Pasaporta e Bashkisë Divjakë

PASAPORTA E BASHKISË DIVJAKË

DIVJAKË

53,372

34,254

309.58 km2

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike: Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë së re do të jetë qyteti i Divjakës, i shpallur qytet me vendim qeverie në vitin 1996.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 vetë. Territori i bashkisë së re është 309.58 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 110 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 172.40 banorë/km2.

Të dhëna të tjera: Bashkia e Divjakës është nga të paktat bashki të krijuara nga reforma administrative dhe territoriale e cila përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas është e dobët.

Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore. Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.

Gjithashtu, Divjaka ka një jetë artistike dhe kulturore që shumë qytete do ia kishin zili. Këtu funksionon më së miri grupi artistik i qytetit, me djem dhe vajza valltarë, të cilët përfaqësojnë Divjakën në aktivitete të ndryshme kulturore.

Burimi i informacionit: Birn Reporter.al