Pasaporta e Bashkisë Gjirokastër

PASAPORTA E BASHKISË GJIROKASTËR

GJIROKASTËR

52,054

25,301

469.25 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Bashkia e Gjirokastrës kufizohet në veri me bashkinë Tepelenë, në lindje me Bashkinë Libohovë, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkitë Himarë dhe Delvinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Gjirokastrës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 25.301 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil ajo numëron 52.054 banorë. Bashkia shtrihet në një sipërfaqe prej 469.25 km2, me një densitet prej 53.91 banorë/km2 sipas Censusit 2011 dhe 110.93 banorë sipas Regjistrit Civil

Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Gjirokastrës do të përbëhet nga qyteti i Gjirokastrës, i cili prej vitit 2005 ndodhet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si dhe zonat rurale kodrinore përreth, të përqendruara më së shumti te prodhimet blegtorale.
Gjirokastra është një qytet tregtar i stilit otoman, ndër të paktët të tillë të mbijetuar në Ballkan. Qyteti ka mbi 800 ndërtesa historike, shumë prej të cilave rrezikohen nga degradimi. Katet përdhese të shtëpive karakteristike shërbenin si struktura mbrojtëse edhe depo të shtëpive.

Kostumet lokale të Gjirokastrës janë tradicionalisht të zbukuruar me qëndisma të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza. Të famshme në të gjithë vendin janë dantellat e Gjirokastrës; punime me grep dhe qëndismat. Ndërsa burrat përpunojnë drurin dhe gurin. Veshjet tradicionale popullore të grave zbukuroheshin me fije metalesh të çmuara si kostumet e famshme të grave të Lunxhërisë. E integruar në Iso-polifoninë shqiptare, ajo është njohur më 2005 nga UNESCO si “trashëgimi kulturore e paprekshme”.

Burimet kryesore të ekonomisë urbane në Gjirokastër janë turizmi dhe manifaktura me material porositës, e cila shërben përgjithësisht për tregun grek dhe që gjatë viteve të fundit është goditur rëndë për shkak të krizës në Greqi.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al