Ngjarje/Personazhe

Kryebashkiakët e rinj përballë 54 mln euro borxhe!Bashkitë e koalicionit sfidë për gjetjen e financimit, Kavaja në prag falimenti

26 maj 2023/Eliza Gjediku/Porta Vendore

Pasi i shpallën fitues në zgjedhjete14 majit 2023 kryetarët e rinj të bashkive do të përballen me barrën e lartë të detyrimeve të prapambetura, si të krijuara prej tyre pasi janë rikonfirmohen në krye të bashkisë, si të krijuar nga paraardhësit e tyre.

Ekspertët: Të ulet korrupsioni dhe të rriten kapacitetet për mbledhjen e taksave

Sfidë nuk do të jetë vetëm shlyerja e borxheve të akumuluara por edhe rritja e të ardhurave, nga taksat dhe tarifat vendore, duke qenë se në këtë proces shumë bashki kanë ngecur. Kryetari i shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali thotë se ka paqëndrueshmëri financiare në organet vendore.

“Gjendja financiare e bashkive nuk po demostron pritshmëritë dhe objektivat e reformave, apo pritshmërtitë që kanë qytetarët për të marrë shërbime si në sasi ashtu edhe në cilësi në bazë të asaj që paguajnë me taksa dhe tarifa. Edhe pse ka rritje të shpenzime nga të ardhurat qendrore dhe ato vendore, ajo që bie në sy është një paqëndrueshmëri në këtë linjë”, kështu shprehet për Porta Vendore Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave për detyrimet e prapambetura, borxhet e bashkive ishin rreth 6 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar, nga 6.6 miliardë lekë që ishte në vitin 2021.

Edhe pse trajektorja e borxhit publik ka ardhur në rënie, situata në 12 bashki të vendit nuk paraqitet aspak optimiste, pasi janë në vështirësi financiare, madje drejt falimentit nëse nuk merren masat e duhura nga kryebashkiakët e rinj. Në gjendje të vështirë janë bashkitë Vorë, Kavajë, Pustec, Rrogozhinë, Pogradec, Polican etj.

Bashkitë ‘injorojnë’ paralajmërimet e qeverisë

Gjatë vitit të kaluar në një mbledhje që zhvilloi qeveria me kryetarët e bashkive, i paralajmëroi ato se do ju merrte administrimin financiar të bashkive nëse nuk do të merrnin masa të shlyenin detyrimet e akomuluar dhe nëse nuk dilnin nga vështirësia financiare. Afati ishte që brenda korrikut 2022 të gjendej një zgjidhje, por më pas qeveria doli në konkluzionin se asnjë bashki nuk ishte në gradë të rëndë sa për ti marrë administrimin.

Por çfarë ka ndodhur pas këtij paralajmërimi?

Përpos paralajmërimit, 14 bashki kanë rritur në mënyrë të ndjeshëm borxhet në vitin e kaluar.

“Performanca e 61 bashkive në këtë aspekt është mikse, ku referuar të dhënave vërehet se 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin bashkia Tiranë (+526.5 milionë lekë), bashkia Dibër (+251.9 milionë lekë), bashkia Pustec (+145.6 milionë lekë) dhe bashkia Devoll (+63.9 milionë lekë)”, thuhet në raportin e Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.

Kërkesa e kryeministrit dhe Ministrisë së Financave për të mirëmenaxhuar financat e tyre dhe për të ulur borxhet ka rënë në vesh të shurdhët për bashkinë Tiranë, Kavajë, Dropull, Pustec, Përmet, Libohovë, Shijak, Kurbin, Peqin, Devoll, Selenicë, Dimal, Kuçovë dhe Dibër të cilat kanë rritur borxhet.

Pushteti vendor vijon të ketë probleme serioze me investimet, për shkak se nuk paguajnë detyrimet në kohë, e për pasojë më shumë se 50% e borxheve e zënë detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike rreth 2.9 miliardë lekë. Më pas janë borxhet për largimet e padrejta nga puna, që kanë përfunduar në gjyqe. Detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta si dhe për vendime gjyqësore kapin 593 milionë lekë dhe 422 milionë lekë respektivisht.

Në krye të listës për vlerën më të madhe të detyrimeve është Bashkia e Tiranës, me 1.1 miliardë lekë, e ndjekur nga Bashkia Kavajë që ka 837 milionë lekë, më pas është Vora 412 milionë lekë apo 278 milionë lekë Bashkia Pogradec.

Bashkitë e “Bashkë Fitojmë” VS Rama

Koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë i Ilir Metës dhe Sali Berishës arriti të fitonte në rang vendi vetëm 5 bashki, të cilat praktikisht janë edhe më të rrezikuara nga mungesa e fondeve pasi kryeministri Edi Rama ka thënë se asnjë bashki e dalë prej këtij koalicioni nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë. Bashkia Kavajë, Memaliaj, Himarë, Mirditë dhe Fushë Arrëz janë nën drejtimin e opozitës për katër vitet e ardhshme, por që në fakt nuk janë në gjendje të mirë financiare pasi borxhet e tyre arrijnë në 952.4 milionë lekë.

Sfida më e madhe do të jetë për kryetarin e Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja i koalicionit Bashkë Fitojmë që i shpall fitues në zgjedhje. Atij do t’i duhet të përballet i vetëm me bashkinë që e ka në kolaps pasi borxhet janë thuajse në të njëjtin nivel si të ardhurat. Situata e tij është edhe më vështirë pasi asnjë bashki e fituar prej këtij koalicioni nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë.

Ndërsa katër kryebashkiakët e tjerë janë në kushte më të mira se Fisnik Qosja. Konkretisht bashkia Pukë ka 38.5 milionë lekë detyrime të papaguara, ndjekur nga bashkia Mirditë 31.6 milionë lekë, Bashkia Himarë 26.6 milionë lekë, më pas është Bashkia Memaliaj 13.4 milionë lekë dhe Bashkia Fushë Arrëz me 4.8 milionë lekë borxhe.

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj thotë se gjendja e pushtetit vendor nuk ka përmirësim në tre vitet e fundit. Eksperti del në këtë konkluzion pas disa analizash të kryera nga qendra ALTAX nëpër disa bashki të vendit.

“Në një monitorim dhe analizë direkte të treguesve të prodhimit të brendshëm, të punësimit, strukturës së ekonomisë së bashkive, të ardhurave të disponueshme, barrës tatimore si dhe treguesit që lidhen me ecurinë e secilit sektor kryesor duket se ekonomitë vendore kanë mbetur në nivelet e para pandemisë. Ndikimet kanë ardhur si nga mungesa e diversifikimit të ekonomisë në biznese më dinamike dhe të zgjeruara ndër vite, niveli i ulët i kreditimit, shkurtimi i ofertës së punonjësve, aftësitë e punonjësve të papërputhura si duhet me kërkesat e tregut, por edhe nga cilësia rregullatore dhe performanca e institucioneve vendore dhe qendrore, që ende janë sfidat për qeverisjen në të dy nivelet”, pohon Gjokutaj.

Krijimi i detyrimeve të prapambetura ishte një nga pasojat negative që la pas reforma territoriale që shkriu komunat. Tanimë ka bashki që për shkak të detyrimeve që kanë nuk janë në gjendje të hapin investime të reja.

21 bashki nuk realizojnë të ardhurat!

Përgjatë vitit 2022 sipas raportit ka pasur rritje të të ardhurave me 972 milionë lekë në raport me vitin 2021.

Konkretisht përgjatë vitit 2022 bashkitë kanë mbledhur në total 27.6 miliardë lekë nga 26.6 miliardë lekë që ishte situata në 2021. Edhe pse të ardhurat e bashkive janë rritur lehtë në vitin e kaluar, përsëri janë 21 njësi që kanë ngecur në procesin e mbledhjes së të ardhurave. Haxhimali jep dy arsye kryesore se përse 1/3 e bashkive kanë probleme në mbledhjen e të ardhurave.

Ky është një problem kompleks por do të nënvizoja dy faktorë kryesor: Së pari ka mungesë kapacitetesh dhe aftësi të pakonsoliduara bashkiake për të mbledhur potencialin maksimal të të ardhurave lokale, dhe së dyti ka pamundësi nga taksapaguesit për të paguar taksa e tarifa, kjo për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet e tyre”, pohon eksperti i pushtetit vendor.

Sipas raportit situata paraqitet më serioze për mbledhjen e taksave dhe tarifave, proces në të cilin calon 50% e bashkive.

“Kryetarët e rinjë së pari duhet të njohin mirë bashkinë dhe të kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë do të ndodh gjatë 4 viteve të ardhshme. Duhet të krijojnë bazat e zhvillimit ekonomik lokal në përputhje me atë së çfarë kapitali dhe burimi kryesor ekonomik ka zona. Të rioganizojnë strukturën drejtë efektivitetit dhe eficencës me një qeverisje të vogël dhe të zgjuar.Të balancojnë sa mundet shpërndarjen e shërbimeve dhe burimeve të tjera mes zonës urbana dhe asaj rurale.Të zgjerojë bazën e taksave dhe tarifave”, pohon Haxhimali.

Bashkitë pa projekte që ndalojnë emigrimin

Në5 bashkitë e marra në monitorim Berat, Elbasan, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë eksperti Eduart Gjokutaj thotë se është identifikuar një vlerë e ulët produktiviteti në eksporte si dhe mungesë orjentimi drejt teknologjisë së re. Madje gjokutaj thotë se kjo tendencë e ekonomisë drejt agro-bujqësisë dhe akuakulturës nuk përputhet me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

“Ekonomitë rajonale, të cilat mbizotërohen nga bujqësia, blegtoria dhe peshkimi edhe pas tre dekadash politikash të shumllojshme për zhvillimin e qëndrueshëm vendor drejt produktivitetit dhe rritjes së ekonomisë sipas kapaciteteve na shfaqet si realitet i një ekonomie ende të paorientuar ku duhet drejt tregut konkurues bazuar te teknologjia, produktiviteti industrial dhe rritja e vlerës së shtuar në sektorë që konsiderohen më fitimprurësit për të ardhmen, si: turizmi, shërbimet financiare dhe energjia”, pohon Gjokutaj.

Prej vitesh tashmë Shqipëria është përballur nga një valë e madhe emigrimi por përpos këtij fenomeni pushteti vendor nuk ka investuar për të ndalur largimet.

“Investimet e realizuara në vitet e fundit janë të orientuara sipas programeve të zhvillimit drejt mjedisit urban, infrastrukturës rrugore dhe Ujësjellës Kanalizimeve etj. dhe në mënyrë të moderuar drejt bujqësisë, por jo drejt nxitjes së tregut, mbeshtetjessë aktiviteteve të reja dhe një qasjeje për të zbutur faktorët ndikuesë në migrim dhe emigracion”, thotë Gjokutaj.

Edhe pse qeveria shqiptare shpesh ka fajësuar pandeminë për ngadalësimin ekonomik të vendit, Gjokutaj thotë se nga analizat e bëra ngecja e ekonomisë ka nisur më herët, madje shton se përmirësimi do të nisë atëherë kur të luftohet korrupsoni.

Sipas tij duhet investuar në rritjen e produktivitetit, në aftësim, duhet fokus në degë për ta bërë tregun vendas konkurrues, më shumë fokus në shërbimet shëndetësore, dhe më shumë mundësi për kreditimin e familjeve të reja.