktiviteteve dhe mbështetja financiare e tyre për përfaqësimin në një hapësirë më të gjerë.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al