Ngjarje/Personazhe

Nismat e shoqërisë civile që çuan në suksese mjedisore

15 maj 2023/ Brikena Metaj/Porta Vendore/Përmet

Raste konkrete nga nismat për mbrojtjen e mjedisit u prezantuan gjatë forumit “Lëviz për Mjedisin – Mbështetja e LevizAlbania për aksionin qytetar dhe fushatat e shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri”, zhvilluar në datat 24, 25 dhe 26 prill 2023, në qytetin e Përmetit. Rasti më i publikuar, më i mediatizuar, më i njohur ndërkombëtarisht dhe më i suksesshmi është Fushata për mbrojtjen e Vjosës, tashmë e shpallur “Park Kombëtar”.

Fushata për mbrojtjen e Vjosës ishte një lëvizje qytetare e gjerë në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar që kundërshtoi ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit në lumin Vjosë, një projekt që synonte ndërtimin e një hidrocentrali të madh në zonën e Vjosës, një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, dhe për pasojë, shkatërrimin e një numri të madh të bimësisë, habitatit dhe faunës në këtë zonë.

LevizAlbania ishte një nga organizatat joqeveritare që mori pjesë në këtë fushatë me një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e lumit Vjosë dhe të mjedisit në zonën e tij. Besjana Guri, një ndër aktivistet e EcoAlbania, gjatë prezantimit të saj në këtë forum, foli mbi metodologjinë e ndjekur gjatë fushatës për Vjosën dhe mbështetjen e Lëviz Albania. Ai theksoi ndikimin që patën fushatat në media sociale dhe në media të tjera, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe duke nxitur diskutime mbi impaktin që do të kishte ndërtimi i hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së Vjosës.

Gjatë kësaj fushate LëvizAlbania u bë pjesë e koalicionit të organizatave joqeveritare, të cilat ishin në krye të fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosë. Ky koalicion bëri fushata në rrugë dhe në media, duke organizuar protesta dhe aksione të tjera publike për të nxitur vëmendjen e opinionit publik dhe të autoriteteve.

Në shtator të vitit 2020, pas muajsh protesta dhe presioni nga komuniteti lokal dhe organizatat joqeveritare, qeveria shqiptare vendosi të anulonte marrëveshjen me operatorin e hidrocentralit të Kalivaçit dhe të ndërpriste projektin. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për fushatën e mbrojtjes së lumit Vjosë dhe një rezultat i rëndësishëm për të gjithë ata që janë të ndërgjegjësuar për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës në Shqipëri.

LevizAlbania ishte një ndër organizatat joqeveritare me një kontribut të rëndësishëm në këtë fushatë dhe në sigurimin e një fitoreje të tillë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri.

Pas më shumë se dhjetë vitesh përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune për ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, në 15 mars 2023 lumi Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar i lumit të egër në Evropë duke siguruar një mbrojtje të veçantë të të gjithë lumit Vjosa në Shqipëri, nga kufiri me Greqinë deri në detin Adriatik bashkë me degët e tij, një sistem lumor me një gjatësi totale mbi 400 kilometra.

Fushata për mbrojtjen e Zall-Gjoçaj

Një tjetër fushatë ku LëvizAlbania ka dhënë kontributin e saj të çmuar është edhe Zall-Gjocaj, ku aktivistët e kësaj kauze në mënyrë konsistente kanë kërkuar drejtësi dhe reflektim mbi dëmet e një zonë dhe mbi pasojat që do të binin mbi një komunitet të tërë.

“A pi ujë Drejtësia?!”

Rreth 5 vite pas nisjes së betejës së tyre fillestare, banorë dhe aktivistë të Zall-Gjoçaj, vazhdojnë ende të pyesin dhe të protestojnë në mbrojtje të natyrës dhe mosshfrytëzimit të dhunshëm të saj.

Prezantimi i Aurora Lekës gjatë Forumit për Mjedisin ishte i mbushur me pyetje retorike, ndërsa pohonte se pakkush e dinte (dhe ndoshta ende e di) se Zall – Gjoçaj është një Park Kombëtar. Publikimi I një plani nga qeveria për ndërtime në këtë zonë dhe funksionimi I hidrocentraleve shkaktuan shqetësim dhe protesta nga komuniteti lokal dhe organizatat joqeveritare të cilat kundërshtuan planin për shkatërrim të mjedisit dhe ekosistemit të Zall-Gjoçaj.

Si përgjigje ndaj kësaj nisme, u bë një fushatë e gjerë nëpër Shqipëri për të mbrojtur Zall-Gjoçaj dhe për të kundërshtuar projektin. Fushata përfshiu protesta publike, peticione, fushata në media sociale dhe takime me zyrtarët e qeverisë.

Në këtë fushatë, LevizAlbania ka qenë një nga organizatat joqeveritare që ka kontribuar në mbrojtjen e Zall-Gjoçaj me fushata në media sociale, ka publikuar materiale dhe analiza të detajuara në lidhje me impaktin që do të ketë ndërtimi i hidrocentralit në këtë zonë dhe ka bashkëpunuar me organizatat e tjera që kanë kundërshtuar projektin.

Aurora Leka tregon se më datë 10 nëntor 2021 Gjykata Administrative e Apelit Tiranë i hoqi kompanisë koncensionare “Seka Hydropoëer” licensën për prodhimin e energjisë për hec-in Zajs. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Lartë në nëntor të vitit 2022. Në bazë të këtyre vendimeve Enti Regullator i Energjisë ka ndryshuar vendimin e tij duke i hequr gjithashtu kompanisë të drejtën për prodhimin e energjisë në hec Zajs.

Por pavarësisht këtyre vendimeve kompania vijon qetësisht në paligjshmëri punën në Zall-Gjocaj.

“Përpjekjet tona për mbrojtjen e mjedisit nuk do të shterojnë përballë arrogancës dhe absurditetit të veprimtarisë së institucioneve shqiptare, por as përballë vegjetimit të atyre hetimore e gjyqësore. Banorët, aktivistët dhe avokatët do të vijojnë betejën e tyre për përfundimin e të gjitha proceseve gjyqësore me fitore, si dhe inicimin e të rejave sidomos në lidhje me ndryshimin e kufijve të parkut kombëtar në favor të shfrytëzimit në dëm të mjedisit”, thekson Aurora.

Fushata për mbrojtjen e Divjakë-Karavasta

“Divjaka Resort” ishte një projekt që synonte ndërtimin e një kompleksi turistik në parkun kombëtar të Divjakës, një zonë natyrore e rëndësishme në Shqipëri. Projekti u kritikua gjerësisht si nga organizatat joqeveritare dhe komuniteti lokal, ashtu edhe nga ambientalistët për shkak të shkatërrimit të mjedisit dhe natyrës në zonën e Divjakës.

Resorti turistik parashikonte pushtimin dhe urbanizimin e Parkut Kombëtar me ndërtesa shumëkatëshe, duke prekur zona të rëndësishme ekologjike me ndikim të pakthyeshëm në larminë biologjike dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit.

Fushata ndërgjegjësuese “Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta” u ndërmorr nga një grup organizatash kombëtare (AOS, EcoAlbania, LexFerenda dhe Pseda-Iliria) mbështetur nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Protestat dhe aksionet publike nxitën vëmendjen e opinionit publik dhe të autoriteteve për rrezikun që posedonte ky projekt për mjedisin në zonën e Divjakës. Në shtator të vitit 2020, pas muaj protestash dhe presioni nga komuniteti lokal dhe organizatat joqeveritare, qeveria shqiptare vendosi të ndalojë ndërtimin e kompleksit turistik “Divjaka Resort”. Ky ishte një rezultat i rëndësishëm për fushatën e mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri dhe një fitore e rëndësishme për organizatat joqeveritare dhe komunitetin lokal që kishin mbështetur fushatën.

LevizAlbania si një nga organizatat joqeveritare që kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë fushatë ishte e vendosur për të vijuar punën për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës në Shqipëri.