Pasaporta e Bashkisë Elbasan

PASAPORTA E BASHKISË ELBASAN

ELBASAN

205,892

141,714

872.03 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Bashkia e re e Elbasanit kufizohet në veri me bashkinë Tiranë, në lindje me bashkinë Librazhd, në jug-lindje me bashkinë Prrenjas, në jug-perëndim me bashkinë Gramsh dhe në perëndim me bashkitë Cërrik dhe Peqin. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Elbasanit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 141,714 banorë me densitet prej 162.51 banorë për km², ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 205,892 vetësh dhe densitet prej 236.11 banorë për km². Bashkia e Elbasanit ka një sipërfaqe prej 872,03 km2.

Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Elbasanit do të jetë një nga më të mëdhatë në Shqipëri, si dhe një nga bashkitë më komplekse për t’u administruar. Qyteti i Elbasanit, me rreth 80 mijë banorë, ka aktualisht rreth 60% të popullsisë së bashkisë ndërsa pjesa tjetër është e ndarë në shumë njësi administrative, disa prej të cilave gjenden në terrene të thyera malore.
Bashkia e re ka në territorin e saj një pjesë të madhe të industrisë së rëndë të Shqipërisë, përfshirë fabrikën e çelikut, atë të çimentos, ferrokromit, etj, gjë që i ka dhënë kësaj zone edhe një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në vend.

Elbasani është një nga zonat më të varfra në Shqipëri për shkak se qyteti u ndërtua gjatë kohës së komunizmit për të përqendruar disa dhjetëramijëra punëtorë përreth zonës industriale të Kombinatit Metalurgjik, ndërkohë që te industria e mbijetuar tashmë janë punësuar vetëm pak mijëra banorë duke lënë pjesën tjetër të popullsisë të papunë.
Zonat malore përreth Elbasanit kanë infrastrukturë rrugore të keqe ose relativisht të keqe si dhe të kushtueshme për t’u mirëmbajtur. Parku kombëtar i Gjinarit në krahinën historike të Shpatit është i përshtatshëm për turizëm të natyrës dhe të kulturës, por është duke u dëmtuar vazhdimisht nga prerjet e paligjshme të pyjeve.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al