PASAPORTA E BASHKISË BERAT
BERAT
98,875
60,031
379.98 km2
Zona Gjeografike: Bashkia e re Berat kufizohet në veri me bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, në lindje me bashkinë Gramsh dhe Skrapar, në jug me bashkinë Poliçan, ndërsa në perëndim me bashkinë Mallakastër. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Beratit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 60.031 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 98.875 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 379.98 km2
Të dhëna të tjera: Bashkia e re e Beratit, pas ndarjes së re territoriale, është një bashkim mes qytetit dhe katër ish-komunave në afërsitë të tij, duke gërshetuar kështu karakteristika nga më të larmishmet.
Qyteti i Beratit, për shkak të historisë së tij mijëravjeçare si zonë e banuar, mbart vlera historike dhe arkitektonike të rralla, duke u përfshirë kështu në vitin 2008 dhe në listën qyteteve muze të mbrojtur nga UNESCO. Qendra Historike e qytetit, ku bëjnë pjesë tre lagjet muze “Kala”, “Mangalem”, “Goricë” dhe Qendra Mesjetare, përfshijnë rreth 490 monumente kulture. Vlerat historike, por dhe bukuria natyrore e qytetit të shtrirë përgjatë lumit Osum dhe rrëzë malit Tomor, po tërheqin gjithmonë dhe më shumë turistë përgjatë të gjitha stinëve, duke nxitur shumë nga banorët të kthejnë shtëpitë e tyre karakteristike në bujtina për turistët dhe duke shtuar të ardhurat nga turizmi.
Qyteti është karakterizuar dekadat e fundit nga një depopullim i shpejtë si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturë, gjë e cila është pasqyruar në lëvizjet e banorëve drejt qendrave më të mëdha urbane. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtës periudhë ka pasur dhe një lëvizje më të vogël të popullatës nga zonat rurale drejt qytetit të Beratit. Komuniteti rom i këtij qyteti është i mirëintegruar, por megjithatë mbeten pjesa më e prekur e popullatës nga problemet social-ekonomike, si papunësia, mungesa e strehimit, etj.
Burimi i informacionit: Birn Reporter.al