PASAPORTA E BASHKISË GRAMSH
GRAMSH
36,305
24,231
739.22 km2
Zona Gjeografike: Bashkia e re Gramsh kufizohet në veri me bashkinë Elbasan, në lindje me bashkinë Pogradec, në jug-lindje me bashkinë Maliq, në jug me bashkinë Skrapar dhe në perëndim bashkitë Berat, Kuçovë dhe Cërrik. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Gramshit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 24,231 banorë me densitet 32.78 banorë për km², ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 36.305 banorësh dhe densitet 49.11 banorë për km². Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 739.22 km².
Të dhëna të tjera: Bashkia e Gramshit shtrihet në një territor shumë malor në Shqipërinë qendrore, ku toka bujqësore është e paktë (rreth 14 për qind e sipërfaqes) ndërsa pjesa tjetër e territorit është zonë pyjore ose kullotë. Qendra e bashkisë së re, Gramshi, u shpall qytet në vitin 1960 si një qendër e agroindustrisë dhe e industrisë ushtarake, e cila ka lënë një trashëgimi ndotjeje dhe papunësie.
Gramshi do të mbahet mend për dy ndërmarrje të mëdha ushtarake, si ajo e prodhimit të armatimeve ku dikur punonin 1100 punëtorë e mbyllur përfundimisht në nivelin e prodhimit në vitin 2006. Ndërkohë uzina e prodhimit të baterive ka pasur të punësuar 440 punëtorë.
Kjo zonë ka njohur lëvizjen më të madhe të njerëzve drejt Gramshit e më pas drejt qyteteve të tjera. Në vitin 1991 ka pasur një popullsi prej 55 mijë banorësh ku vetëm 8,600 jetonin në qytet dhe pjesa tjetër në fshat, ndërkohë që në vitin 2015 Gramshi ka rreth 24 mijë banorë nga të cilët 8,400 jetojnë në qytet. Më shumë se gjysma e popullsisë rezulton të jetë larguar nga kjo zonë në drejtim të qyteteve të mëdha apo në emigrim.
Prerjet pa kriter të pyjeve kanë bërë që shumë fshatra të kenë probleme të rënda nga rrëshqitjet e tokës. Qyteti i Gramshit numëron rreth 300 biznese të regjistruara, shumica prej të cilave biznese të vogla tregtie apo shërbimesh.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al