PASAPORTA E BASHKISË DIBËR
DIBËR
78,940
61,619
937.88 km2
Zona Gjeografike: Dibra kufizohet në veri me Bashkinë e Kukësit, në veriperëndim me bashkinë Mirditë, në perëndim me bashkinë Mat, në jugperëndim me bashkinë Klos, në jug me bashkinë Bulqizë dhe në lindje me Republikën e Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Peshkopisë.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re ka një popullsi prej 61,619 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 78,940 banorë. Me një sipërfaqe prej 937.88 km2, bashkia e re ka densitet popullsie prej 84.16 banorësh/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 65.70 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Të dhëna të tjera: Relievi i bashkisë së re është përgjithësisht kodrinor dhe malor, por nuk mungon edhe ai fushor në të dyja anët e rrjedhjes së lumit të Drinit të Zi, që favorizon kështu zhvillimin e bujqësisë dhe pemëtarisë. Përgjatë 25 viteve të fundit Dibra ka pasur një migrim të brendshëm drejt Tiranës dhe Durrësit si dhe emigrim të konsiderueshëm jashtë vendit.
Bashkia e Dibrës është një nga bashkitë me territorin më të madh në rang vendi si dhe me një numër të konsiderueshëm fshatrash të shtrira në një zonë të thellë. Zona e Dibrës është njëkohësisht edhe krahina e fundit e madhe e Shqipërisë, e cila vijon të përdorë në shkallë të gjerë infrastrukturën rrugore të trashëguar nga koha e komunizmit, pa shumë përmirësime.
Zona e Dibrës u penalizua nga ndarja e qytetit të Dibrës nga kjo krahinë, pas vendosjes së kufirit në vitin 1913 ndërsa ndërtimi i qytetit të Peshkopisë nuk arriti të kompensojë këtë humbje. Bashkia e Dibrës është aktualisht një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë, ku për një pjesë të madhe të popullsisë ndihma ekonomike e shpërndarë nga qeveria është burimi i vetëm i të ardhurave. Por rezervati natyror i Lurës është shfarosur nga prerjet e paligjshme të pyjeve dhe aktualisht është e diskutueshme nëse kjo zonë duhet të vijohet të mbahet në listën e zonave të mbrojtura.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al