Ngjarje/Personazhe

Aksionet Ligjore për mbrojtjen e mjedisit

22 qershor 2023/Brikena Metaj/Porta Vendore/Përmet

Duke patur për qëllim konsolidimin dhe forcimin e demokracisë për qytetarët në nivel vendor dhe rritjen e presionit për të zgjedhurit vendorë me qëllim ofrimin e një qeverisjeje vendore sa më cilësore, transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse, Lëviz Albania ka qenë mbështetëse e aksioneve ligjore për të mbrojtur mjedisin sa herë ka qenë e nevojshme.

Leviz Albania ka ndërmarrë projekte strategjike dhe advokim në nivel kombëtar për të mundësuar një mjedis të favorshëm për përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e demokracisë vendore, me synimin për të ndikuar axhendën kombëtare.

Klinika e Ligjit ka qenë një ndër mekanizmat kyç të mbështetjes së LevizAlbania për organizatat, grupet informale dhe individët që janë përfshirë në thirrjet e ndryshme për aplikime.

Klinikat e Ligjit, të vendosura në Durrës dhe Shkodër, të mbështetura nga Leviz Albania dhe zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë kanë objekt të veprimtarisë së tyre ofrimin e ndihmës ligjore falas dhe edukimin ligjor të qytetarëve.

Gjatë funksionimit të tyre avokatët kanë ofruar ndihmesë në një shumëllojshmëri shërbimesh juridike duke nisur nga: këshillimi ligjor, përpilimi i dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën publike, përfaqësimin përpara organeve administrative, përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën dhe përfaqësimin përpara gjykatës në çështjet administrative.

Rasti Porto Romano ka qenë një ndër rastet e mbështetura nga avokatët e Klinikës së Ligjit duke dhënë asistencë ligjore parësore për banorët e një fshati pranë landfillit në Porto Romano në Durrës, i cili ishte ndërtuar pa leje mjedisore, duke paraqitur disa kërkesa për informacion pranë institucioneve publike përkatëse.

Avokatët paraqitën në Gjykatë padinë si dhe çdo dokument të mbledhur për çështjen, duke përfshirë një inspektim mjedisor që konfirmoi ndotjen e ajrit, tokës dhe ujit në Porto Romano.

Ndërkohë që avokatët prisnin që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës të caktonte datën e seancës paraprake, në shtator 2019, në përgjigje të një kërkese për informacion, avokatët u njoftuan se projekti i rehabilitimit për këtë landfill ishte miratuar dhe ishte nisur procedura e prokurimit. Projekti quhet“Eco Park Durrës” dhe krahas rehabilitimit të fushës, parashikon ndërtimin e një parku argëtues, sportiv dhe natyror.

Më 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për “Eco Park Durrës”.

Rasti Laknas

Në shkurt 2020, avokatët nisën të ndjekin seancat e një çështjeje gjyqësore të nisur nga më shumë se 40 banorë të Kamzës kundër një projekti biznesi, i cili do të kishte dëmtuar plotësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme një pyll publik.

Pylli është mbjellë gjatë 50 viteve të fundit nga banorët, të cilët po bashkëpunojnë për mirëmbajtjen e tij.

Më 9 nëntor 2021, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqitë vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë përmasën e përkohshme, e cila kishte pezulluar përkohësisht ndërtimin e thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas, Kamëz.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi shfuqizimin e vendimit me të cilin miratohej ndërtimi i thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas, Kamëz.

Rasti i Bigasit dhe Veleshnjës në lumin Osum

CLE ka përfaqësuar Eco Albania dhe Federatën Shqiptare të Rafting për të adresuar në gjykatë pretendimet për parandalimin e dëmtimit të mjedisit duke ndërtuar dy hidrocentrale në kanionet e lumit Osum.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata Administrative e Apelit pranuan kërkesën e dy organizatave dhe njohën pretendimet e tyre të bazuara në ligj për parandalimin e dëmtimit të mjedisit duke ndërtuar hidrocentrale në një zonë të mbrojtur.

Rasti Madhesh

CLE po vijon ndjekjen e rastit të adresuar nga banorët e 4 fshatrave në Mat (Madhesh, Lundrë, Gurrë, Beshkashi), të cilët kundërshtojnë projekt për ndërtimin e një hidrocentrali.

Avokatët kanë zhvilluar takime me banorët e zonës dhe kanë dërguar kërkesa për informacion në lidhje me procedurën e miratimit të projektit ndaj instancave përkatëse.

Banorët kanë adresuar cështjen në gjykatë dhe kanë paraqitur kallëzim penal pranë prokurorisë.

Vijueshmëria

Kapitalizimi i përvojës së LevizAlbania

Ishte viti 2015 kur LevizAlbania shpalli thirrjen e parë për aplikime me një qasje inovative, përmes aplikimit të mekanizmave të ndryshëm, që synonin mbulimin e një game të gjerë fushash veprimi. Projekti u mirëprit nga komuniteti i Organizatave të Shoqërisë Civile për shkak edhe të qasjes së saj gjithëpërfshirëse dhe mbështetjes si të individëve, ashtu edhe të organizatave apo grupeve informale. Të gjithë mund të gjenin një hapësirë ku mund të vepronin e të shpreheshin, dhe të organizoheshin në veprim.

75 mijë qytetarë të angazhuar gjatë zbatimit të 9 thirrjeve për aplikime përgjatë zhvillimit të projektit duke mbështetur 362 nisma të ideuara dhe të zbatuara nga organizatat e shoqërisë civile, grupimet informale dhe individët; 12 projekte strategjike të miratuara dhe 23 projekte të mbështetura nën instrumentin“Reagimi Shpejtë”.

Në përfundim të rrugëtimit, projekti ka vijuar komunikimin e drejtpërdrejtë me komunitetin, nëpërmjet mekanizmave mbështetës. Ndërtimi i një platforme unike për menaxhimin e njohurive në brendësi të së cilës janë grumbulluar dije, eksperienca, sfi­da, arritje dhe produkte të cilat kanë shërbyer për të përmirësuar qeverisjen vendore dhe forcuar rolin e qytetarit aktiv në adresimin e problematikave vendore e lokale, rritjen e angazhimit qytetar për të kërkuar një qeverisje vendore sa më cilësore, transparente dhe të përgjegjshme,është mënyra më e fundit dhe efikase e këtij komunikimi.

Platforma është ONLINE dhe e aksesueshme për të gjithë https://km.levizalbania.al/

Raporte, analiza, praktika, peticione, trajnime, video, broshura dhe produkte të tjera që janë përdorur nga grantmarrësit e Leviz Albania për të arritur objektivat e synuar të Thirrjes përkatëse për aplikime,por edhe objektivat e synuar nga zbatuesit e nismave të mbështetura gjenden tashmë në këtë platformë që është ende në përditësim për shkak të projekteve që vazhdojnë të jenë në fazë zbatimi.