Pasaporta e Bashkisë Kamëz

PASAPORTA E BASHKISË KAMËZ

KAMËZ

125,632

104,190

37.18 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Bashkia Kamëz kufizohet në veri, lindje dhe jug me bashkinë Tiranë, në veri-perëndim me bashkinë Krujë dhe në perëndim me bashkinë Vorë. Kamza përbëhet nga dy njësi administrative, Kamza dhe Paskuqani.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 Bashkia Kamëz ka një popullsi prej 104,190 banorësh, ndërsa sipas regjistrit civil numëron 125,632 banorë. Ajo ka një sipërfaqe prej 37.18 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 2802 banorë për km2 ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 3379.02 banorë/km2.

Të dhëna të tjera: Bashkia e re Kamëz është bashkia me sipërfaqen më të vogël dhe me densitetin më të lartë në Shqipëri, duke e bërë atë praktikisht bashkinë më urbane të Shqipërisë pavarësisht se përfshin nominalisht edhe 14 vendbanime që zyrtarisht janë fshatra.
Bashkia e re është ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit ku rritja e popullsisë ka qenë në përmasa të jashtëzakonshme. Kamza si qendër e banuar numëronte më pak se 5 mijë banorë të përqendruar rreth ndërmarrjes bujqësore “Ylli i Kuq”, instituteve të teknologjisë bujqësore si dhe rreth minierës së qymyrit të Valiasit ndërsa popullsia u shtua me shpejtësi nga migrimi i brendshëm i popullsisë përgjatë 25 viteve të fundit. Kamza mori titullin e qytetit në vitin 1996 ndërsa Paskuqani, megjithëse zyrtarisht vijoi të klasifikohej si zonë rurale, u bë efektivisht zonë urbane me një densitet të lartë të ndërtesave dhe popullsisë.

Kamza ka një sipërfaqe të punueshme prej 2,364 hektarë, shifër kjo e papërfillshme në krahasim me popullsinë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tokës bujqësore është zënë nga banesat për shkak të ndërtimeve informale.

Investimet publike për urbanizimin e zonës kanë qenë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, por këto investime kanë krijuar njëkohësisht disnivel të lartë brenda bashkisë, ku disa zona janë të pajisura mirë me infrastrukturë ndërsa një pjesë e madhe nuk ka ende kurrfarë infrastrukture.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al